Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozueu 1:1-18

Jozueu 1:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të ZOTIT, ZOTI foli me Jozuehun, birin e Nunit dhe ndihmësin e Moisiut, e i tha: «Moisiu, shërbëtori im, vdiq. Tani, ngrihu e kalo Jordanin bashkë me gjithë popullin për në tokën që po u jap bijve të Izraelit. Po ju jap çdo vend ku t'ju shkelë shputa e këmbës, ashtu siç i thashë Moisiut. Që nga shkretëtira e nga Libani e deri në lumin e madh Eufrat, gjithë toka e hititëve deri në detin e madh, ku perëndon dielli, do të jetë toka juaj. Askush nuk do të të bëjë ballë sa të jesh gjallë. Do të jem me ty ashtu siç isha edhe me Moisiun dhe nuk do të të lë e as nuk do të të braktis. Ji i fortë e ki guxim, sepse ti do t'ia japësh për trashëgim këtij populli këtë tokë, për të cilën iu betova etërve të tyre se do t'ua jap. Ti veç ji i fortë e ki shumë guxim, që të mbash ligjin që të urdhëroi Moisiu, shërbëtori im, e të bësh gjithçka sipas tij. Mos iu shmang as djathtas e as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh. Mos e hiq nga goja librin e këtij ligji. Përsiate ditë e natë, që ta mbash e të bësh gjithçka është shkruar në të. Vetëm atëherë do të kesh mbarësi e begati. A nuk të urdhërova të jesh i fortë e të kesh guxim? Mos ki, pra, frikë, sepse ZOTI, Perëndia yt, do të jetë me ty kudo që të shkosh». Jozuehu u dha urdhër krerëve të popullit e u tha: «Kaloni përmes fushimit e jepini popullit këtë urdhër: “Bëni gati ushqimet, sepse pas tri ditësh do të kaloni Jordanin, për të pushtuar tokën, që ZOTI, Perëndia juaj, po ju jep si trashëgimi”». Fisit të Rubenit e të Gadit, si edhe gjysmës së fisit të Manaseut, Jozuehu u tha kështu: «Kujtoni urdhrin që ju dha Moisiu, shërbëtori i ZOTIT, kur ju tha se ZOTI, Perëndia juaj, ju dha prehje dhe se këtë tokë po jua jep ai. Gratë, fëmijët e bagëtitë tuaja të qëndrojnë në tokën që ju dha Moisiu këtej Jordanit, ndërsa trimat tuaj të kalojnë të armatosur në anën tjetër, përpara vëllezërve tuaj. Ndihmojini derisa ZOTI t'u japë prehje edhe vëllezërve tuaj, që edhe ata, ashtu si ju, të pushtojnë tokën që po iu jep ZOTI, Perëndia juaj. Vetëm atëherë mund të ktheheni për të trashëguar tokën që ju dha Moisiu, shërbëtori i ZOTIT, këtej Jordanit, nga lindja e diellit». Ata iu përgjigjën Jozuehut: «Do të bëjmë siç na urdhërove ti e do të shkojmë ku të na dërgosh ti. Ashtu siç kemi dëgjuar Moisiun për çdo gjë, ashtu do të të dëgjojmë edhe ty. ZOTI, Perëndia yt, qoftë me ty, siç ishte edhe me Moisiun. Kush nuk ta dëgjon fjalën e nuk u bindet urdhrave të tu do të vritet. Ji i fortë, pra, e ki guxim».

Jozueu 1:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mbas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të Zotit, ndodhi që Zoti i foli Jozueut, djalit të Nunit, që i shërbente Moisiut, dhe i tha: "Moisiu, shërbëtori im, vdiq; prandaj çohu, kalo Jordanin, ti dhe gjithë ky popull, dhe shko në atë vend që unë u jap atyre, bijve të Izraelit. Unë ju kam dhënë çdo vend që tabani i këmbës suaj ka për të shkelur, siç i thashë Moisiut. Territori yt do të shtrihet nga shkretëtira dhe nga Libani deri në lumin e madh, në lumin e Eufratit, nga tërë vendi i hitenjve deri në Detin e Madh, në perëndim. Askush nuk do të mund të të kundërshtojë gjatë tërë ditëve të jetës sate; ashtu siç kam qenë me Moisiun, kështu do të jem me ty; nuk do të të lë, as nuk do të të braktis. Ji i fortë dhe trim, sepse ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin që u betova t'u jap etërve të tyre. Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh sipas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh. Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh sipas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh. A nuk të urdhërova unë? Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh". Atëherë Jozueu urdhëroi oficerët e popullit, duke u thënë: "Kaloni përmes kampit dhe jepini popullit këtë urdhër, duke i thënë: Siguroni rezerva ushqimore, sepse brenda tri ditëve do të kaloni Jordanin për të vajtur të pushtoni vendin që Zoti, Perëndia juaj, ju jep si trashëgimi". Jozueu u foli gjithashtu rubenitëve, gaditëve dhe gjysmës së fisit të Manasit, duke u thënë: "Mbani mend fjalën që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju urdhëroi kur ju tha: "Zoti, Perëndia juaj, ju ka dhënë pushim dhe ju ka dhënë këtë vend. Gratë tuaja, të vegjlit tuaj, dhe bagëtia juaj do të mbeten në vendin që Moisiu ju ka dhënë nga kjo anë e Jordanit; por ju, tërë luftëtarët tuaj trima do të kaloni të armatosur para vëllezërve tuaj dhe do t'i ndihmoni, derisa Zoti t'u ketë dhënë pushim vëllezërve tuaj ashtu si juve, dhe ta kenë shtënë në dorë vendin që Zoti, Perëndia juaj, u jep atyre. Atëherë mund të ktheheni për të pushtuar vendin që ju përket, dhe që Moisiu, shërbëtor i Zotit, ju ka dhënë këtej Jordanit në drejtim të Lindjes"". Atëherë ata iu përgjigjën Jozueut, duke i thënë: "Ne do të bëjmë të gjitha ato që ti na urdhëron dhe do të shkojmë kudo që të na çosh. Ashtu siç i jemi bindur për çdo gjë Moisiut, kështu do të të bindemi ty. Vetëm me ty qoftë Zoti, Perëndia yt, ashtu siç ka qenë me Moisiun! Kushdo që ngre krye kundër urdhrave të tua, dhe nuk u bindet fjalëve të tua, do të vritet. Vetëm ji i fortë dhe trim!".