Isaia 41:17-20
Isaia 41:17-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Skamnorët e nevojtarët kërkojnë ujë, por ujë nuk ka, nga etja gjuha e tyre thahet. Unë, ZOTI, do t'u gjendem, unë, Perëndia i Izraelit, nuk do t'i braktis. Lumenj do të shpërthej prej kodrave të zhveshura, burime ujërash në mes të luginave, shkretëtirën do ta bëj pellg ujërash, tokën e thatë gurrë përrenjsh. Në shkretëtirë do ta mbjell cedrin, akacien, mërsinën e ullirin, në shkretëtirë qiparisin do ta vë, bashkë me vidhin e me bredhin. Kështu, do të shohin e do ta dinë, do ta kuptojnë e do ta marrin vesh tok, se këtë e bëri dora e ZOTIT, këtë e krijoi i shenjti i Izraelit.
Isaia 41:17-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Të mjerët dhe të varfrit kërkojnë ujë, por mungon; gjuha e tyre u është tharë nga etja; unë, Zoti do t'ua plotësoj dëshirën; unë, Perëndia i Izraelit, nuk do t'i braktis. Do të bëj që të dalin lumenj mbi kodrat e zhveshura dhe burime në mes të luginave; do ta bëjë shkretëtirën një liqen uji dhe tokën e thatë burim ujërash. Do të mbjell në shkretëtirë cedrin, akacien, mërsinën dhe ullirin, do të mbjellë në Arabah qiparisin, vidhin dhe bredhin, me qëllim që ta shohin, ta dinë, ta konsiderojnë dhe ta kuptojnë të gjithë tok se dora e Zotit e ka bërë këtë gjë dhe i Shenjti i Izraelit e ka krijuar.