Gjoni 20:1-22
Gjoni 20:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ditën e parë pas së shtunës, herët në mëngjes, ndërsa ishte ende errësirë, Maria Magdalena shkoi te varri dhe pa gurin të larguar nga hyrja. Atëherë ajo shkoi me vrap te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, ai të cilin Jezui e donte, e u tha: «E kanë marrë Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e kanë vënë». Pjetri dhe dishepulli tjetër dolën jashtë e shkuan te varri. Vraponin që të dy, por dishepulli tjetër vrapoi më shpejt se Pjetri dhe mbërriti i pari te varri. U përkul dhe pa pëlhurat e lëna atje, por nuk hyri brenda. Ndërkohë mbërriti edhe Simon Pjetri, që po vinte pas tij, dhe hyri në varr. Aty pa të lëna pëlhurat si dhe rizën që kishte qenë mbi kokën e Jezuit. Kjo nuk ishte me pëlhurat, por ishte e mbështjellë veç në një vend tjetër. Atëherë hyri edhe dishepulli tjetër që kishte mbërritur i pari te varri. Ai pa dhe besoi. Ata nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin që thoshte se Jezui duhej të ngjallej prej të vdekurve. Pastaj dishepujt u kthyen përsëri në shtëpi. Maria qëndronte përjashta pranë varrit duke qarë. Ndërsa qante, u përkul drejt varrit dhe pa dy engjëj të veshur me të bardha që qëndronin atje ku kishte qenë shtrirë trupi i Jezuit, njëri te koka e tjetri te këmbët. Ata i thanë: «Grua, përse po qan?». Ajo u tha: «E kanë marrë Zotin tim dhe nuk e di ku e kanë vënë». Si tha këto, ajo u kthye prapa dhe pa Jezuin që qëndronte më këmbë, por nuk e dinte se ishte ai. Jezui i tha: «Grua, përse po qan? Kë po kërkon?». Ajo, duke kujtuar se ishte kopshtari, i tha: «Zotëri, nëse e ke marrë ti, më thuaj ku e vure dhe unë do ta marr». Jezui i tha: «Mari!». Ajo u kthye e i tha në hebraisht: «Rabbuni!» që do të thotë mësues. Jezui i tha: «Mos më prek, se nuk jam ngjitur ende tek Ati. Por, shko te vëllezërit e mi e thuaju se unë po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, Perëndia im e Perëndia juaj». Maria Magdalena shkoi dhe i lajmëroi dishepujt se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë asaj këto fjalë. Në mbrëmjen e po asaj dite, të parën e javës, ndërsa dyert e vendit ku rrinin dishepujt ishin të mbyllura nga frika e judenjve, erdhi Jezui, qëndroi në mes e u tha: «Paqja me ju!». Si tha këto fjalë, u tregoi duart dhe brinjën. Dishepujt u gëzuan kur panë Zotin. Pastaj Jezui u tha përsëri: «Paqja me ju! Sikurse Ati më dërgoi mua, ashtu edhe unë ju dërgoj ju». Pasi tha këto, hukati mbi ta e u tha: «Merrni Shpirtin e shenjtë!
Gjoni 20:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por ditën e parë pas së shtunës, në mëngjes, kur ishte ende errët, Maria Magdalena shkoi te varri dhe pa se guri ishte hequr nga varri. Atëherë rendi te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, të cilin Jezusi e donte, dhe u tha atyre: ''E kanë hequr Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e vunë''. Atëherë Pjetri dhe dishepulli tjetër dolën jashtë dhe u nisën për te varri. Rendnin të dy bashkë, por dishepulli tjetër rendi përpara, më shpejt se Pjetri dhe arriti i pari te varri. Dhe, si u përkul, pa pëlhurat prej liri që ishin në varr, por nuk hyri aty. Arriti edhe Simon Pjetri që po e ndiqte, hyri në varr dhe pa pëlhurat prej liri që ishin përtokë, dhe rizën, që qe vënë mbi kokën e Jezusit; ajo nuk ishte bashkë me pëlhurat, por ishte e palosur në një vend, veç. Atëherë hyri edhe ai dishepull tjetër që kishte arritur i pari te varri, pa dhe besoi. Ata në fakt, nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin, sipas të cilit ai duhet të ringjallej së vdekurish. Pastaj dishepujt u kthyen përsëri në shtëpi. Por Maria kishte mbetur jashtë varrit, dhe po qante. Dhe, duke qarë, u përkul brenda varrit, dhe pa dy engjëj, të veshur me të bardha, ndenjur njëri te kryet dhe tjetri te këmbët e vendit, ku qe trupi i Jezusit. Ata i thanë: ''O grua, pse po qan?''. Ajo u përgjigj atyre: ''Sepse e kanë hequr Zotin tim, dhe nuk e di ku e kanë vënë''. Si tha këtë, ajo u soll prapa dhe pa Jezusin, që qëndronte në këmbë; por ajo nuk e dinte se ishte Jezusi. Jezusi i tha: ''O grua, pse po qan? Kë kërkon?''. Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: ''Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr''. Jezusi i tha: ''Mari!''. Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: ''Rabboni!'', që do të thotë: Mësues. Jezusi i tha: ''Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj''. Atëherë Maria Magdalena shkoi t'jua njoftojë dishepujve se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë këto gjëra. Pastaj në mbrëmje të po asaj dite, dita e parë e javës, ndërsa dyert e vendit ku qenë mbledhur dishepujt ishin të mbyllura nga frika e judenjve, erdhi Jezusi dhe u prezantua në mes tyre dhe u tha atyre: ''Paqja me ju!''. Dhe, si i tha këto, u tregoi atyre duart e veta dhe brinjën. Dishepujt pra, kur e panë Zotin, u gëzuan. Pastaj Jezusi u tha atyre përsëri: ''Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju''. Dhe, si tha këto fjalë, hukati mbi ta dhe tha: ''Merrni Frymën e Shenjtë!