Jeremia 51:45-64 - Compare All Versions
Jeremia 51:45-64 ALBB (Bibla Shqip 1994)
Dil nga mesi i saj, o populli im, dhe secili të shpëtojë jetën e tij përpara zemërimit të zjarrtë të Zotit. Zemra juaj mos u ligështoftë dhe mos u trembni nga lajmet që do të dëgjohen në vend, sepse një vit do të vijë një lajm dhe vitin tjetër një lajm tjetër. Do të ketë dhunë në vend, sundues kundër sunduesit. Prandaj ja, do të vijnë ditët në të cilat unë do të ndëshkoj figurat e gdhendura të Babilonisë; tërë vendi do të mbulohet me turp dhe tërë të plagosurit për vdekje do të rrëzohen në mes të saj. Atëherë qiejt, toka dhe çdo gjë që është në to do të ngazëllejnë mbi Babiloninë, sepse shkatërruesit do të vijnë kundër saj nga veriu", thotë Zoti. Ashtu si Babilonia bëri që të rrëzohen të plagosurit për vdekje të Izraelit, kështu në Babiloni do të rrëzohen të plagosurit për vdekje të të gjithë vendit. Ju, që keni shpëtuar nga shpata, nisuni, mos u ndalni; mbani mend që nga larg Zotin, dhe Jeruzalemi t'ju kthehet në zemër. Na vjen turp të dëgjojmë sharjen, turpi ka mbuluar fytyrën tonë, sepse disa të huaj kanë hyrë në shenjtëroret e shtëpisë të Zotit. "Prandaj ja, do të vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat unë do të dënoj figurat e tij të gdhendura dhe në tërë vendin e tij do të rënkojnë të plagosurit për vdekje. Edhe sikur Babilonia të ngjitej deri në qiell, edhe sikur ta bënte të pakapshme forcën e saj të lartë, nga ana ime do të vijnë kundër saj disa shkatërrimtarë", thotë Zoti. Zhurma e një britme po vjen nga Babilonia, e një shkatërrimi të madh nga vendi i kaldeasve. Sepse Zoti po shkatërron Babiloninë dhe bën që të pushojë zhurma e saj e madhe; valët e tyre gumëzhijnë, zhurma e zërit të tyre po ngrihet. Shkatërrimtari në fakt erdhi kundër saj, kundër Babilonisë; trimat e saj janë kapur, harqet e tyre janë copëtuar, sepse Zoti është Perëndia i shpërblimeve; ai do t'i shpërblejë me siguri. Unë do t'i deh princat e saj, njerëzit e urtë të saj, qeveritarët e saj, nëpunësit e saj, dhe trimat e saj dhe kështu do të bëjnë një gjumë të përjetshëm dhe nuk do të zgjohen më", thotë Mbreti, emri i të cilit është Zoti i ushtrive. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Muret e gjëra të Babilonisë do të prishen krejtësisht, portat e saj të larta do të digjen me zjarr; kështu popujt do të kenë punuar për asgjë dhe kombet do të jenë munduar vetëm për zjarrin". Urdhri që profeti Jeremia i dha Serajahut, birit të Neriahut, bir i Mahsejahut, kur shkoi në Babiloni me Sedekian, mbretin e Judës, në vitin e katërt të mbretërimit të tij. Serajahu ishte shefi i çambelanëve. Kështu Jeremia shkroi në një libër tërë të këqijat që do të pësonte Babilonia, tërë këto fjalë që janë shkruar kundër Babilonisë. Dhe Jeremia i tha Serajahut: "Kur të arrish në Babiloni, ki kujdes t'i lexosh tërë këto fjalë, dhe do të thuash: "O Zot, ti ke thënë për këtë vend se do ta shkatërroje, dhe se nuk do të mbetej në të më asnjëri, qoftë njeri apo kafshë, por do të bëhej një shkreti e përjetshme". Pastaj, kur të kesh mbaruar së lexuari këtë libër, do të lidhësh mbi të një gur dhe do ta hedhësh në mes të Eufratit, dhe do të thuash: "Kështu do të mbytet Babilonia dhe nuk do të ngrihet më nga fatkeqësia që unë do të sjell mbi të; dhe ata do të jenë të rraskapitur"". Deri këtu fjalët e Jeremias.
Jeremia 51:45-64 AL1 (Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK))
Dilni prej saj, populli im, secili të shpëtojë veten nga zemërimi i flaktë i ZOTIT. Mos t'ju lëshojë zemra e mos kini frikë nga njoftimi i shpallur në vend, kur të vijë një vit një njoftim e një vit tjetër një njoftim tjetër e kur të ketë dhunë në vend e sundimtar kundër sundimtari. Prandaj, ja, po vijnë ditët, kur do t'i ndëshkoj shëmbëlltyrat e Babilonisë. Mbarë toka e saj do të turpërohet e tërë të therurit do të rrëzohen në mes të saj. Do të gëzohen për Babiloninë qielli e toka me gjithë ç'kanë, se shkatërrimtarët do të sulen kundër saj nga veriu, kumton ZOTI. Edhe Babilonia do të bjerë prej të vrarëve të Izraelit, siç u vra bota mbarë për Babiloninë. Ju, që i keni shpëtuar shpatës, mos u ndalni! Kujtojeni prej larg ZOTIN e t'ju bjerë ndër mend Jerusalemi. Jemi turpëruar, se kemi dëgjuar tallje, turpi na e ka mbuluar fytyrën, se kanë hyrë të huajt në tempullin e ZOTIT. Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton ZOTI, kur unë do t'ia ndëshkoj shëmbëlltyrat e në mbarë tokën e saj do të rënkojnë të plagosurit. Edhe po të ngrihej Babilonia deri në qiell, edhe po ta përforconte majën e saj të fortë, prej meje do të vijnë shkatërrimtarë kundër saj, kumton ZOTI. Një zë! Britmë nga Babilonia! Rrënim i madh nga dheu i kaldenjve! Se ZOTI po e shkatërron Babiloninë, po e shuan bujën e saj të madhe. Oshtijnë dallgët e saj si ujërat e rrëmbyeshëm, i del kumbimi zërit të tij, se erdhi kundër saj, kundër Babilonisë, një shkatërrimtar, u kapën luftëtarët e saj, u copëtuan harqet e tyre, se Perëndia i hakmarrjes është ZOTI, ai e jep shpërblimin e plotë. Do t'i deh prijësit e saj e të urtët, udhëheqësit, qeveritarët e luftëtarët, do të flenë gjumin e përhershëm pa zgjim, kumton mbreti, ZOT i ushtrive është emri i tij. Kështu thotë ZOTI i ushtrive: muret e gjera të Babilonisë do të shemben fare e portat e saj të larta do të digjen me zjarr. Popujt mundohen më kot dhe kombet lodhen vetëm për zjarr. Urdhri që profeti Jeremi i dha Serajahut, birit të Neriahut, të birit të Mahsejahut, kur shkoi në Babiloni me Sedekinë, mbretin e Judës, në vitin e katërt të mbretërimit të tij. Serajahu ishte përgjegjësi i banesës. Jeremia i shkroi në një libër të gjitha zezonat që duhej të binin mbi Babiloninë. Të gjitha këto fjalë janë shkruar kundër Babilonisë. Pastaj Jeremia i tha Serajahut: «Kur të mbërrish në Babiloni, bëj kujdes e lexoji të gjitha këto fjalë e thuaj: o ZOT, ti the për këtë vend se do ta zhbish, që të mos ketë banorë në të, as njerëz, as kafshë, por të jetë i rrënuar përgjithmonë. Pasi ta kesh përfunduar së lexuari këtë libër, lidhe me gur, hidhe në mes të Eufratit e thuaj: kështu do të mbytet Babilonia e nuk do të ngrihet më, për shkak të zezonës që unë po çoj kundër saj. E ata do të marrin fund». Deri këtu fjalët e Jeremisë.