Isaia 51:1-8
Isaia 51:1-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Më dëgjoni, ju që ndiqni pas drejtësinë, ju që kërkoni ZOTIN, shikoni shkëmbin, prej të cilit u pretë, gropën e gurores, prej së cilës dolët. Shikoni Abrahamin, atin tuaj, dhe Sarën që ju lindi! I vetëm ishte kur e thirra, por e bekova dhe e shtova. Kështu ZOTI do ta ngushëllojë Sionin, do të ngushëllojë të gjitha rrënojat e tij. Shkretëtirën e tij do ta bëjë si Edenin, djerrinën e tij porsi kopshtin e ZOTIT. Në të do të dëgjohen gëzim e hare, falënderime e tinguj këngësh. Dëgjomë me kujdes, o populli im, vëmë vesh, o kombi im! Se prej meje do të dalë ligji, drejtësinë time do ta bëj dritë për popujt. Afër është drejtësia ime, mbërriti shpëtimi im! Krahu im do të gjykojë popujt, ujdhesat tek unë do të shpresojnë, në krahun tim do të shpresojnë. Ngrijini sytë lart në qiell, vështroni tokën poshtë. Qiejt do të davariten si tymi, toka do të vjetrohet si rroba, banorët e saj si vemja do të vdesin. Por shpëtimi im do të mbetet përjetë, drejtësia ime nuk do të thyhet kurrë. Dëgjomëni, pra, ju që e njihni drejtësinë, ti, o popull, që ligjin tim e ke në zemër! Mos kini frikë nga fyerjet e njerëzve, mos u trembni nga sharjet e tyre. Sepse tenja do t'i brejë si rrobën, mola do t'i hajë si leshin. Por drejtësia ime do të mbetet përjetë, shpëtimi im, brez pas brezi.
Isaia 51:1-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dëgjomëni, ju që ndiqni drejtësinë dhe kërkoni Zotin! Shikoni shkëmbin nga i cili jeni prerë dhe gropën e zgafelles prej së cilës keni dalë. Shikoni Abrahamin, atin tuaj, dhe Sarën që ju ka lindur, sepse e thirra kur ishte vetëm. E bekova dhe e shumova. Në fakt Zoti do të ngushëllojë Sionin, do ta ngushëllojë për të gjitha shkatërrimet e tij, do ta bëjë shkretëtirën e tij si Edenin dhe vetminë e tij si kopshtin e Zotit. Do të gjejnë në të gëzim dhe hare, falënderim dhe tinguj këngësh. Kushtomë kujdes, o populli im, dëgjomë, o kombi im, sepse nga unë do të vijë ligji dhe unë do të vendos të drejtën time si dritë e popujve. Drejtësia ime është e afërt, shpëtimi im do të shfaqet dhe krahët e mi do të gjykojnë popujt; ishujt do të kenë shpresë tek unë dhe do të kenë besim në krahun tim. Çoni sytë tuaj drejt qiellit dhe shikoni tokën që ndodhet poshtë, sepse qiejt do të davariten si tym, toka do të konsumohet si një rrobë dhe po kështu banorët e saj do të vdesin; por shpëtimi im do të vazhdojë përjetë dhe drejtësia ime nuk do të mungojë kurrë. Dëgjomëni, o ju që e njihni drejtësinë, o popull, që ka në zemër ligjin tim. Mos kini frikë turpërimin nga njerëzit, as mos u trembni nga fyerjet e tyre të rënda. Sepse tenja do t'i hajë si një rrobe dhe mola do t'i brejë si leshin, por drejtësia ime do të jetë përjetë dhe shpëtimi im brez pas brezi.