Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 32:6-15

Jeremia 32:6-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Jeremia tha: «Fjala e ZOTIT m'u drejtua e më tha: ja, do të vijë te ti Hanameli, biri i Shalumit, ungjit tënd, për të të thënë: “Bli për vete arën time në Anatot, se të takon ty ta blesh, sipas së drejtës së riblerjes”. Hanameli, biri i ungjit tim, erdhi tek unë në tremen e rojës, sipas fjalës së ZOTIT, e më tha: “Blije arën time në Anatot, në tokën e Benjaminit, se të takon ty e drejta e pronës dhe e riblerjes. Blije për vete”. Atëherë e mora vesh se ajo kishte qenë fjala e ZOTIT. Ia bleva Hanamelit, birit të ungjit tim, arën në Anatot dhe i pagova paratë: shtatëmbëdhjetë sikla argjendi. Nënshkrova fletëblerjen, e vulosa, thirra dëshmitarët dhe peshova argjendin në kandar. Pastaj mora fletëblerjen, të vulosur sipas rregullit e ligjit, dhe një tjetër të pambyllur. Ia dhashë fletëblerjen Barukut, birit të Neriahut, të birit të Mahsejahut, në sytë e Hanamelit, kushëririt tim, në sytë e dëshmitarëve që e kishin nënshkruar fletën e blerjes dhe në sytë e të gjithë judenjve që gjendeshin në tremen e rojës. Pastaj e urdhërova Barukun në sytë e të gjithëve e i thashë: “Kështu thotë ZOTI i ushtrive, Perëndia i Izraelit: merri këto fletë, këtë fletëblerje, të vulosurën e të pambyllurën, dhe vëri në një enë balte, që të ruhen për shumë kohë. Se kështu thotë ZOTI i ushtrive, Perëndia i Izraelit: përsëri do të blihen shtëpi, ara e vreshta në këtë tokë”.

Jeremia 32:6-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Jeremia tha: "Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: Ja, Hanameeli, biri i Shalumit, ungjit tënd, po vjen te ti që të të thotë: "Bli arën time që ndodhet në Anathoth, sepse ti ke të drejtën ta shpengosh duke e blerë"". Prandaj Hanameeli, biri i ungjit tim, erdhi tek unë në oborrin e burgut, sipas fjalës të Zotit, dhe më tha: "Të lutem, bli arën time që ndodhet në Anathoth, në territorin e Beniaminit, sepse ti ke të drejtën e trashëgimisë dhe të drejtën e shpengimit. Blije!". Atëherë e kuptova që kjo ishte fjala e Zotit. Kështu, pra, bleva nga Hanameeli, nga biri i ungjit tim, arën që ndodhej në Anathoth dhe ia peshova paratë; shtatëmbëdhjetë sikla argjendi. E nënshkrova aktin, e vulosa, thirra dëshmitarët dhe peshova paratë me peshore. Pastaj e mora aktin e blerjes, atë të vulosur sipas ligjit dhe statuteve dhe atë të hapur, dhe ia dorëzova aktin e blerjes Barukut, birit të Neriathit, bir i Mahsehiahut, në prani të Hanameelit, kushëririt tim, në prani të dëshmitarëve që kishin nënshkruar aktin e blerjes dhe në prani të të gjithë judenjve që rrinin ulur në oborrin e burgut. Pastaj përpara tyre i dhashë këtë urdhër Barukut: "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Merr këto akte, aktin e blerjes, qoftë atë të vulosur ashtu edhe atë të hapur, dhe futi në një poç prej balte, që të ruhen për shumë ditë. Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Në këtë vend do të blihen akoma shtëpi, ara dhe vreshta".