Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jakobit 3:1-18

Jakobit 3:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Vëllezërit e mi, mos u bëni shumë prej jush mësues, sepse e dini se do të gjykohemi më ashpër, duke qenë se gabojmë në shumë gjëra. Nëse dikush nuk gabon me fjalë, atëherë ai është njeri i përsosur dhe i aftë për të sunduar gjithë trupin e tij. Ja, kuajve ua vëmë frerët në gojë, që të na binden e t'u drejtojmë të gjithë trupin. Shikoni edhe anijet! Megjithëse janë aq të mëdha e shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon i vogël atje ku dëshiron timonieri. Kështu edhe gjuha është gjymtyrë e vogël, por mund të mburret për gjëra të mëdha. Ja ç'pyll të madh mund të djegë një zjarr i vogël! Gjuha është zjarr e botë padrejtësie. Ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona dhe ndyn gjithë trupin. Ajo e bën shkrumb gjithë rrjedhën e jetës sonë dhe ndizet prej Gehenës. Çdo lloj egërsire e shpendi, zvarraniku e kafshe deti zbutet. Dhe njeriu i ka zbutur. Por gjuhën nuk ka mundur ta zbusë asnjeri. Ajo është një e keqe e papërmbajtshme dhe plot me helm vdekjeprurës. Me të bekojmë Zotin e Atin dhe po me të mallkojmë njerëzit që janë krijuar sipas përngjasimit të Perëndisë. Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezërit e mi, nuk duhet të ndodhë kështu. A mund të dalë nga i njëjti burim ujë i ëmbël dhe i hidhur? O vëllezërit e mi, a mund të prodhojë fiku ullinj apo hardhia fiq? Kështu, as burimi i kripur nuk mund të nxjerrë ujë të ëmbël. Cili nga ju është i urtë e i mençur? Ai le ta tregojë këtë me sjelljen e tij të mirë dhe me veprat e bëra me butësi e me urti. Nëse keni në zemër smirë të hidhur dhe shpirtin e grindjes, mos u mburrni e mos gënjeni kundër së vërtetës. Kjo lloj urtie nuk vjen nga lart, por është tokësore, shqisore e djallëzore. Atje ku ka smirë e grindje, ka trazirë dhe gjithfarë gjërash të liga. Ndërsa urtia që vjen nga lart, së pari është e pastër, pastaj paqësore, e butë, e bindur, plot me mëshirë dhe me fryte të mira, e paanshme e jo hipokrite. Fryti i drejtësisë mbillet paqësisht nga ata që bëjnë paqen.

Jakobit 3:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Vëllezër të mi, mos u bëni shumë mësues, duke ditur se do të kemi një gjykim më të ashpër, sepse të gjithë gabojmë në shumë gjëra. Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur, dhe është gjithashtu i aftë t'i vërë fre gjithë trupit. Ja, u vëmë fre në gojë kuajve, që të na binden, dhe ta drejtojmë kështu gjithë trupin e tyre. Ja, edhe anijet, edhe pse janë shumë të mëdha dhe shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon shumë i vogël, atje ku do timonieri. Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh. Ja, një zjarr i vogël ç'pyll të madh djeg! Edhe gjuha është një zjarr, një botë paudhësie; ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona, gjuha e fëlliq gjithë trupin, ndez ecjen e natyrës dhe ndizet nga Gehena. Sepse çdo lloj bishash, shpendësh, zvarranikësh e kafshësh të detit mund të zbuten dhe janë zbutur nga natyra njerëzore, kurse gjuhën asnjë nga njerëzit s'mund ta zbusë; është një e keqe e papërmbajtshme, plot me helm vdekjeprurës. Me atë ne bekojmë Perëndinë dhe Atin, dhe me të ne mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shëmbëllimit të Perëndisë. Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezër të mi, nuk duhet të ishte kështu. Mos vallë burimi nxjerr nga e njëjta vrimë ujë të ëmbël e të hidhur? A mundet të prodhojë fiku ullinj, ose hardhia fiq? Kështu asnjë burim nuk mund të japë ujë të kripur dhe të ëmbël. Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të bukur veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë. Por në qoftë se ne zemrën tuaj keni smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës. Kjo nuk është dituri që zbret nga lart, por është tokësore, shtazore, djallëzore. Sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija. Kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite. Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen.