Isaia 65:1-25
Isaia 65:1-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Iu përgjigja atyre që nuk më pyetën, më gjetën ata që s'më kërkonin. «Ja ku jam! Ja ku jam!», i thashë një kombi, që emrin tim s'e kishte thirrur. Gjithë ditën ia shtriva dorën një populli të pabindur, që ecën një udhe jo të mirë dhe ndjek synimet e veta, një populli që ma ndez zemërimin, që përherë para syve të mi, kushtojnë fli nëpër kopshte e djegin temjan nëpër tjegulla. Ata ulen nëpër varreza, natën e kalojnë nëpër vende të fshehta, e përlajnë mishin e derrit, pjatat i kanë plot papastërti. «Qëndro larg», thonë, «Mos u afro, se jam më i shenjtë se ti». Këta i kam tym në hundë, zjarr që përvëlon tërë ditën. Ja, e kam të shkruar përpara meje: nuk kam për të heshtur, por do të marr hak, mu në gji të tyre do të marr shpagim, për paudhësitë e tyre dhe të etërve të tyre, thotë ZOTI. Kushtuan temjan nëpër male, nëpër kodra më kanë fyer, mu në gji do t'i peshoj veprat e tyre të hershme. Se kështu thotë ZOTI: siç thuhet për vilen e rrushit, kur është plot me lëng: «Mos e prek, se është plot bekim!», ashtu do të veproj edhe unë, për hir të shërbëtorëve të mi e nuk do të shkatërroj gjithçka. Prej Jakobit do të nxjerr një pinjoll, prej Judës trashëgimtarin e maleve të mia. Atë do të trashëgojnë të zgjedhurit e mi, atje do të banojnë shërbëtorët e mi. Kullotë për tufat do të bëhet Sharoni, mriz për bagëtinë, lugina e Akorit, për popullin tim që do të më kërkojë. Ndërsa ju, që e braktisni ZOTIN, që e harroni malin tim të shenjtë, që Gadit ia shtroni tryezën, që Meniut ia përzieni kupën, ju do t'ju caktoj për shpatën, të gjithë do të gjunjëzoheni prej kërdisë, sepse ju thirra e s'u përgjigjët, fola e nuk dëgjuat, të keqen bëtë para syve të mi, zgjodhët atë që s'më pëlqen. Prandaj, kështu thotë ZOTI, Zoti im: ja, shërbëtorët e mi do të kenë të hanë, ndërsa ju do të keni uri, shërbëtorët e mi do të kenë të pinë, ndërsa ju do të keni etje. Ja, shërbëtorët e mi do të gëzojnë, ndërsa ju do të turpëroheni. Ja, shërbëtorët e mi do të brohorasin prej gëzimit që kanë në zemër, ndërsa ju do të vini kujën prej dhimbjes që keni në zemër e do të vajtoni për shkak të shpirtit të dërrmuar. Ju do të lini pas një emër, me të cilin do të mallkojnë të zgjedhurit e mi: «Të vraftë ZOTI, Zoti im!». Por vetë shërbëtorët e mi me emër tjetër do të thirren. Kush dëshiron të jetë i bekuar në këtë tokë, do të dojë të bekohet prej Perëndisë së vërtetë. Kush betohet në këtë tokë, për Perëndinë e vërtetë do të betohet. Se mundimet e së shkuarës do të harrohen, prej syve të mi do të fashiten. Se, ja, unë po krijoj një qiell të ri e një tokë të re! Gjërat e shkuara më nuk do të kujtohen, në zemrën tënde vend më s'do të kenë. Gëzohuni e ngazëllohuni përgjithmonë me ato që unë po krijoj, se, ja, Jerusalemin gëzim do ta bëj, popullin tim ngazëllim. Do të gëzoj për Jerusalemin, do të ngazëllej për popullin tim. Gjëmë në të nuk do të dëgjohet më e as zë vajtimi. Aty s'do të ketë më foshnjë, që do të jetojë vetëm pak ditë, e as ndonjë të moshuar, që ditët e veta të mos i arrijë, sepse djalosh do të quhet njëqindvjeçari e kush të njëqindtat nuk i mbush i mallkuar do të quhet. Do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbëltojnë vreshta e frytet do t'u hanë. S'do të ndërtojnë që të banojnë të tjerët, s'do të mbjellin që të hanë të tjerët, se populli im do të jetojë gjatë si pema dhe të zgjedhurit e mi do t'i gëzojnë gjatë frytet e punës së duarve të tyre. Mundi nuk do t'u shkojë kot, as do të lindin fëmijë që vdesin shpejt, sepse fara e tyre do të bekohet prej ZOTIT dhe pasardhësit e tyre do të rrinë bashkë me ta. Para se të më thërrasin, unë do t'u përgjigjem, pa mbaruar së foluri, unë do t'i dëgjoj. Ujku e qengji do të kullotin bashkë, luani do të hajë kashtë si demi e dheu do të jetë ushqimi i gjarprit. Dëm më nuk do të bëjnë e as do të vrasin mbi mbarë malin tim të shenjtë, thotë ZOTI.
Isaia 65:1-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Më kanë kërkuar ata që nuk pyesnin për mua, më gjetën ata që nuk më kërkonin. Dhe thashë: "Ja ku jam, ja ku jam" një kombi që nuk thërriste emrin tim. I shtriva tërë ditën duart e mia në drejtim të një populli rebel, që ecën nëpër një rrugë jo të mirë, duke ndjekur mendimet e tij; një popull që vazhdimisht provokon zemërimin tim me pafytyrësi, që ofron flijime në kopshte dhe djeg temjan mbi altarë prej tullash, që rri midis varreve dhe kalon netët në vende sekrete, që ha mish derri dhe ka në enët e tij supa gjërash të neveritshme, që thotë: "Rri për llogari tënde, mos u afro, sepse jam më i shenjtë se ti". Këto gjëra janë për mua një tym në hundë, një zjarr që digjet tërë ditën. "Ja, e tërë kjo është shkruar para meje; unë nuk do të hesht, por do të shpaguaj, po, do të shpaguaj në gji të tyre paudhësitë tuaja dhe paudhësitë e etërve tuaj të gjitha së bashku", thotë Zoti. "Ata kanë djegur temjan mbi male dhe më kanë fyer mbi kodra; prandaj shpërblimin e sjelljes së tyre të kaluar do ta llogaris në gji të tyre". Kështu thotë Zoti: "Ashtu si thuhet kur gjendet lëng në vilën e rrushit: "Mos e prishni, sepse në të ka një bekim", kështu do të bëj unë për hir të shërbëtorëve të mi dhe nuk do të shkatërroj çdo gjë. Unë do të nxjerr nga Jakobi pasardhës dhe nga Juda një trashëgimtar të maleve të mia; të zgjedhurit e mi do të zotërojnë vendin dhe shërbëtorët e mi do të banojnë aty. Sharoni do të bëhet një vathë kopesh dhe lugina e Akorit një vend për çlodhjen e bagëtisë së trashë, për popullin tim që do të më kërkojë. Por ju që braktisni Zotin, që harroni malin tim të shenjtë, që përgatitni një sofër për Gadin dhe mbushni kupën e verës së droguar për Menin, ju caktoj shpatës; do të rrëzoheni të gjithë nga masakra, sepse kur ju thirra nuk dhatë përgjigje, kur ju fola nuk dëgjuat, por keni bërë atë që është e keqe në sytë e mi dhe keni zgjedhur atë që nuk më pëlqen". Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, shërbëtorët e mi do të hanë, por ju do të keni uri; ja, shërbëtorët e mi do të pinë, por ju do të keni etje; ja, shërbëtorët e mi do të gëzohen, por ju do të jeni të shushatur; ja, shërbëtorët e mi do të këndojnë për gëzimin e zemrës së tyre, por ju do të bërtisni për ankthin e zemrës dhe do të ulërini për vuajtjen e frymës. Ju do ta lini emrin tuaj si mallkim të zgjedhurve të mi. Zoti, Zoti, do të bëjë që ti të vdesësh, por do t'u japë shërbëtorëve të tij një emër tjetër. Kështu që ai që do të kërkojë për vete një bekim në vend, do ta bëjë për Perëndinë e së vërtetës, dhe ai që do të betohet në vend do të betohet për Perëndinë e së vërtetës, sepse fatkeqësitë e kaluara do të harrohen dhe do t'u fshihen syve të mi". "Sepse ja, unë krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re, dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mendje. Por ju gëzohuni dhe ngazëllohuni përjetë për atë që krijoj; sepse, ja, unë krijoj Jeruzalemin për kënaqësinë dhe popullin e tij për gëzimin. Do të kënaqem me Jeruzalemin dhe do të gëzohem me popullin tim; në të nuk do të dëgjohet më asnjë zë vaji ose zë klithme. Nuk do të ketë më në të asnjë fëmijë që të jetojë vetëm pak ditë, as plak që nuk plotëson ditët e tij; sepse i riu do të vdesë njëqind vjeç dhe mëkatari që nuk arrin të njëqind vjetët, do të quhet i mallkuar. Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin. Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër; sepse ditët e popullit tim do të jenë si ditët e drurëve; dhe të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre. Nuk do të lodhen më kot dhe nuk do të lindin fëmijë për të përballuar një shkatërrim të papritur, sepse do të jenë pasardhësit e të bekuarve të Zotit dhe trashëgimtarët e tyre bashkë me ata. Dhe do të ndodhë që, para se të më kërkojnë, unë do të përgjigjem; do të jenë akoma duke folur, dhe unë do t'ua plotësoj. Ujku dhe qengji do të kullosin bashkë, luani do të hajë kashtën porsi kau dhe gjarpri do të ushqehet me pluhur. Nuk do të bëjnë më asnjë dëm apo shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë", thotë Zoti.