Jakobit 5:13-20
Jakobit 5:13-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
A vuan ndonjë prej jush? Le të lutet! A është ndonjë i gëzuar? Le të këndojë psalme! A është ndonjë nga ju i sëmurë? Le të thërrasë pleqtë e kishës që të luten për të e ta lyejnë me vaj në emër të Zotit. Lutja me besim do ta shërojë atë që lëngon dhe Zoti do ta mëkëmbë. Nëse ka bërë mëkate, ato do t'i falen. Rrëfejani mëkatet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni. Lutja e të drejtit ka fuqi të madhe! Elia ishte njeri si ne. Ai u lut me gjithë shpirt që të mos binte shi dhe nuk ra shi mbi tokë për tre vjet e gjashtë muaj. Pastaj u lut përsëri dhe qielli dha shi e toka dha frytet e saj. Vëllezërit e mi, nëse ndonjë prej jush largohet nga e vërteta dhe një tjetër e kthen përsëri në besim, duhet ta dini se ai që kthen një mëkatar nga udha e mashtrimit, ia shpëton shpirtin nga vdekja dhe atij vetë do t'i falen shumë mëkate.
Jakobit 5:13-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
A vuan ndonjë nga ju? Le të lutet. A është i gëzuar ndokush? Le të këndojë psalme! A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit, dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t'i falen. Rrëfejani fajet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni; shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt. Elia ishte një njeri njësoj si ne me pasione, dhe u lut duke kërkuar që të mos binte shi, edhe nuk ra shi mbi dhe për tre vjet e gjashtë muaj. Dhe u lut përsëri dhe qielli dha shi edhe dheu dha frytin e vet. Vëllezër, në qoftë se ndonjë nga ju del nga rruga e së vërtetës dhe dikush e kthen, le ta dijë se ai që e kthen mëkatarin nga të gabuarit e rrugës së tij, do të shpëtojë një shpirt nga vdekja dhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh.