Jobi 14:1-17
Jobi 14:1-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Njeriu i lindur prej gruas e ka jetën të shkurtër e plot trazime. Çel si lulja e vyshket, ikën si hija e nuk zë vend. A i hedh ti sytë kah një i tillë? E mua më thërret në gjyq? Kush mund të nxjerrë dëlirësi nga ndotja? Askush! Nëse ditët e njeriut janë të numëruara e ti e di numrin e muajve të tij, nëse ia ke vënë cakun e ai s'e kalon dot, hiqi sytë prej tij e lëre të qetë ta sosë i gëzuar ditën si mëditës. Se edhe pema e ka një shpresë, nëse e presin, do të bulojë sërish e filizat e saj nuk do të thahen. Edhe pse rrënjët i plaken nën dhe e trungu i kalbet në pluhur, ndien ujin e bulon, nxjerr filiza si fidan. Por njeriu vdes e bie përdhe, jep shpirt njerëzia e ku është pastaj? Uji i detit avullon e lumi mund të thahet. Njeriu që dergjet nuk ringrihet më, pa kaluar qiejt më nuk do të zgjohet, as do t'i dalë më gjumi. Ah, sikur të më fshihje në skëterrë, sikur të më ndryje derisa të të ikë zemërimi e të më caktoje kohën për të më kujtuar! Nëse njeriu vdes, a mund të jetojë? Do të prisja sado të zgjasë mundimi im, derisa të vijë lirimi. Ti do të më thërrisje e unë do të të përgjigjesha, do të kishe mall për veprën e duarve të tua. Ndonëse tani i numëron hapat e mi, nuk do t'i vëreje mëkatet e mia. Mosbindja ime do të ndryhej në thes e ti do ta mbuloje fajin tim.
Jobi 14:1-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
"Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime. Mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë. Mbi një qenie të tillë ti i mban sytë të hapur, dhe më bën që të dal në gjyq bashkë me ty. Kush mund të nxjerrë një gjë të pastër nga një gjë e papastër? Askush. Sepse ditët e saj janë të caktuara, numri i muajve të saj varet nga ti, dhe ti i ke vendosur kufij që nuk mund t'i kapërcejë. Hiqe shikimin nga ai dhe lëre të qetë, derisa të mbarojë ditën e tij si një argat. Të paktën për drurin ka shpresë; në rast se pritet, rritet përsëri dhe vazhdon të mugullojë. Edhe sikur rrënjët e tij të plaken nën tokë dhe trungu i tij të vdesë nën dhe, me të ndjerë ujin, mugullon përsëri dhe lëshon degë si një bimë. Njeriu përkundrazi vdes dhe mbetet i shtrirë për dhe; kur është duke nxjerrë frymën e fundit, ku është, pra? Mund të mungojnë ujërat në det dhe një lumë të meket dhe të thahet, por njeriu që dergjet nuk ngrihet më; sa të mos ketë më qiej, nuk do të zgjohet dhe nuk do të çohet më nga gjumi i tij. Ah sikur të doje të më fshihje në Sheol, të më mbaje të fshehur sa të kalonte zemërimi yt, të më caktoje një afat dhe të më kujtoje! Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim të rëndë, derisa të arrinte ora e ndryshimit tim. Do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha; ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua. Atëherë ti do të më numëroje hapat, por nuk do të vije re mëkatet e mia; do ta vulosje në një thes mëkatin tim dhe do ta mbuloje fajin tim.