Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 54:2-13

Isaia 54:2-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Zgjeroje vendin e tendës sate, shtriji pa kursim pëlhurat e banesës sate, zgjati litarët e tendës sate, hunjtë e saj përforcoji, se do të përhapesh në të djathtë e në të majtë, pasardhësit e tu do të zotërojnë kombet, qytetet e shkretuara do t'i popullojnë. Mos ki frikë, se nuk do të turpërohesh, mos u skuq, se nuk do të çnderohesh. Turpin e rinisë do ta harrosh, çnderimin e vejërisë më s'do ta kujtosh. Krijuesi yt do të jetë bashkëshorti yt, ZOT i ushtrive është emri i tij. Shpenguesi yt është i shenjti i Izraelit, Perëndi i mbarë tokës quhet ai. Se si një grua të lënë, të lënduar në shpirt, të thirri ZOTI. «Gruaja e viteve të rinisë a hidhet poshtë?», thotë Perëndia yt. «Për pak kohë të lashë, por nga dhembshuria e madhe po të marr sërish. Kur më shpërtheu zemërimi, e fsheha për një çast fytyrën prej teje, por nga mirësia e amshuar pata dhembshuri për ty», thotë ZOTI, shpenguesi yt. «Si në ditët e Noeut është tani për mua, kur u betova se ujërat e Noeut s'do të vërshonin më mbi tokë. Po ashtu betohem se s'do të zemërohem më me ty e më nuk do të të kërcënoj. Malet mund të tunden vendit e kodrat mund të tranden, por mirësia ime për ty s'do të tundet dhe besëlidhja e paqes sime s'do të trandet», thotë ZOTI që ka dhembshuri për ty. O e pikëlluar, e rrahur prej stuhive, e pangushëlluar! Ja, me gurë të çmuar do të të ndërtoj, themelet e tua mbi safirë do t'i vendos. Muret e tua prej rubini do t'i bëj, portat e tua me gurë berili, gjithë rrethimin tënd me gurë të çmuar. Të gjithë bijtë e tu do të mësojnë prej ZOTIT, e madhe do të jetë paqja e bijve të tu!

Isaia 54:2-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Zgjero vendin e çadrës sate dhe fletët e banesave të tua le të shtrihen pa kursim; zgjati litarët e tu dhe përforco kunjat e tu, sepse do të shtrihesh në të djathtë dhe në të majtë; pasardhësit e tu do të zotërojnë kombet dhe do të popullojnë qytetet e shkretuara. Mos u frikëso, sepse nuk do të ngatërrohesh; mos ki turp, sepse nuk do të skuqesh; do të harrosh madje turpin e rinisë sate dhe nuk do ta kujtosh më çnderimin e vejërisë sate. Sepse krijuesi yt është dhëndri yt; emri i tij është Zoti i ushtrive; Çliruesi yt është i Shenjti i Izraelit, i quajtur Perëndi i tërë tokës. Sepse Zoti të ka thirrur si një grua të braktisur dhe të pikëlluar në frymën e saj, si nusja e rinisë që është përzënë, thotë Perëndia yt. Të kam braktisur për një çast të shkurtër, por me dhembshuri të pamasë do të të mbledh. Në një shpërthim zemërimi të kam fshehur për një çast fytyrën time, por me një dashuri të përjetshme do të kem dhembshuri për ty, thotë Zoti, Çliruesi yt. Për mua ky do të jetë një fakt si ujërat e Noeut; ashtu siç u betova që ujërat e Noeut nuk do të mbulonin më tokën, kështu betohem që nuk do të zemërohem më me ty dhe nuk do të të kërcënoj më. Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhembshuri për ty. O e pikëlluar, e rrahur nga stuhia, e pangushëlluar, unë do të ngallmoj gurët e tu të çmuar në antimon dhe do të të themeloj mbi safirët. Do t'i bëjë bedenat e tu prej rubinësh, portat e tua prej xhevahiri dhe tërë rrethimin tënd prej gurësh të çmuar. Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Zoti dhe e madhe ka për të qenë paqja e bijve të tu.