Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jakobit 4:1-17

Jakobit 4:1-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Nga vijnë luftrat e grindjet mes jush? A nuk vijnë nga epshet që luftojnë në gjymtyrët tuaja? Ju lakmoni, por nuk keni. Pastaj vrisni e keni smirë, por gjë nuk fitoni. Grindeni e luftoni, por nuk keni, se nuk kërkoni nga Perëndia. Kërkoni e nuk merrni, sepse kërkoni me qëllim të keq, që t'i përdorni për epshet tuaja. O njerëz të pafe! A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai që dëshiron të jetë mik me botën, bëhet armik me Perëndinë. Mos vallë pandehni se Shkrimi thotë më kot se shpirti i vendosur nga Perëndia brenda nesh, priret drejt smirës? Por, Perëndia na jep edhe më shumë hir, prandaj thuhet: Perëndia u kundërvihet krenarëve, ndërsa të përulurve u jep hir. Nënshtrojuni Perëndisë, ndërsa djallin kundërshtojeni dhe ai do të largohet nga ju. Afrojuni Perëndisë dhe ai do t'ju afrohet. Pastroni duart, o mëkatarë, dhe pastroni zemrat, o njerëz me dy mendje! Pikëllohuni, vajtoni e qani! E qeshura juaj të kthehet në vajtim dhe gëzimi në trishtim. Përuluni para Zotit dhe ai do t'ju lartësojë. Mos flisni keq për njëri-tjetrin, o vëllezër! Ai që flet keq për vëllanë apo e gjykon atë, flet keq për ligjin dhe e gjykon atë ligj. Nëse gjykon ligjin, nuk je zbatues i këtij ligji, por gjykues i tij. Vetëm njëri është ligjvënësi dhe gjykuesi, ai që mund të shpëtojë apo të çojë në humbje. Po ti, kush je që gjykon të afërtin? Dhe tani më dëgjoni ju që thoni: «Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, do të rrimë atje një vit, do të bëjmë tregti e do të fitojmë». Ju nuk e dini si do të jetë e nesërmja dhe se çfarë është jeta juaj. Ajo është si avulli që duket për pak kohë dhe pastaj zhduket. Në vend që të thoni: «Në dashtë Zoti dhe në qofshim gjallë, do të bëjmë këtë apo atë gjë», ju mburreni me krenari. Çdo mburrje e tillë është e ligë. Ai që di të bëjë të mirën e nuk e bën, bën mëkat.

Jakobit 4:1-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Nga vijnë luftërat dhe grindjet te ju? A nuk vijnë, nga pasionet që luftojnë ndër gjymtyrët tuaja? Ju lakmoni dhe nuk keni, ju vrisni dhe keni smirë dhe nuk fitoni gjë; ju ziheni dhe luftoni, por nuk keni, sepse nuk kërkoni. Ju kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni keqas që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja. O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që do të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë. Apo pandehni se Shkrimi thotë kot: ''Fryma që rri në ne a lakmon deri në smirë''? Por ai jep hir edhe më të madh; prandaj thotë: ''Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve''. Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju! Afrohuni te Perëndia dhe ai do t'ju afrohet juve; pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe pastroni zemrat o njerëz me dy mendje! Pikëllohuni, mbani zi dhe qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në zi, dhe gëzimi në trishtim. Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t'ju lartësojë! Mos flisni keq për njëri-tjetrin, vëllezër; ai që flet kundër vëllait dhe e gjykon vëllanë e vet, flet kundër ligjit dhe gjykon ligjin; dhe, po të gjykosh ligjin, ti nuk je zbatues i ligjit, por gjykatës. Ka vetëm një Ligjdhënës, që mund të të shpëtojë ose të të çojë në humbje; por ti kush je që gjykon një tjetër? Dhe tani, ju që thoni: ''Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrimë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë'', ndërsa nuk dini për të nesërmen. Sepse ç'është jeta? Është avull që duket për pak, dhe pastaj humbet. Në vend që të thoni: ''Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë''. Ju, përkundrazi, mburreni në arrogancën tuaj; çdo mburrje e tillë është e keqe. Ai, pra, që di të bëjë të mirën edhe nuk e bën, bën mëkat.