Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 43:16-21 - Compare All Versions

Isaia 43:16-21 AL1 (Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK))

Kështu thotë ZOTI, që udhë hapi në det, shteg kalimi mes ujërave të furishme, që bëri të dalin karroca lufte e kuaj, ushtri e luftëtarë trima, që u plandosën e më s'u ngritën, që u shuan e si kandili u fikën: Mos i kujtoni më ngjarjet e shkuara, ndodhitë e qëmoçme mos i mendoni. Ja, po bëj një gjë të re, një gjë që tani po çel! A nuk e shihni? Udhën po hap përmes shkretëtirës, lumenj në vendin e shkretë. Egërsirat do të më japin lavdi, çakejtë e këlyshët e strucit, se ujin çova në shkretëtirë, lumenjtë në vendin e shkretë, që t'i jap për të pirë popullit tim, të zgjedhurit tim, popullit që e krijova për vete e që do të shpallë lavdinë time.

Isaia 43:16-21 ALBB (Bibla Shqip 1994)

Kështu thotë Zoti që hapi një rrugë në det dhe një shteg midis ujërave të fuqishme, që nxori qerre, kuaj dhe një ushtri të fuqishme; ata dergjen të gjithë së bashku dhe nuk do të ngrihen më; janë asgjësuar dhe janë shuar si një kandil. "Mos kujtoni më gjërat e kaluara, mos shqyrtoni më gjërat e lashta. Ja, unë po bëj një gjë të re; ajo do të lëshojë degë; nuk do ta njihni ju? Po, do të hap një rrugë nëpër shkretëtirë, do të bëj që lumenjtë të rrjedhin në vendet e vetmuara. Kafshët e fushave, çakajtë dhe strucët do të më përlëvdojnë, sepse do t'i jap ujë shkretëtirës dhe lumenj vendit të vetmuar për t'i dhënë të pijë popullit tim, të zgjedhurit tim. Populli që kam formuar për vetë do të shpallë lëvdimet e mia.