Jakobit 1:2-27
Jakobit 1:2-27 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Vëllezërit e mi, gëzohuni kur ndeshni tundime të ndryshme, sepse ju e dini se sprova e besimit tuaj sjell durimin. Kini durim deri në fund, që të jeni të përsosur, të plotë dhe pa asnjë të metë. Nëse dikujt nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia dhe ai do t'i japë, sepse Perëndia u jep të gjithëve me zemërgjerësi dhe pa përçmim, por le të kërkojë me besim dhe pa dyshuar. Kush dyshon, i ngjan valës së detit, që e ngre era dhe pastaj e përplas. Ky njeri të mos pandehë se do të marrë ndonjë gjë nga Zoti, sepse është njeri me dy mendje dhe i paqëndrueshëm në gjithçka që bën. Vëllai i varfër le të krenohet, se do ta lartësojë Perëndia, ndërsa vëllai i pasur se do ta përulë. I pasuri do të shkojë si lulja e barit. Dielli lind dhe nxehtësia e tij e than barin. Lulja e barit vyshket dhe bukuria i zhduket. Kështu do të vyshket edhe i pasuri në gjërat që bën. Lum ai njeri që duron tundimet, sepse, pasi të ketë kaluar sprovën, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Perëndia ua premtoi atyre që e duan. Askush, kur tundohet, të mos thotë: «Jam tunduar nga Perëndia». Perëndia nuk tundohet nga e keqja dhe nuk tundon askënd. Secili tundohet nga lakmia e vet, që e josh dhe e mashtron. Kur lakmia mbarset, pjell mëkatin, ndërsa mëkati që kryhet sjell vdekjen. Vëllezërit e mi të dashur, mos u mashtroni! Çdo e mirë që na është dhënë dhe çdo dhuratë e përsosur vjen nga lart dhe zbret nga Ati i dritave qiellore. Perëndia nuk ndryshon dhe nuk lë hije ndryshimi. Prej vullnetit të tij na dha jetë me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi fryti i parë i krijesave të tij. Vëllezërit e mi të dashur, dijeni se çdo njeri duhet të jetë i gatshëm për të dëgjuar, i ngadaltë për të folur dhe i ngadaltë në zemërim. Zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë. Prandaj hidhni tej çdo ndyrësi e çdo ligësi tjetër dhe me përulësi pranoni fjalën që Perëndia ka mbjellë ndër ju, fjalë e cila mund t'ju shpëtojë shpirtrat. Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues që gënjejnë veten. Sepse nëse dikush është vetëm dëgjues i fjalës dhe jo zbatues i saj, ai i ngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij të vërtetë në pasqyrë, por pasi shihet, ikën e menjëherë harron sesi ishte. Ndërsa ai që e shikon me kujdes ligjin e përsosur të lirisë dhe ngulmon në të, ai që nuk mbetet vetëm një dëgjues që harron, por zbatues i tij, do të jetë i lum në gjithçka që bën. Kush mendon se është fetar dhe nuk i vë fre gjuhës, mashtron veten dhe feja e tij është e kotë. Feja e pastër dhe e panjollë para Perëndisë dhe Atit është kjo: përkujdesja për jetimët e vejushat që janë në vështirësi dhe ruajtja e vetes të pastër nga bota.
Jakobit 1:2-27 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri. Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë. Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t'i jepet. Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era. Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti, sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta. Dhe vëllai më i poshtmë le të madhështohet në lartësimin e tij, dhe i pasuri në uljen e tij, sepse do të shkojë si lule bari. Në fakt si lindi dielli me të nxehtit e tij dhe e thau barin, dhe lulja e tij ra dhe bukuria e pamjes së vet humbi: kështu do të fishket edhe i pasuri në udhët e tij. Lum njeriu që ngulmon në provë, sepse kur del i aprovuar, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Zoti ua premtoi atyre që e duan. Askush kur tundohet të mos thotë: ''Jam tunduar nga Perëndinë'', sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe ai vet nuk tundon asnjeri. Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakminë e vet. Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen. Mos u mashtroni, vëllezërit e mi shumë të dashur; çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi. Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi në një farë mënyre fryti i parë i krijesave të tij. Prandaj, vëllezërit e mi shumë të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim, sepse zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë. Prandaj, hiqni çdo ndyrësi dhe mbeturinë ligësie, pranoni me butësi fjalën e mbjellë në ju, e cila mund të shpëtojë shpirtrat tuaj. Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten. Sepse nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë; ai e shikon veten dhe pastaj ikën, duke harruar menjëherë si ishte. Ndërsa ai që do të shikojë me vëmendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet. Në qoftë se ndokush nga ju mendon se është fetar, edhe nuk i vë fre gjuhës së vet, sigurisht ai e mashtron zemrën e vet, feja e këtij është e kotë. Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota.