Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Osea 8:1-14

Osea 8:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Bjeri borisë! Si shqiponja vërtitet mbi shtëpinë e ZOTIT, se e thyen besëlidhjen time, e shkelën ligjin tim. Izraeli më thërret: “Perëndia im, ne të njohim!”. Por, Izraeli e përbuzi të mirën, armiku do ta ndjekë pas. Kurorëzuan mbretër që nuk vinin prej meje. Caktuan prijës që unë nuk i njihja. Bënë idhuj me arin e argjendin e tyre për shfarosjen e vet. I pështirë është viçi yt, o Samari. Zemërimi im u ndez kundër tyre. E pafajshme a do të jesh ndonjëherë? Një mjeshtër prej Izraelit e bëri, ai nuk është Perëndi. Copë e çikë do të bëhet viçi i Samarisë. Mbjellin erë e korrin stuhi. Gruri i tyre kallinj nuk lidh e miell nuk prodhon. E në prodhoftë, të huajt do ta përlajnë. Izraeli u përpi, u bë ndër kombe një enë pa vlerë. U ngjitën në Asiri porsi gomari që i vetëm endet. Ujdi bën Efraimi me dashnorët e vet. Ndonëse bëjnë ujdi me kombet, unë tani do t'i mbledh tok. Do të treten pak nga pak, nën peshën e mbretit të princave. Sa herë Efraimi shton altarët për mëkatet, ato i kthehen në altarë të mëkatshme. Për të i shkrova ligjet e mia të shumta, por të huaja i duken ato. Më kushtojnë flijime e mishin e tyre hanë, por ZOTIT nuk i pëlqejnë. Do t'i kujtojë ai fajet e tyre, mëkatet e tyre do t'i ndëshkojë e në Egjipt ata do të kthehen. E harroi Izraeli krijuesin e vet, pallate mbretërore ai ndërtoi e Juda qytetet e fortifikuara i shtoi. Zjarr do të dërgoj në qytetet e tij, fortesat e tij do t'i përpijë».

Osea 8:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

"Bjeri borisë! Armiku do të vërsulet mbi shtëpinë e Zotit si një shqiponjë, sepse kanë shkelur besëlidhjen time dhe kanë marrë nëpër këmbë ligjin tim. Izraeli do të më bërtasë: "O Perëndia im, ne të njohim!". Izraeli ka hedhur poshtë të mirën, armiku do ta ndjekë. Kanë bërë mbretër disa, por jo sipas dëshirës sime; kanë caktuar krerë, por pa dijeninë time; me argjendin e tyre dhe me arin e tyre kanë bërë idhuj, me qëllim që të shkatërrohen. Ai ka hedhur poshtë viçin tënd, o Samari. Zemërimi im u ndez kundër tyre. Deri kur do të jenë të paaftë për pastërti? Edhe ky viç vjen nga Izraeli; e ka bërë një artizan dhe nuk është një perëndi; prandaj viçi i Samarisë do të bëhet copë-copë. Meqenëse mbjellin erë, do të korrin furtunë. Kërcelli i grurit nuk do të bëjë kalli dhe nuk do të prodhojë grurë; edhe në se do të prodhojë, do ta hanë të huajt. Izraelin po e gllabërojnë; ata janë bërë midis kombeve si një vazo e përçmuar. Sepse janë ngjitur në Asiri, si një gomar i egër që jeton i vetmuar. Efraimi gjeti dashnorë me anë dhuratash. Megjithëse ka gjetur dashnorë midis kombeve, tani unë do t'i mbledh dhe do të fillojnë të pakësohen nën barrën e mbretit të princave. Sepse Efraimi ka shumuar altarët për të mëkatuar, ata janë bërë për të altare mëkati. Kam shkruar për të gjërat e mëdha të ligjit tim, por ato u konsideruan si një gjë e çuditshme. Sa për flijimet që më ofrojnë, ata bëjnë fli mish dhe e hanë; por Zoti nuk i pëlqen. Tani ai do të kujtojë paudhësinë e tyre dhe do të ndëshkojë mëkatet e tyre: ata do të kthehen në Egjipt. Izraeli ka harruar atë që e ka bërë dhe ka ndërtuar pallate; Juda ka shumuar qytetet e fortifikuara; por unë do të dërgoj zjarrin mbi qytetet e tij, i cili do t'i gllabërojë kështjellat e tij".