Zanafilla 45:1-28
Zanafilla 45:1-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jozefi nuk e përmbajti dot veten para gjithë të pranishmëve e thirri: «Nxirrini të gjithë përjashta!». Kështu, askush nuk ishte me të kur iu dëftua vëllezërve të vet, por Jozefi qau me të madhe, saqë e morën vesh egjiptianët dhe shtëpia e faraonit. Atëherë Jozefi u tha vëllezërve të tij: «Jam Jozefi! A është ende gjallë im atë?». Por vëllezërit, të tmerruar prej Jozefit, nuk ishin në gjendje t'i përgjigjeshin. Ai u tha: «Afrohuni!» dhe ata u afruan. Pastaj u tha: «Jam Jozefi, vëllai që shitët në Egjipt! Mos u shqetësoni e mos u zemëroni me veten tuaj që më shitët këtu, se Perëndia më dërgoi para jush për t'ju shpëtuar. Sepse ky është viti i dytë i zisë mbi tokë, por kanë mbetur edhe pesë vjet të tjerë gjatë të cilëve as nuk do të lërohet, e as nuk do të korret. Perëndia më dërgoi para jush për t'ju mbajtur gjallë mbi tokë e për të shpëtuar shumë prej jush. Prandaj nuk ishit ju që më dërguat këtu, por Perëndia. Ai më bëri atë për faraonit, zot të gjithë shtëpisë së tij e prijës mbi mbarë tokën e Egjiptit. Nxitoni e shkoni tek im atë e i thoni: “Kështu thotë Jozefi, yt bir: Perëndia më bëri zot mbi mbarë Egjiptin. Eja tek unë e mos vono! Do të banosh në tokën e Goshenit e do të jesh pranë meje ti, bijtë e nipërit e tu, dhentë e qetë e tua e gjithçka ke. Atje unë do të kujdesem për ty, që ti, bijtë e tu e gjithçka ke të mos mbaroni, sepse kanë mbetur edhe pesë vjet zi buke”. Me sytë tuaj po e shihni bashkë me Benjaminin, vëllain tim, se unë që po ju flas, jam Jozefi. Tregojini tim eti për gjithë lavdinë që gëzoj në Egjipt e për gjithçka që patë. Nxitoni e ma sillni tim atë këtu». Pastaj e përqafoi Benjaminin, të vëllanë, e qau. Edhe Benjamini qau mbi supin e tij. I puthi të gjithë vëllezërit duke qarë dhe pastaj ata filluan t'i flisnin. Lajmi që kishin ardhur vëllezërit e Jozefit u mor vesh në shtëpinë e faraonit. Kjo gjë i pëlqeu faraonit dhe shërbëtorëve të tij. Atëherë faraoni i tha Jozefit: «Thuaju vëllezërve të ngarkojnë kafshët e të shkojnë në tokën e Kanaanit. Pastaj të marrin me vete atin tuaj e familjet tuaja e të vijnë tek unë. Unë do t'ju jap vendin më të mirë të Egjiptit e ju do të shijoni prodhimet më të mira të vendit. Urdhëroji të marrin me vete edhe qerre nga Egjipti për fëmijët e për gratë e tyre e ta sjellin atin tuaj e të vijnë këtu. Mos t'ju vijë keq për sendet që lënë mbrapa, se të mirat e gjithë Egjiptit do të jenë tuajat». Kështu bënë bijtë e Izraelit dhe Jozefi u dha qerre e ushqime për rrugë, sipas urdhrit të faraonit. Secilit u dha rroba për të veshur, ndërsa Benjaminit i dha treqind sikla argjendi e pesë palë rroba. Të atit i dërgoi dhjetë gomarë të ngarkuar me plot të mira nga Egjipti e dhjetë gomarica të ngarkuara me grurë, bukë e ushqime që t'i kishte për rrugë. Pastaj i përcolli vëllezërit dhe kur po shkonin u tha: «Mos u grindni rrugës!». Ata u larguan nga Egjipti dhe arritën në tokën e Kanaanit, te Jakobi, ati i tyre. I treguan e i thanë: «Jozefi është ende gjallë! Ai është prijës mbi mbarë tokën e Egjiptit!». Por Jakobi u shtang se nuk u besonte. Atëherë ata i treguan gjithçka që u kishte thënë Jozefi dhe kur Jakobi pa qerret që kishte dërguar Jozefi, i erdhi shpirti në vend e tha: «Mjaft! Biri im, Jozefi, qenka ende gjallë! Do të shkoj ta shoh para se të vdes!».
Zanafilla 45:1-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Jozefi nuk e përmbajti dot më veten para tërë të pranishmëve dhe briti: "Nxirrini jashtë të gjithë nga prania ime!". Kështu nuk mbeti asnjëri me Jozefin kur ai u tregoi vëllezërve të tij se kush ishte. Dhe qau aq fort sa që e dëgjuan edhe vetë egjiptasit, dhe ky lajm arriti edhe në shtëpinë e Faraonit. Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Unë jam Jozefi, a është ende gjallë ati im?". Por vëllezërit e tij nuk mund t'i përgjigjeshin, sepse ishin të tronditur thellë në praninë e tij. Atëherë Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Afrohuni, pra, tek unë!". Ata iu afruan dhe ai u tha: "Unë jam Jozefi, vëllai juaj, që ju e shitët që ta çonin në Egjipt. Por tani mos u trishtoni dhe mos t'ju vijë keq që më shitët me qëllim që të çohesha këtu poshtë, sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj. Në fakt u bënë dy vjet që ra zija e bukës në vend; dhe do të ketë pesë vjet të tjera gjatë të cilave as do të lërohet, as do të korret. Por Perëndia më ka dërguar para jush, me qëllim që të ruhet diçka mbi tokë dhe për t'ju shpëtuar jetën me një çlirim të madh. Nuk jeni ju, pra, që më dërguat këtu, por është Perëndia; ai më caktoi si atë i Faraonit, si zot i krejt shtëpisë së tij dhe si qeveritar i tërë vendit të Egjiptit. Nxitoni të riktheheni tek ati im dhe i thoni: "Kështu thotë biri yt Jozefi: Perëndia më ka caktuar si zot i gjithë Egjiptit; zbrit tek unë, mos u vono; ti do të banosh në vendin e Goshenit dhe do jesh afër meje; ti dhe bijtë e tu, bijtë e bijve të tu, kopetë e bagëtive të imta e të trasha dhe gjithçka ti zotëron. Dhe atje unë do të të ushqej, sepse do të ketë edhe pesë vjet të tjera zije, me qëllim që ti të mos katandisesh në mjerim: ti, familja jote dhe gjithçka zotëron". Dhe ja, sytë tuaja dhe sytë e vëllait tim Beniaminit shohin që është goja ime që ju flet. Tregojani, pra, atit tim tërë lavdinë time këtu në Egjipt dhe gjithçka patë, shpejtoni ta sillni atin tim këtu". Pastaj iu hodh në qafë vëllait të tij Beniamin dhe qau, dhe Beniamini qau i shtrënguar në qafën e tij. Ai puthi gjithashtu tërë vëllezërit e tij dhe qau i shtrënguar me ta. Pastaj vëllezërit e tij filluan të flasin me të. Jehona e kësaj ngjarjeje u përhap në shtëpinë e Faraonit dhe njerëzit thanë: "Kanë ardhur vëllezërit e Jozefit". Kjo i pëlqeu Faraonit dhe shërbëtorëve të tij. Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Thuaju vëllezërve të tu: "Bëni këtë: Ngarkoni kafshët tuaja dhe shkoni; kthehuni në vendin e Kanaanit. Pastaj merrni atin tuaj dhe familjet tuaja, dhe ejani tek unë; unë do t'ju jap më të mirat e vendit të Egjiptit dhe do të hani prodhimet më të zgjedhura të vendit". Ti ke urdhrin t'u thuash atyre: "Bëni këtë: Merrni me vete nga vendi i Egjiptit qerre për të vegjlit tuaj dhe për gratë tuaja; merrni atin tuaj dha ejani. Dhe mos u shqetësoni për orenditë shtëpiake, sepse sendet më të mira që ka Egjipti do të jenë tuajat"". Bijtë e Izraelit vepruan kështu, dhe Jozefi u dha atyre qerre, sipas urdhrit të Faraonit, si edhe ushqime për udhëtimin. Të gjithëve u dha një palë rroba për ndërresë për secilin, por Beniaminit i dha treqind sikla argjendi dhe pesë ndërresa veshmbathje; atit të tij i dërgoi: dhjetë gomarë të ngarkuar me gjërat më të mira të Egjiptit, dhjetë gomarica të ngarkuara me grurë, bukë dhe ushqime për atin e tij gjatë udhëtimit. Kështu i nisi vëllezërit e tij dhe, ndërsa ata po iknin, u tha: "Mos u grindni rrugës". Atëherë ata u ngjitën përsëri nga Egjipti dhe arritën në vendin e Kanaanit te Jakobi, ati i tyre. Dhe i kallëzuan gjithçka, duke thënë: "Jozefi është ende gjallë dhe është qeveritari i gjithë shtetit të Egjiptit". Por zemra e atij nuk iu ngroh, sepse nuk u besonte atyre. Po kur ata i treguan tërë fjalët që u kishte thënë Jozefi dhe kur pa qerret që Jozefi kishte dërguar për ta marrë atë, atëherë shpirti i Jakobit atit të tyre, u ringjall dhe Izraeli tha: "Mjaft; djali im Jozefi është ende gjallë; unë do të shkoj ta shoh para se të vdes".