Isaia 16:1-14
Isaia 16:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Dërgojini një qengj sunduesit të vendit, nga Selau i shkretëtirës në malin e bijës së Sionit. Porsi shpendi që rreh krahët, kur e dëbojnë nga foleja, ashtu do të jenë bijat e Moabit, nëpër vatë e Arnonit. Jep këshillë, merr vendim! Në mesditë hijen tënde bëje porsi natën! Fshihi të ikurit, mos i tradhto të arratisurit! Le të gjejnë strehim te ti të dëbuarit e Moabit, ji për ta strehim prej shfarosësit! Se tirani mori fund, shkatërrimi reshti, shtypësi u zhduk prej vendit. Do të ngrihet një fron me themelet në mirësi, me besnikëri do të ulet në tendën e Davidit një gjykatës që do të kërkojë drejtësi, i zellshëm për të dhënë të drejtën. Kemi dëgjuar për krenarinë e Moabit, vërtet shumë krenar, për krenarinë, kryeneçësinë e kokëfortësinë e tij, por madhështia e tij është e kotë. Prandaj Moabi do të vajtojë për Moabin, i gjithi do të shkrihet në vaj, për bukët me rrush të Kir Haresetit, i dëshpëruar kujën do të vërë. Ja, fushat e Heshbonit u shkretuan bashkë me vreshtin e Sibmahut. Sunduesit e kombeve ia shkatërruan shermendet që shtriheshin deri në Jazer, degët nëpër shkretëtirë gjarpëronin e deri përtej detit të Vdekur kalonin. Prandaj, bashkë me vajtuesit e Jazerit vreshtin e Sibmahut do të vajtoj. Do të të përmbyt me lotët e mi, ty, o Heshbon, dhe ty, o Elealeh, se mbi të korrat e mbi të vjelat e tua ra gjëma. U zhduk gëzimi e hareja prej fushave pjellore, nëpër vreshta s'dëgjohet as këngë, as brohori, nuk ka më verë nëpër torqe, nuk ka mbetur kush për ta shtrydhur, britmave të gëzimit u ka ardhur fundi. Prandaj gjithçka përbrenda meje dridhet për Moabin porsi harpa, tërë qenia ime për Kir Heresin. Më kot do të mundohet Moabi, te faltorja në vend të lartë për t'u ngjitur, do të hyjë në shenjtërore për t'u lutur, por nuk do të ketë kurrfarë dobie. Kjo është fjala që tha ZOTI dikur për Moabin. E tani kështu thotë ZOTI: «Brenda tre vjetëve, vitet e një punëtori me mëditje, do të zhduket lavdia e Moabit, me gjithë popullin e tij të shumtë. Do të mbetet vetëm një pakicë e vogël dhe e pafuqishme».
Isaia 16:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
"Dërgojini një qengj sunduesit të vendit, nga Sela në drejtim të shkretëtirës, në malin e bijës së Sionit. Sepse do të ndodhë që në vaun e Arnonit vajzat e Moabit do të jenë si një zog i dëbuar nga foleja. Na jep një këshillë, bëj drejtësi! Bëje hijen tënde si nata, në mes të ditës; fshih ata që janë shpërndarë, mos i tradhto ikanakët. O Moab, lejo që të banojnë pranë teje njerëzit e mi që janë shpërndarë, ji për ta një strehë përballë shkatërruesit. Sepse tirani nuk është më, shkatërrimi ka marrë fund, shtypësit janë zhdukur nga vendi. Atëherë një fron do të jetë i qëndrueshëm në dhembshuri dhe mbi të do të ulet në besnikëri, në çadrën e Davidit, një që do të gjykojë, do ta ushtrojë gjykimin dhe do të jetë i gatshëm të sigurojë drejtësinë". "Kemi dëgjuar të flitet për krenarinë e Moabit, jashtëzakonisht krenar, për fodullëkun e tij, për kryelartësinë e tij, për arrogancën e tij, për mburrjen e tij pa baza". Për këtë Moabi do të bëjë një vajtim për Moabin, të gjithë do të vajtojnë. Ju do të qani të dëshpëruar për pitet me rrush të Kir-Haresethit. Sepse fushat e Heshbonit po meken, po kështu edhe vreshtat e Sibmahut; sunduesit e kombeve kanë shkatërruar bimët e saj më të mira që arrinin deri në Jazer dhe endeshin nëpër shkretëtirë; degët e saj shtriheshin dhe tejkalonin detin. Prandaj me qarjen e Jazerit do të qaj vreshtat e Sibmahut; do të të vadis me lotët e mi, o Heshbon, o Elealeh, sepse mbi frytet e tua të verës dhe mbi të korrat e tua ka rënë një britmë lufte. Gëzimi dhe hareja janë zhdukur nga fusha pjellore; ndër vreshta nuk ka më as këngë, as britma gëzimi; shtrydhësi i rrushit nuk shtrydh më verën ndër voza; unë nuk nxjerr më britma gëzimi. Prandaj të përbrendshmet e mia dridhen për Moabin si një harpë; dhe zemra ime për Kir-Heresin. Dhe do të ndodhë që kur të paraqitet Moabi, dhe të lodhet në vendin e lartë; ai do të hyjë në shenjtëroren e tij për t'u lutur, por nuk do të fitojë asgjë. Kjo është fjala që Zoti i drejtoi dikur Moabit. Por tani Zoti ka folur, duke thënë: "Brenda tre vjetëve, si vitet e një argati me mëditje, lavdia e Moabit do të bjerë e do të përçmohet bashkë me tërë atë turmë të madhe; dhe do të mbetet vetëm një numër shumë i vogël dhe i pafuqishëm".