Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Hebrenjve 8:1-13

Hebrenjve 8:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kryesorja e gjërave që po themi është kjo: kemi një kryeprift të tillë, i cili u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë së madhërishëm në qiej. Ai shërben në shenjtërore dhe në tendën e vërtetë, të cilën e ngriti Zoti e jo njeriu. Çdo kryeprift caktohet për të kushtuar dhurata e flijime. Kështu ishte e nevojshme që edhe kryeprifti ynë të kishte diçka për të kushtuar. Po të ishte Krishti mbi tokë, nuk do të kishte qenë e nevojshme të ishte prift, sepse në tokë ka priftërinj që i kushtojnë dhurata Perëndisë sipas ligjit. Këta priftërinj shërbejnë sipas shembullit dhe hijes së adhurimit qiellor, ashtu siç i tha Perëndia Moisiut kur mendonte të ngrinte tendën: tani, bëj gjithçka sipas gjedhes që t'u tregua në mal. Ndërsa tani Krishtit iu dha një shërbesë më e shquar, sepse ai është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, themeluar në premtime më të mira. Nëse besëlidhja e parë do të ishte pa të metë, atëherë nuk do të ishte nevoja të zëvendësohej me një të dytë. Por Perëndia e qortoi popullin e vet e i tha: ja ku po vijnë ditët, thotë Zoti, kur do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit e me shtëpinë e Judës. Ajo nuk do të jetë si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, ditën kur i mora për dore për t'i nxjerrë nga Egjipti. Ata nuk i qëndruan besnikë besëlidhjes sime, prandaj unë i braktisa, thotë Zoti. Besëlidhja që do të lidh me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti, është kjo: unë do t'i shtie ligjet e mia në mendjen e tyre e do t'i shkruaj në zemrat e tyre. Unë do të jem Perëndia i tyre e ata do të jenë populli im. Askush nuk do të mësojë më tjetrin dhe vëllait të vet askush nuk do t'i thotë më: «Njih Zotin!», se do të më njohin të gjithë, nga më i vogli te i madhi. Unë do të jem i mëshirshëm me paudhësitë e tyre, mëkatet e tyre nuk do t'i kujtoj më. Kur Perëndia tha « besëlidhja e re », ai e vjetroi të parën. Ajo që vjetrohet e plaket është afër zhdukjes.

Hebrenjve 8:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe pika kryesore e atyre gjërave që po themi është kjo: ne kemi një kryeprift të tillë, i cili qëndron në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiejt, shërbenjës i shenjtërores dhe të tabernakullit të vërtetë, të cilin e ngriti Perëndia e jo njeriu. Sepse çdo kryeprift vihet për të ofruar dhurata dhe flijime, prandaj është e nevojshme që edhe ky të ketë diçka që të kushtojë. Po të ishte Ai mbi dhe, nuk do të ishte as prift, sepse ka priftërinj të cilët ofrojnë dhuratat sipas ligjit, që shërbejnë sipas shembullit dhe hijes së gjërave qiellore, ashtu si i qe folur Moisiut, kur po gatitej të ndërtonte tabernakullin: ''Shiko'', tha Ai, ''t'i bësh të gjitha sipas modelit që të qe treguar në mal''. Po tani Krishti mori një shërbesë edhe më të shquar, sepse është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, që bazohet mbi premtime më të mira, sepse, në qoftë se Besëlidhja e parë do të qe e patëmetë, nuk do të qe nevoja të kërkohej vend për një tjetër. Sepse Perëndia, duke i qortuar, thotë: ''Ja po vijnë ditët kur do të bëj një Besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës, jo si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, ditën që i mora për dore për t'i nxjerrë jashtë nga toka e Egjiptit, sepse ata nuk qëndruan besnikë në Besëlidhjen time, dhe unë i braktisa, thotë Zoti. Dhe kjo është besëlidhja që unë do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti: unë do t'i shtie ligjet e mia në mendjet e tyre dhe do t'i shkruaj në zemrat e tyre, dhe do të jem Perëndia e tyre dhe ata do të jenë populli im. Dhe askush nuk do të mësojë më të afërmin e tij, askush vëllanë e vet, duke thënë: "Njih Perëndinë!". Sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri tek më i madhi prej tyre, sepse unë do të jem i mëshirshëm për paudhësitë e tyre dhe nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre''. Duke thënë "një besëlidhje e re", ai e vjetroi të parën; edhe ajo që vjetrohet dhe plaket është afër prishjes.