Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jakobit 2:1-26

Jakobit 2:1-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Vëllezërit e mi, mos e përzieni besimin e Zotit tonë të lavdisë, Jezu Krishtit, me dallimet ndërmjet njerëzve. E zëmë se kur mblidheni së bashku, vjen dikush që ka unazë ari e veshje të shtrenjta, si edhe një i varfër me veshje të vjetra. Nëse tregoni kujdes të veçantë për atë që ka veshur rrobat e shtrenjta e i thoni: «Ti ulu këtu në vendin e mirë!», ndërsa të varfrit i thoni: «Ti rri në këmbë atje ose ulu këtu te këmbët e mia!», a nuk bëni kështu dallime mes jush, duke u bërë gjykatës me mendime të liga? Dëgjoni, vëllezërit e mi të dashur! A nuk i zgjodhi Perëndia të varfrit e botës për t'i bërë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan? Ndërsa ju nuk e nderuat të varfrin. A nuk janë të pasurit ata që ju sundojnë e ju heqin zvarrë nëpër gjyqe? A nuk janë ata që përdhosin emrin e mirë me të cilin jeni quajtur? Nëse zbatoni ligjin e mbretërisë sipas Shkrimit: duaje të afërtin si veten, bëni mirë. Por nëse bëni dallime, bëni mëkat dhe ligji ju dënon si shkelës. Kush e zbaton të gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, bëhet fajtor ndaj të gjithë ligjit. Sepse ai që tha: « Mos bëj tradhti bashkëshortore! », tha edhe: « Mos vrit! ». Nëse nuk bën tradhti bashkëshortore, por vret, atëherë ke shkelur ligjin. Prandaj flisni e veproni si njerëz që do të gjykohen me ligjin e lirisë. Gjykimi do të jetë i pamëshirshëm me atë që nuk ka treguar mëshirë, ndërsa mëshira ngadhënjen mbi gjykimin. Ç'dobi ka, vëllezërit e mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi? Nëse ndonjë vëlla apo motër nuk ka rroba për të veshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm, dhe ndonjë nga ju u thotë: «Shkoni në paqe, ngrohuni e ngopuni!», por nuk u jep atyre gjërat e nevojshme për trupin, ç'dobi ka kjo? Kështu, pra, edhe besimi pa vepra është i vdekur në vetvete. Por, dikush do të thotë: «Ti ke besimin, ndërsa unë kam veprat». Unë i them: «Më trego si mund ta kesh besimin pa vepra dhe unë do të të tregoj besimin nga veprat e mia». Ti beson se ka vetëm një Perëndi? Mirë bën. Edhe djajtë e besojnë dhe dridhen. A do ta kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i padobishëm? A nuk u bë i drejtë nga veprat ati ynë, Abrahami, kur kushtoi birin e tij, Isakun, mbi altar? A e shikon se besimi bashkëveproi me veprat e tij dhe u përsos nëpërmjet tyre? Kështu u përmbush Shkrimi: Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi. Ai u quajt mik i Perëndisë. Pra, e shihni se njeriu bëhet i drejtë nga veprat e jo vetëm nga besimi. Po ashtu edhe lavirja Rahabë. A nuk u bë e drejtë edhe ajo nga veprat kur priti të dërguarit dhe i përcolli nga një rrugë tjetër? Sikurse trupi është i vdekur pa shpirtin, ashtu edhe besimi është i vdekur pa veprat.

Jakobit 2:1-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Vëllezër të mi, mos e kini me anësi besimin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zotit të lavdisë. Sepse në qoftë se në asamblenë tuaj hyn një njeri me një unazë prej ari, me rroba të shkëlqyera, dhe hyn edhe një i varfër me një rrobë të fëlliqur, dhe ju i drejtoni sytë nga ai që vesh rrobën e shkëlqyer dhe i thoni: ''Ti ulu këtu, në vendin e mirë'', dhe të varfrit i thoni: ''Ti rri atje, në këmbë'', ose: ''Ulu këtu, afër stolit të këmbëve të mia'', a nuk bëtë ju një dallim në mes tuaj, duke u bërë kështu gjykatës me mendime të këqija? Dëgjoni, vëllezër të mi shumë të dashur, a nuk i zgjodhi Perëndia të varfrit e botës, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan? Po ju i çnderuat të varfrit! A nuk janë vallë të pasurit ata që ju shtypin, dhe nuk janë këta ata që ju heqin nëpër gjykata? A nuk janë ata që blasfemojnë emrin e lavdishëm që u thirr mbi ju? Në qoftë se ju më të vërtetë e përmbushni ligjin mbretëror sipas Shkrimit: ''Duaje të afërmin tënd si vetveten'', bëni mirë; por në qoftë se bëni preferenca personale, ju kryeni mëkat dhe dënoheni nga ligji si shkelës. Sepse kushdo që e zbaton gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, është fajtor në të gjitha pikat. Sepse ai që ka thënë: ''Mos shkel kurorën'', ka thënë gjithashtu: ''Mos vrit''. Prandaj nëse ti nuk shkel kurorën, por vret, ti je shkelës i ligjit. Prandaj të flisni e të veproni sikurse të duhej të gjykoheshit nga ligji i lirisë, sepse gjyqi do të jetë pa mëshirë për atë që nuk ka treguar mëshirë; dhe mëshira triumfon mbi gjykimin. Ç'dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi? Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm, dhe dikush nga ju u thotë atyre: ''Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni'', dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç'dobi ka? Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s'ka vepra, është i vdekur në vetvete. Po dikush do të thotë: ''Ti ke besimin, dhe unë kam veprat''; më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia. Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen. Po, a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i vdekur? Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar? Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos. Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: ''Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi''; dhe u quajt miku i Perëndisë. Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi. Gjithashtu a nuk u shfajësua edhe Rahabi, kurva, nga veprat, kur i priti të dërguarit dhe i përcolli nga një udhë tjetër? Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur.