Osea 11:1-11
Osea 11:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Kur Izraeli ishte djalë, unë e desha, nga Egjipti e thirra birin tim. Por, sa më shumë i thërrisja aq më shumë iknin tej. Baalëve u flijonin, idhujve u digjnin kem. Unë e mësova Efraimin të ecte, për dore e mbaja unë, por kujdesin tim s'e njohën. I tërhiqja me litarë mirësie, me hallka dashurie, për ta u bëra si ai që zgjedhën heq e ulet për t'i ushqyer. Në tokën e Egjiptit s'do të kthehen, por Asiri do të bëhet mbreti i tyre, se s'deshën të ktheheshin tek unë. Shpata do të vërvitet kundër qyteteve, shulat do t'i shkatërrojë e do t'i përpijë, për faj të shestimeve të tyre. Populli im priret drejt bjerrjes, thërrasin lart, por askush nuk do t'i lartësojë. Si të hiqkam dorë prej teje, o Efraim? Si të të dorëzuakam, o Izrael? Si të të trajtuakam si Admën? Si të të bëkam si Ceboimin? Zemra më përdëllehet, dhembshuria më ndizet flakë. Nuk do ta shfryj zemërimin tim, Efraimin s'do ta shkatërroj sërish, se Perëndi jam unë e jo njeri, i Shenjti në mesin tuaj. I zemëruar nuk do të vij. Porsi luani do të ulërijë ZOTI e ata do ta ndjekin pas. E kur të ulërijë, do të flatrojnë bijtë nga perëndimi. Si trumcaku do të flatrojnë nga Egjipti, porsi pëllumbi nga toka e Asirisë e në shtëpitë e tyre do t'i kthej, kumton ZOTI».
Osea 11:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
"Kur Izraeli ishte fëmijë, unë e desha dhe nga Egjipti thirra birin tim. Sa më shumë i thërrisnin profetët, aq më tepër janë larguar prej tyre, u kanë bërë flijime Baalëve dhe u kanë djegur temjan figurave të gdhendura. Unë vetë i mësova Efraimit të ecë, duke e mbajtur nga krahët; por ata nuk e kuptuan që unë po i shëroja. Unë i tërhiqja me litarë të dashamirësisë njerëzore, me lidhje dashurie; isha për ta si ai që e ngre zgjedhën nga qafa e tyre, dhe përulesha për t'u dhënë të hanë. Izraeli nuk do të kthehet në vendin e Egjipti; por Asiri do të jetë mbreti i tij, sepse nuk kanë pranuar të konvertohen. Shpata do të bjerë mbi qytetet e tij, do të shkatërrojë shufrat e tyre dhe do t'i hajë për shkak të planeve të tyre të këqija. Populli im synon të largohet nga unë; megjithatë e thërresin Shumë të Lartin, asnjë prej tyre nuk e përlëvdon. Si mund të të braktis, o Efraim, ose të të lë në dorë të të tjerëve, o Izrael? Si mund të të bëj si Admahu, ose të të katandis si Tseboimi? Zemra ime ngashërohet brenda meje, dhembshuria ime ndizet e tëra. Nuk do ta shfryj zemërimin tim të zjarrtë, nuk do të shkatërroj përsëri Efraimin, sepse jam një Perëndi dhe jo një njeri, i Shenjti midis teje dhe nuk do të vij me zemërim. Ata do të ndjekin Zotin, që do të vrumbullojë si një luan; kur do të vrumbullojë, bijtë e tij do të rendin drejt tij nga perëndimi duke u dridhur. Do të rendin duke u dridhur si zogjtë nga Egjipti dhe si pëllumbesha nga vendi i Asirisë; unë do t'i bëj të banojnë në shtëpitë e tyre", thotë Zoti.