Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Osea 4:1-19

Osea 4:1-19 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Dëgjojeni fjalën e ZOTIT, o bijtë e Izraelit, ZOTI po ngre padi kundër banorëve të tokës, se nuk ka në tokë as besnikëri, as mirësi e as njohuri për Perëndinë. Mallkimet, mashtrimet, vrasjet, vjedhjet e kurorëshkeljet kanë marrë dhenë, gjaku e gjakderdhjet nuk kanë të sosur. Ndaj toka vajton e tërë banorët e saj mpaken, kafshët e fushës, shpendët e qiellit madje edhe peshqit e detit marrin fund. Por, askush të mos ngrejë padi, askush të mos bëj kallëzim, se padia ime është kundër teje, o prift. Gjatë ditës do të pengohesh, gjatë natës edhe profeti bashkë me ty. Nënën tënde do ta zhbij! Populli im u zhbi prej padijes, se ti e përbuze njohurinë, ndaj dhe unë priftërinë do të ta përbuz. E harrove ligjin e Perëndisë tënd, ndaj dhe unë do t'i harroj bijtë e tu. Sa më shumë shtohen, aq më tepër mëkatojnë kundër meje. Nderin do t'ua kthej në turp. Ushqehen me mëkatin e popullit tim, lakmojnë fajin e tij. Ndaj, edhe priftin si popullin do ta ndëshkoj për udhën që ndoqi, veprat do t'ia shpërblej mirë. Do të hanë, por s'do të ngihen, do të kurvërohen, por s'do të shtohen, se e harruan ZOTIN e iu dhanë kurvërisë. Vera e mushti ia morën mendtë popullit tim. Këshillohet me një copë dru e dëgjon një shkop, se kurvëria e mashtroi, ndaj Perëndinë e vet tradhton. Nëpër maja malesh bëjnë flijime, djegin temjan nëpër kodra, nën dushqe e plepa, nën hijen e këndshme të lisave. Kështu të kurvërohen bijat, shkelin kurorën nuset e tua. Por, bijat nuk do të t'i ndëshkoj për kurvëri, as nuset e tua për kurorëshkelje, sepse ata vetë shkojnë me lavire, me laviret e kultit kushtojnë fli. E populli i pamend rrënohet. O Izrael, nëse kryen kurvëri, mos e bëj edhe Judën me faj! Mos shkoni në Gilgal, mos u ngjitni në Bet Aven, as mos u betoni për ZOTIN e gjallë! Izraeli u bë kokëfortë, porsi lopa kryeneçe, ndaj ZOTI do t'i kullotë si dhentë nëpër livadhe. Lëreni Efraimin, se u lidh pas idhujve! Pijet i shteroi, u harbua e kurvëroi, prijësit e tij të shfrenuar u dashuruan pas turpit. Furtuna do t'i rrëmbejë në krahët e veta, do të turpërohen për flijimet që kryen».

Osea 4:1-19 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dëgjoni fjalën e Zotit, o bij të Izraelit, sepse Zoti ka një konflikt me banorët e vendit: "Nuk ka në fakt as sinqeritet, as mëshirë dhe as njohje të Perëndisë në vend. Nuk bëhet tjetër përveç shpërbetimeve, gënjeshtrave, vrasjeve, vjedhjeve, shkeljeve të kurorës, shkeljeve të çdo kufizimi dhe derdhet gjak mbi gjak. Për këtë shkak vendi do të jetë në zi dhe tërë banorët e tij do të vuajnë, bashkë me kafshët e fushës dhe me shpendët e qiellit; madje edhe peshqit e detit do të eliminohen. Megjithatë askush të mos kundërshtojë, askush të mos qortojë tjetrin, sepse populli yt është si ai që grindet me priftin. Prandaj ti do të pengohesh ditën dhe profeti gjithashtu do të pengohet natën bashkë me ty; dhe unë do të shkatërroj nënën tënde. Populli im vdes për mungesë njohurish. Duke qenë se ti ke refuzuar njohjen, edhe unë do të të refuzoj si prifti im; duke qenë se ti ke harruar ligjin e Perëndisë tënd, edhe unë do të harroj bijtë e tu. Sa më tepër janë shumuar, aq më tepër kanë mëkatuar kundër meje; do ta kthej lavdinë e tyre në turp. Ata ushqehen me mëkatin e popullit tim dhe e lidhin zemrën e tyre me paudhësinë e tij. Si për popullin ashtu do të jetë edhe për priftin: unë do t'i dënoj ata për sjelljen e tyre dhe do t'i shpërblej për veprat e tyre. Do të hanë, por nuk do të ngopen; do të kurvërohen, por nuk do të shtohen; sepse kanë hequr dorë nga dëgjimi i Zotit. Prostitucioni, vera dhe mushti të lënë pa mend. Populli im konsulton idhujt e tij prej druri dhe shkopi i tij i jep udhëzime, sepse fryma e prostitucionit i devijon, dhe ata kurvërohen, duke u shmangur nga Perëndia e tyre. Ata bëjnë flijime mbi majat e maleve, djegin temjan ndër kodra, nën lisin, plepin dhe bafrën, sepse hija e tyre është e këndshme. Prandaj bijat tuaja kurvërohen dhe nuset e bijve tuaj shkelin kurorën. Nuk do t'i dënoj bijat tuaja në se kurvërohen, as nuset e bijve tuaj në se shkelin kurorën, sepse ata vetë veçohen me prostitutat dhe ofrojnë flijime bashkë me prostitutat e tempujve; prandaj njerëzia që nuk ka mend do të vdesë. Në qoftë se ti, Izrael, kurvërohesh, Juda nuk ka faj. Mos shkoni në Gilgal, mos u ngjitni në Beth-Aven dhe mos u betoni duke thënë: "Ashtu si Zoti rron". Sepse Izraeli është kokëfortë si një mëshqerrë kryeneçe, tani Zoti do ta kullotë si një qengj në një vend të hapur. Efraimi u bashkua me idhujt, lëre të veprojë. Edhe kur qejfet e tyre kanë mbaruar, kryejnë vazhdimisht kurvërime; krerët e tyre e duan shumë turpin. Era i ka lidhur në krahët e vet dhe atyre do t'u vijë turp për flijimet e tyre".