Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 11:1-40

Gjyqtarët 11:1-40 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Jeftahu nga Gileadi ishte trim i fuqishëm. Ai ishte biri i Gileadit që kishte lindur nga një lavire. Por gruaja e Gileadit i kishte lindur atij edhe bij të tjerë. Kur u rritën, ata e dëbuan Jeftahun e i thanë: «Ti nuk ke për të pasur pjesë në trashëgiminë e atit tonë, sepse je biri i një gruaje tjetër». Atëherë Jeftahu u largua nga vëllezërit e tij dhe jetoi në vendin e Tobit. Rreth tij u bashkuan njerëz të poshtër, që dilnin për të plaçkitur bashkë me të. Pas njëfarë kohe amonitët sulmuan Izraelin. Kur amonitët sulmuan Izraelin, pleqësia e Gileadit shkoi për të marrë Jeftahun në vendin e Tobit. Ata i thanë Jeftahut: «Eja e bëhu prijësi i ushtrisë sonë, për të luftuar me amonitët». Jeftahu i tha pleqësisë së Gileadit: «A nuk ishit ju ata që më urryet e më zbuat nga shtëpia e tim eti? Përse keni ardhur tek unë tani që keni rënë ngushtë?». Pleqësia e Gileadit i tha: «Kemi ardhur tani te ti, që të vish me ne e të luftosh kundër amonitëve e të bëhesh prijësi i të gjithë banorëve të Gileadit». Jeftahu i tha pleqësisë së Gileadit: «Nëse më ktheni për të luftuar kundër amonitëve dhe nëse ZOTI m'i dorëzon, do të bëhem prijësi juaj». Pleqësia e Gileadit i tha: «ZOTI do të jetë dëshmitar mes nesh, se do të bëjmë siç the». Atëherë Jeftahu shkoi bashkë me pleqësinë e Gileadit dhe populli e caktoi si prijës e sundues. Jeftahu i përsëriti në Micpah para ZOTIT të gjitha fjalët që pati thënë më parë. Jeftahu i dërgoi lajmëtarë mbretit të amonitëve e i tha: «Çfarë ke me mua, që ke ardhur për të sulmuar vendin tim?». Mbreti i amonitëve iu përgjigj lajmëtarëve të Jeftahut: «Izraeli mori tokën time kur erdhi nga Egjipti, duke filluar nga Arnoni e deri në Jabok e në Jordan. Tani, na i ktheni këto toka me paqe». Jeftahu i dërgoi përsëri lajmëtarë mbretit të amonitëve e i tha: «Kështu thotë Jeftahu: Izraeli nuk ka marrë as tokën e Moabit e as tokën e amonitëve. Kur izraelitët dolën nga Egjipti, kaluan shkretëtirën deri në detin e Kuq dhe mbërritën në Kadesh. Atëherë i dërguan lajmëtarë mbretit të Edomit e i kërkuan që t'i lejonte të kalonin nëpër tokën e tij, por mbreti i Edomit nuk dëgjoi. I dërguan lajmëtarë edhe mbretit të Moabit, por as ai nuk donte t'i lejonte. Izraelitët u ndalën në Kadesh. Pastaj udhëtuan në shkretëtirë dhe anashkaluan tokat e Edomit e të Moabit. Mbërritën në lindje të tokës së Moabit dhe e ngritën fushimin në anën tjetër të Arnonit, pa hyrë brenda kufijve të Moabit, sepse Arnoni është kufiri i Moabit. Izraelitët i dërguan lajmëtarë Sihonit, mbretit të amoritëve, mbretit të Heshbonit e i kërkuan që t'i lejonte të kalonin nëpër tokën e tij për të shkuar në vendin e tyre. Por Sihoni nuk pati besim tek izraelitët dhe nuk i la të kalonin përmes trojeve të tij. Ai mblodhi tërë popullin e tij dhe e ngriti fushimin në Jahac për të sulmuar Izraelin. Por ZOTI, Perëndia i Izraelit, ia dorëzoi Sihonin dhe tërë popullin e tij izraelitëve. Izraeli i mposhti dhe mori të gjitha tokat e amoritëve që banonin në atë vend. Izraelitët pushtuan gjithë trojet e amoritëve, nga Arnoni deri në Jabok dhe nga shkretëtira deri në Jordan. E tani që ZOTI, Perëndia i Izraelit, i ka dëbuar amoritët para Izraelit, popullit të tij, ti dashke që ta marrësh këtë tokë për vete? A nuk zotëron ti tokën që të dha Kemoshi, perëndia yt? E pra, edhe ne do të zotërojmë gjithçka që na ka dhënë ZOTI, Perëndia ynë. Mos je më i mirë se Balaku, biri i Ciporit, mbreti i Moabit? Ai nuk u grind kurrë me Izraelin e as luftoi kundër tij. Izraelitët kanë treqind vjet që banojnë në Heshbon dhe në fshatrat përreth, në Aroer dhe në fshatrat përreth, si edhe në të gjitha qytetet që ndodhen në brigjet e Arnonit. Përse nuk i keni marrë këto troje gjatë kësaj kohe? Unë s'të kam faj, që të më biesh në qafë duke më shpallur luftë. ZOTI, gjykatësi, vendostë sot drejtësi mes izraelitëve dhe amonitëve». Por mbreti i amonitëve nuk i përfilli fjalët që i tha Jeftahu përmes lajmëtarëve. Atëherë shpirti i ZOTIT e pushtoi Jeftahun. Jeftahu përshkoi Gileadin dhe Manaseun, shkoi në Micpah të Gileadit e prej andej tek amonitët. Jeftahu iu betua ZOTIT e i tha: «Nëse më dorëzon amonitët, i pari që do të dalë nga dyert e shtëpisë sime për të më takuar, kur të kthehem ngadhënjimtar mbi amonitët, do të të përkasë ty dhe do të ta kushtoj si fli shkrumbimi». Kështu, Jeftahu kaloi kufijtë e amonitëve për të luftuar kundër tyre dhe ZOTI ia dorëzoi. I shpartalloi krejt dhe bëri kërdinë nga Aroeri deri në Minit, gjithsej njëzet qytete, e deri në Abel Keramin. Amonitët u mposhtën prej izraelitëve. Jeftahu po kthehej në shtëpi në Micpah, kur, ja, përpara i doli e bija, duke i rënë dajres e duke vallëzuar. Ishte vajza e tij e vetme, se nuk kishte as djem e as vajza të tjera. Jeftahu kur e pa, shqeu rrobat e tha: «Mjerë, o bija ime! Sa po ma thyen shpirtin! Sa fatkeq po më bën! I kam dhënë fjalën ZOTIT e s'mund ta thyej». Ajo i tha: «Ati im, nëse i ke dhënë fjalën ZOTIT, vepro me mua sipas fjalës që ke dhënë, sepse ZOTI të dha fitoren mbi armiqtë e tu, amonitët». Pastaj i tha të atit: «Por, të lutem për një gjë: shtyje për dy muaj, që të shkoj nëpër male me shoqet e mia e të qaj virgjërinë time». Ai i tha të shkonte dhe e la të ikte për dy muaj. Ajo shkoi bashkë me shoqet nëpër male dhe qau për virgjërinë e saj. Pas dy muajsh ajo u kthye tek i ati dhe ai veproi me të sipas fjalës që kishte dhënë. Ajo nuk njohu kurrë burrë. Kështu, u bë zakon në Izrael, që bijat e izraelitëve të shkonin çdo vit për katër ditë për të vajtuar bijën e Jeftahut nga Gileadi.

Gjyqtarët 11:1-40 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Jefteu, galaaditi, ishte një njeri i fortë dhe trim, bir i një prostitute dhe i Galaadit. Bashkëshortja e Galaadit i lindi bij të tjerë; kur bijtë e gruas së tij arritën në moshën madhore, ata e dëbuan Jefteun dhe i thanë: "Ti nuk do të kesh trashëgimi në shtëpinë e atit tonë, sepse je biri i një gruaje tjetër". Atëherë Jefteu iku larg vëllezërve të tij dhe u vendos në vendin e Tobit. Rreth Jefteut u mblodhën njerëz pa asnjë vlerë, që kryenin sulme bashkë me të. Pas një farë kohe bijtë e Amonit i shpallën luftë Izraelit. Kur bijtë e Amonit filluan luftën kundër Izraelit, pleqtë e Galaadit shkuan ta kërkojnë Jefteun në vendin e Tobit; dhe i thanë Jefteut: "Eja me ne dhe bëhu kapedani ynë, për të luftuar kundër bijve të Amonit". Por Jefteu iu përgjigj pleqve të Galaadit duke thënë: "A nuk më keni urryer dhe dëbuar nga shtëpia e atit tim? Pse vini tani tek unë kur jini keq?". Pleqtë e Galaadit i thanë Jefteut: "Pikërisht për këtë jemi kthyer tani te ti, me qëllim që ti të vish me ne për të luftuar kundër bijve të Amonit, dhe të vihesh në krye të gjithë banorëve të Galaadit". Atëherë Jefteu iu përgjigj pleqve të Galaadit: "Në qoftë se më ktheni tek ju për të luftuar kundër bijve të Amonit, dhe Zoti i lë në pushtetin tim, unë do të bëhem komandanti juaj". Pleqtë e Galaadit i thanë Jefteut: "Zoti le të jetë dëshmitar midis nesh, në rast se nuk veprojmë ashtu si ke thënë ti". Pastaj Jefteu shkoi tek pleqtë e Galaadit dhe populli e zgjodhi komandant dhe udhëheqës të tij; dhe Jefteu përsëriti para Zotit në Mitspah tërë fjalët që pati thënë më parë. Pastaj Jefteu i dërgoi lajmëtarë mbretit të bijve të Amonit për t'i thënë: "Çfarë ka midis teje dhe meje, që ti të vish e të bësh luftë në vendin tim?". Mbreti i bijve të Amonit iu përgjigj me këto fjalë lajmëtarëve të Jefteut: "Sepse, kur Izraeli doli nga Egjipti, ai pushtoi vendin tim, nga Arnoni deri në Jabok dhe në Jordan. Tani, pra, m'i kthe këto toka në mënyrë miqësore". Jefteu i dërgoi përsëri lajmëtarë mbretit të bijve të Amonit për t'i thënë: "Kështu thotë Jefteu: Izraeli nuk shtiu në dorë as vendin e Moabit, as vendin e bijve të Amonit; por kur Izraeli doli nga Egjipti dhe kapërceu shkretëtirën deri në Detin e Kuq dhe arriti në Kadesh, i dërgoi lajmëtarë mbretit të Edomit për t'i thënë: "Të lutem më lër të kaloj nëpër vendin tënd"; por mbreti i Edomit nuk pranoi. I dërgoi lajmëtarë edhe mbretit të Moabit, por edhe ky nuk pranoi. Kështu Izraeli mbeti në Kadesh. Duke ecur pastaj nëpër shkretëtirë, shkoi rreth vendit të Edomit dhe vendit të Moabit e arriti në lindje të vendit të Moabit; dhe ngriti kampin e tij matanë Arnonit, pa hyrë të territorin e Moabit, sepse Arnoni përfaqëson kufirin e Moabit. Pastaj Izraeli i dërgoi lajmëtarë Sihonit, mbretit të amorenjve, dhe të Heshbonit, dhe i tha: "Të lutemi, na lër të kalojmë nëpër vendin tënd për të arritur në tonin". Por Sihoni nuk pati besim ta lërë të kalojë Izraelin nëpër territorin e tij; përkundrazi Sihoni i mblodhi gjithë njerëzit e tij të cilët u vendosën në Jahats dhe luftoi kundër Izraelit. Por Zoti, Perëndia i Izraelit e dha Sihonin dhe gjithë njerëzit e tij në duart e Izraelit, që i mundi; kështu Izraeli pushtoi tërë vendin e amorenjve, që banonin në atë krahinë; pushtoi tërë territorin e amorenjve, nga Arnoni në Jabok dhe nga shkretëtira deri në Jordan. Dhe tani që Zoti, Perëndia i Izraelit, ka dëbuar amorenjtë përpara popullit të Izraelit, ti dëshiron të zotërosh vendin e tyre? A nuk zotëron ti atë që Kemoshi, zoti yt, të ka dhënë në zotërim? Kështu edhe ne do të zotërojmë vendin e atyre që Zoti ka dëbuar para nesh. Mos je ti, vallë, më i mirë se Balaku, bir i Tsiporit dhe mbret i Moabit? A pati ndofta mosmarrëveshje me Izraelin, apo i bëri luftë? Kaluan treqind vjet që Izraeli banon në Heshbon dhe në fshatrat e tij përreth, në Aroer dhe në fshatrat e tij përreth dhe në të gjitha qytetet mbi brigjet e Arnonit; pse nuk ja keni marrë gjatë kësaj kohe? Prandaj unë nuk të kam bërë asnjë padrejtësi dhe ti sillesh keq me mua duke më bërë luftë. Zoti, gjyqtari, le të vendosë sot drejtësinë midis bijve të Izraelit dhe bijve të Amonit!". Por mbreti i bijve të Amonit nuk mori parasysh fjalët që Jefteu i kishte dërguar. Atëherë Fryma e Zotit erdhi mbi Jefteun dhe ai kaloi nëpër Galaadin dhe Manasin, arriti në Mitspah të Galaadit dhe që këtej lëvizi kundër bijve të Amonit. Jefteu lidhi një kusht me Zotin dhe tha: "Në rast se ti më jep në duart e mia bijtë e Amonit, çfarë të dalë nga dyert e shtëpisë sime për të më pritur kur të kthehem fitimtar nga bijtë e Amonit, do t'i përkasë Zotit dhe unë do t'ia ofroj si holokaust". Kështu Jefteu marshoi kundër bijve të Amonit për t'u bërë luftë, dhe Zoti ia dha në dorë. Ai i mundi duke bërë një masakër të madhe, nga Aroeri deri në drejtim të Minithit (duke u marrë njëzet qytete) dhe deri në Abel-Keramim. Kështu bijtë e Amonit u poshtëruan përpara bijve të Izraelit. Pastaj Jefteu u kthye në shtëpinë e tij, në Mitspah; dhe ja që i doli për ta pritur e bija me dajre dhe valle. Ajo ishte bija e vetme e tij, sepse ai nuk kishte djem ose vajza të tjera. Sa e pa, grisi rrobat e tij dhe tha: "Oh, bija ime, ti po më bën shumë fatkeq, ti po më sjell mjerim! Unë i kam dhënë fjalën Zotit dhe nuk mund të tërhiqem". Ajo i tha: "O atë, në rast se i ke dhënë fjalën Zotit, vepro me mua sipas fjalëve që kanë dalë nga goja jote, sepse Zoti ta mori hakun me armiqtë e tu, bijtë e Amonit". Pastaj i tha të atit: "Të më lejohet kjo e drejtë: lërmë të lirë dy muaj, në mënyrë që të sillem nëpër male duke qarë virgjërinë time me shoqet e mia". Ai iu përgjigj: "Shko!". Dhe e la të shkonte për dy muaj. Kështu ajo shkoi me shoqet e saj dhe qau ndër male virgjërinë e saj. Mbas dy muajsh ajo u kthye tek i ati; dhe ai veproi me të sipas kushtit që kishte lidhur. Ajo nuk kishte njohur burrë. Kështu u bë zakon në Izrael që bijat e Izraelit të shkojnë çdo vit e të qajnë bijën e Jefteut, galaaditit, katër ditë me radhë.