Jobi 24:1-25
Jobi 24:1-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Pse i gjithëpushtetshmi nuk e caktoi një kohë dhe ata që e njohin ditët e tij s'i shohin? Të paudhët lëvizin kufijtë, rrëmbejnë tufat e i kullotin. Jetimëve ua marrin gomarin, të vesë kaun i marrin peng. Dëbojnë nga udha nevojtarët e skamnorët e dheut bashkë fshihen prej tyre. Ja, si gomarët e egër në shkretëtirë për punë dalin e kërkojnë ushqim dhe djerrina ushqim u jep për fëmijë. Ndër ara ushqim mbledhin, ia vjelin të paudhit vreshtin. Cullak e kalojnë natën, pa u veshur, e në të ftohtë mbulojë nuk kanë. I lag shiu i malit e shkëmbit i qepen për strehim. Të paudhët nga mëkimi ndajnë jetimët e gjënë e skamnorit peng e marrin. Pa petka ecin zhveshur e të uritur duajt mbartin. Në zagna vajin e shtrydhin, shtrydhin rrush, por të etur mbeten. Rënkojnë nga qyteti të sëmurët për vdekje, të plagosurit çirren e kërkojnë ndihmë, por Perëndia nuk i dëgjon këto përçartje. Ata nuk e durojnë dritën, s'i njohin rrugët e saj, shtigjet e saj nuk i ndjekin. Me dritë ngrihet vrasësi, skamnorin vret e mjeranin e, kur bie nata, është porsi kusar. Syri i kurorëshkelësit përgjon në mugëtirë, thotë: “Askush s'më sheh” dhe mbulon fytyrën. Në errësirë shtëpitë dhunon, por ditën brenda mbyllet, pa e njohur dritën. Për të gjithë ata mëngjesi është terrinë e tmerret e saj mirë ata i njohin. Pa ujë ata ngelin, nëmur është toka e tyre e vreshtat askush s'ua sheh. Siç thajnë ujin e borës thatësira e vapa, ashtu mëkatarin skëterra e përpin. I harron barku i nënës, por i shijojnë krimbat. Nuk lënë pas kujtim, se ligësia këputet, siç këputet pema. Ngacmojnë gruan beronjë e të vesë s'ia bëjnë të mirën. Por Perëndia të fortët me forcë i mban, ringrihen kur s'kanë më shpresë për jetë. U jep siguri e ata kanë mbështetje, sytë hapur i mban mbi udhën e tyre. Lartohen një grimë e pastaj s'janë më, fundosen e vyshken si të gjithë, porsi kokrra e grurit thahen. Nëse s'është kështu, kush më përgënjeshtron e fjalën poshtë ma hedh?».
Jobi 24:1-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
"Pse vallë i Plotfuqishmi nuk i rezervon vetes kohëra dhe ata që e njohin nuk shohin ditët e tij? Disa zhvendosin kufijtë, marrin me forcë kopetë dhe i çojnë në kullotë; u marrin gomarin jetimëve dhe marrin peng kaun e gruas së ve; i shtyjnë jashtë rruge nevojtarët, kështu tërë të varfrit e vendit janë të detyruar të fshihen. Ja ku janë, si gomarë të egër në shkretëtirë dalin në punën e tyre herët në mëngjes për të kërkuar ushqim; shkretëtira jep ushqim për ta dhe për bijtë e tyre. Mbledhin forazhin e tyre në fushat dhe mbledhin vilet e pavjela në vreshtin e të pabesit. E kalojnë natën lakuriq, pa rroba, dhe nuk kanë me se të mbulohen nga të ftohtit. Të lagur nga rrebeshet që vijnë nga malet, për mungesë strehe shtrëngohen pas shkëmbinjve. Të tjerë e rrëmbejnë nga gjiri jetimin dhe marrin pengje nga të varfrit. E detyrojnë të varfrin të shkojë pa rroba dhe u marrin duajt të uriturve. Bëjnë vaj midis mureve të të pabesëve, e shtrydhin rrushin në trokull, por kanë etje. Vajtimi i atyre që po vdesin ngrihet nga qyteti, shpirti i të plagosurve kërkon ndihmë, por Perëndia nuk i vë mend të keqes që u ka bërë. Të tjerë janë armiq të dritës, nuk njohin rrugët e saj dhe nuk qëndrojnë në shtigjet e saj. Vrasësi ngrihet në të gdhirë, për të vrarë të varfrin dhe nevojtarin; natën përkundrazi sillet si vjedhësi. Syri i shkelësit të kurorës bashkëshortore pret muzgun duke menduar: "Askush nuk do të më shohë", dhe vë një vel mbi fytyrën e tij. Natën depërtojnë nëpër shtëpitë; ditën rrinë mbyllur; nuk e njohin dritën. Mëngjesi është për ta si hija e vdekjes, sepse ata i njohin mirë tmerret e hijes së vdekjes. Kalojnë shpejt mbi sipërfaqen e ujërave, pjesa e tyre është e mallkuar mbi tokë, dhe askush nuk do të hynte më në vreshtat e tyre. Ashtu si thatësia dhe vapa tretin ujërat e dëborës, kështu bën edhe Sheoli me atë që ka mëkatuar. Gjiri i nënës e harron, krimbat e hanë duke e shijuar; atë nuk do ta kujtojnë më; i keqi do të pritet si një dru. Ai gëlltiste gruan shterpë që nuk ka fëmijë dhe nuk i bënte asnjë të mirë gruas së ve! Por Perëndia me forcën e tij tërheq tutje të fuqishmit dhe, në qoftë se shfaqen përsëri, asnjeri nuk mund të jetë i sigurt për jetën e tij. U jep siguri dhe ata i besojnë asaj; megjithatë sytë e tij kundrojnë rrugët e tyre. Ngrihen për pak kohë, por pastaj nuk janë më; rrëzohen dhe çohen tutje si gjithë të tjerët; priten si kokat e kallinjve të grurit. Në qoftë se nuk është kështu, kush mund të më përgënjeshtrojë dhe të shfuqizojë vlerën e fjalëve të mia?".