Jeremia 10:1-25
Jeremia 10:1-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Dëgjojeni fjalën që ju drejton ZOTI, o shtëpia e Izraelit. Kështu thotë ZOTI: «Mos i mësoni udhët e kombeve e mos u tmerroni nga shenjat e qiellit, meqë prej tyre kanë frikë kombet, se doket e kombeve janë kotësi, se idhujt janë një dru i prerë nga pylli, latuar me sëpatë nga dora e zejtarit. I zbukurojnë me argjend e ar, i kapin me gozhdë e çekanë, që të mos lëkunden. Si dordoleci në arë trangujsh janë e nuk flasin, duhet t'i mbartin, se nuk ecin dot. Mos kini frikë prej tyre, se nuk bëjnë dëm e nuk është në dorën e tyre as të bëjnë mirë». Askush nuk është si ti, o ZOT. Ti je i madh e i madh është emri yt i fuqishëm. Kush nuk do të ta ketë frikën, o mbreti i kombeve? Vetëm ty të takon, se ndër gjithë të urtët e kombeve e në mbarë mbretëritë e tyre nuk ka si ti. Janë tok të marrë e të pamend, mësimi i tyre është kotësi, një copë dru është. Është argjend i rrahur, sjellë nga Tarshishi, dhe ar nga Ufazi, vepër zejtari e argjendari, veshur me vjollcë e me purpur të gjitha me mjeshtëri punuar. Por ZOTI është vërtet Perëndi, Ai është Perëndia i gjallë e mbreti i amshuar. Prej zemërimit të tij dridhet toka, kombet nuk e durojnë furinë e tij. Kështu do t'u thuash: «Perënditë, që nuk bënë qiellin e tokën, do të zhbihen mbi tokë e nën qiell». Ai e bëri tokën me fuqinë e vet, me urtinë e vet e themeloi botën, qiejt me mençuri i shpalosi. Me ushtimën e tij trazohen ujërat në qiell, nga skaji i dheut i ngre retë, ai e lëshon vetëtimën në shi dhe nxjerr erën nga qilarët e vet. Çdo njeri hutohet nga padija, çdo farkëtar turpërohet prej idhujve, se e gënjeshtërt është çfarë ka farkëtuar e frymë në to nuk ka. Ato janë kotësira, vepra qesharake, në kohën e ndëshkimit, do të rrënohen. Nuk është kështu ai që i ka rënë për pjesë Jakobit, se ai i dha trajtë gjithçkaje, Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij. ZOT i ushtrive është emri i tij. Mblidh trastat nga toka, o ti që banon i rrethuar, se kështu thotë Zoti: «Ja, do t'i flakëroj banorët e tokës këtë herë, do t'i zë ngushtë, që ta marrin vesh». Mjerë unë, për plagën time! Plaga ime është e rëndë, por thashë: «Është lëngata ime, duhet ta duroj». Tenda ime u rrënua, të gjitha tejzat iu këputën. Bijtë e mi ikën e më nuk janë, nuk ka kush e ngre sërish tendën time, nuk ka kush i ndeh pëlhurat. Se barinjtë u marrosën e nuk e pyesin ZOTIN, prandaj nuk u ecën mbarë e grigjat u janë shpërndarë. Dëgjohet një zë. Ja, po vjen. Një dridhmë e madhe nga dheu i veriut, për t'i shkretuar qytetet e Judës, për t'i kthyer në strofuj çakejsh. E di, o ZOT, njeriu nuk e ka në dorë fatin e vet, njeriu ecën, por nuk i drejton dot hapat e veta. Ndreqmë, o ZOT, por me drejtësi, jo me zemërimin tënd, që të mos më mpakësh. Derdhe hidhërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin, mbi fiset që nuk thërrasin emrin tënd, se e gllabëruan Jakobin, e përpinë e i dhanë fund, e shkretuan vendbanimin e tij.
Jeremia 10:1-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dëgjoni fjalën që Zoti po ju drejton, o shtëpia e Izraelit. Kështu thotë Zoti: "Mos mësoni të ndiqni rrugën e kombeve dhe mos kini frikë nga shenjat e qiellit, sepse janë kombet që kanë frikë prej tyre. Sepse zakonet e popujve janë kotësi: sepse është si dikush që pret një dru në pyll, puna e duarve të një punëtori me sëpatë. E zbukurojnë me argjend dhe me ar, e fiksojnë me gozhda dhe çekiçë që të mos lëvizë nga vendi. Idhujt qëndrojnë drejt si një palmë dhe nuk mund të flasin; duhet t'i mbartësh, sepse nuk mund të ecin. Mos kini frikë prej tyre, sepse nuk mund të bëjnë asnjë të keqe dhe as që kanë mundësinë të bëjnë të mirë". Askush nuk është i ngjashëm me ty, o Zot; ti je i madh dhe emri i yt është i madh në fuqi. Kush nuk do të kishte frikë prej teje, o mbret i kombeve? Po, kjo të detyrohet, sepse midis gjithë njerëzve të ditur të kombeve, në të gjitha mbretëritë e tyre nuk ka njeri të ngjashëm me ty. Janë të gjithë budallenj dhe pa arsye; idhulli i tyre prej druri është një doktrinë pa asnjë vlerë. Argjend i petëzuar i sjellë nga Tarshishi dhe ar nga Ufazi, punë zejtari dhe dorë argjendari; rroba e tyre është e purpurt dhe e kuqe flakë, punime të dala nga duart e njerëzve ekspertë. Por Zoti është Perëndia i vërtetë, ai është Perëndia i gjallë dhe mbreti i përjetshëm. Para zemërimit të tij toka dridhet dhe kombet nuk mund të qëndrojnë përpara indinjatës së tij. Kështu do t'u thoni atyre: "Perënditë që nuk kanë bërë qiejt dhe tokën do të zhduken nga toka dhe nën qiellin". Ai bëri tokën me fuqinë e tij, ka vendosur botën me diturinë e tij dhe ka shpalosur qiejt me zgjuarsinë e tij. Kur nxjerr zërin e tij ka një zhurmë ujërash në qiell; ai i bën avujt të ngjiten nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun dhe nxjerr erën nga rezervuaret e tij. Atëherë çdo njeri bëhet pa mend, pa dituri; çdo argjendari i vjen turp për shëmbëlltyrën e gdhendur të tij sepse shëmbëlltyra e tij e derdhur është e rreme dhe në të nuk ka frymë. Janë kotësi, punë mashtrimi; në kohën e ndëshkimit të tyre kanë për të vdekur. Pjesa e Jakobit nuk është si ata, sepse Ai ka formuar tërë gjërat, dhe Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij. Emri i tij është Zot i ushtrive." "Mblidh sendet e tua nga vendi, ti që je i rrethuar". Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, këtë herë do t'i hedh larg banorët e vendit dhe do t'u sjell një fatkeqësi të madhe, me qëllim që të më gjejnë përsëri". Mjerë unë për plagën time, plaga ime është e dhembshme. Por unë kam thënë: "Kjo është një sëmundje që unë duhet ta duroj". Çadra ime është shkatërruar dhe të gjithë litarët e mi janë këputur; bijtë e mi kanë shkuar larg meje dhe nuk janë më; nuk ka më asnjë që të vendosë çadrën time apo të ngrejë shatorret e mia. Sepse barinjtë kanë qenë pa mend dhe nuk kanë kërkuar Zotin; prandaj nuk kanë pasur mbarësi dhe tërë kopeja e tyre është shpërndarë. Ja, po vjen një zhurmë lajmesh dhe një rrëmujë e madhe nga vendi i veriut, për t'i katandisur qytetet e Judës si shkretëtira, si strehim për çakejtë. O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij. Më korrigjo, o Zot, por me drejtësi, jo në zemërimin tënd për të mos më reduktuar në asgjë. Lëshoje zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi popujt që nuk përmendin emrin tënd, sepse kanë gllabëruar Jakobin; po, e kanë gllabëruar dhe konsumuar dhe kanë shkatërruar banesën e tij.