Zanafilla 8:1-14
Zanafilla 8:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Perëndia u kujtua për Noeun e të gjitha kafshët e egra dhe bagëtitë që ishin me të në arkë. Ai dërgoi një erë mbi tokë e ujërat u ulën. Burimet e humnerës dhe kanatet e qiellit u mbyllën. Shiu nga qielli pushoi. Ujërat sa vinin e tërhiqeshin nga toka dhe pas njëqind e pesëdhjetë ditësh u pakësuan. Në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të shtatë arka u ndal mbi malet e Araratit. Ujërat vazhduan të pakësoheshin deri në muajin e dhjetë. Në ditën e parë të muajit të dhjetë u dukën majat e maleve. Pasi kaluan dyzet ditë, Noeu hapi dritaren e arkës që kishte bërë dhe lëshoi një korb që shkonte e vinte derisa u thanë ujërat mbi tokë. Pastaj lëshoi një pëllumb për të parë nëse ujërat ishin ulur nga faqja e dheut. Por pëllumbi nuk gjeti ku të vinte këmbën e u kthye tek ai në arkë, sepse ujërat mbulonin tërë faqen e tokës. Kështu Noeu zgjati dorën, e kapi dhe e futi në arkë. Pasi priti shtatë ditë të tjera, e lëshoi përsëri pëllumbin nga arka. Pëllumbi erdhi tek ai në mbrëmje, dhe ja, në sqep mbante një gjethe ulliri të sapokëputur. Noeu e kuptoi që ujërat ishin tërhequr nga toka. Pastaj priti edhe shtatë ditë të tjera. E lëshoi edhe një herë pëllumbin dhe ky nuk u kthye më. Në ditën e parë të muajit të parë të vitit gjashtëqind e një, ujërat u thanë nga toka dhe Noeu hoqi mbulesën e arkës. Vështroi dhe, ja, faqja e tokës ishte tharë. Në ditën e njëzet e shtatë të muajit të dytë toka u tha.
Zanafilla 8:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj Perëndisë iu kujtua Noeu, të gjitha gjallesat dhe tërë bagëtia që ishte me të në arkë; dhe Perëndia bëri që të fryjë një erë mbi tokë dhe ujërat e ulën lartësinë e tyre. Burimet e humnerës dhe kataraktet e qiellit u mbyllën dhe shiu nga qielli pushoi. Dhe ujërat vazhduan të tërhiqeshin nga toka; dhe mbas njëqind e pesëdhjetë ditësh ishin pakësuar. Në muajin e shtatë, ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, arka u ndal në malet e Araratit. Dhe ujërat vazhduan të pakësohen deri në muajin e dhjetë. Në muajin e dhjetë, ditën e parë të muajit, u dukën majat e maleve. Kështu, mbas dyzet ditësh, ndodhi që Noeu hapi dritaren që kishte bërë në arkë, dhe nisi jashtë korbin, që vazhdoi të shkojë para dhe prapa, derisa u thanë ujërat mbi tokë. Pastaj lëshoi pëllumbin për të parë në se ujërat ishin pakësuar mbi sipërfaqen e tokës. Por pëllumbi nuk gjeti dot vendin ku të mbështeste këmbën e tij dhe u kthye përsëri në arkë, sepse kishte ende ujëra mbi sipërfaqen e tërë tokës; dhe ai shtriu dorën, e kapi dhe e tërhoqi brenda arkës. Priti atëherë shtatë ditë të tjera, pastaj e dërgoi përsëri pëllumbin jashtë arkës. Dhe pëllumbi u kthye tek ai aty nga mbrëmja; dhe ja, ai kishte në sqep një gjethe ulliri të këputur, të njomë; kështu Noeu kuptoi se ujërat ishin tërhequr nga toka. Atëherë priti shtatë ditë të tjera, pastaj e lëshoi jashtë pëllumbin, por ky nuk u kthye më tek ai. Në vitin e gjashtëqindenjëtë të Noeut, gjatë muajit të parë, në ditën e parë të muajit, ujërat ishin tharë mbi tokë; dhe Noeu e zbuloi arkën, vështroi dhe ja që sipërfaqja e tokës ishte e thatë. Dhe kështu në muajin e dytë, në ditën e njëzet e shtatë të tij, toka ishte e thatë.