Zanafilla 42:1-17
Zanafilla 42:1-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jakobi pa se kishte grurë në Egjipt e u tha të bijve: «Ç'më shikoni njëri-tjetrin? Dëgjova se në Egjipt ka grurë. Shkoni atje e na blini grurë, që të mbetemi gjallë e të mos vdesim». Kështu, të dhjetë vëllezërit e Jozefit shkuan për të blerë grurë në Egjipt. Por Benjaminin, vëllain e Jozefit, Jakobi nuk e dërgoi me ta, se kishte frikë mos i ndodhte ndonjë gjë e keqe. Kështu, bijtë e Izraelit erdhën për të blerë grurë bashkë me njerëz të tjerë, sepse në tokën e Kanaanit kishte rënë zia e bukës. Jozefi ishte i pari i vendit. Ai i shiste grurë tërë popullit. Atëherë vëllezërit e Jozefit erdhën e iu përkulën me fytyrë përdhe. Jozefi i pa vëllezërit dhe i njohu, por i trajtoi si të huaj e u foli ashpër: «Nga vini?». Ata u përgjigjën: «Vijmë nga toka e Kanaanit për të blerë ushqime». Edhe pse Jozefi i njohu vëllezërit, ata nuk e njohën. Jozefit iu kujtuan ëndrrat që kishte parë dikur për ta. Atëherë u tha: «Jeni spiunë! Keni ardhur të zbuloni vendet e pambrojtura». Por ata i thanë: «Jo, imzot. Shërbëtorët e tu kanë ardhur për të blerë ushqime. Të gjithë ne jemi bijtë e një njeriu. Jemi njerëz të ndershëm. Shërbëtorët e tu nuk janë spiunë». Ai u tha: «Jo! Keni ardhur që të zbuloni vendet e pambrojtura!». Ata i thanë: «Shërbëtorët e tu janë dymbëdhjetë vëllezër, bij të një njeriu nga toka e Kanaanit. Vëllai i vogël është me atin tonë, ndërsa një tjetër nuk është më». Jozefi iu përgjigj: «Është siç ju thashë: ju jeni spiunë! Unë do t'ju vë në provë kështu: pasha jetën e faraonit, ju nuk do të dilni që këtej pa ardhur këtu vëllai juaj i vogël. Dërgoni njërin prej jush të marrë vëllanë tuaj. Të tjerët do të futen në burg, derisa të vërtetohen fjalët tuaja. Nëse jo, pasha faraonin, ju jeni spiunë!». Kështu, i futi në burg për tri ditë.
Zanafilla 42:1-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por Jakobi, pasi mësoi se në Egjipt kishte grurë, u tha bijve të tij: "Pse shikoni njëri-tjetrin?". Pastaj tha: "Ja, dëgjova se në Egjipt ka grurë; shkoni atje poshtë për të blerë grurë për ne, që të mundim të jetojmë dhe të mos vdesim". Kështu dhjetë vëllezërit e Jozefit zbritën në Egjipt për të blerë grurë. Por Jakobi nuk e dërgoi Beniaminin, vëllanë e Jozefit, me vëllezërit e tij, sepse thoshte: "Të mos i ngjasë ndonjë fatkeqësi". Bijtë e Izraelit arritën aty, pra, për të blerë grurë, në mes të të ardhurve të tjerë, sepse në vendin e kanaanenjve mbretëronte zija. Jozefi ishte qeveritari i vendit; ai u shiste grurë tërë njerëzve të vendit; dhe vëllezërit e Jozefit erdhën dhe u përulën para tij me fytyrën për tokë. Jozefi pa vëllezërit e tij dhe i njohu, por u soll me ta si një i huaj dhe përdori fjalë të ashpra me ta, duke u thënë: "Nga vini?". Ata u përgjigjën: "Nga vendi i Kanaanit për të blerë ushqime". Kështu Jozefi njohu vëllezërit e tij, por ata nuk e njohën atë. Atëherë Jozefit iu kujtuan ëndrrat që kishte parë rreth tyre dhe tha: "Ju jeni spiunë! Keni ardhur këtu për të parë pikat e pambrojtura të vendit!". Ata iu përgjigjën: "Jo, zotëria im; shërbëtorët e tu kanë ardhur për të blerë ushqime. Jemi të gjithë bijtë e të njëjtit njeri, jemi njerëz të ndershëm; shërbëtorët e tu nuk janë spiunë". Por ai u tha atyre: "Jo, ju keni ardhur për të parë pikat e pambrojtura të vendit!". Atëherë ata thanë: "Ne, shërbëtorët e tu, jemi dymbëdhjetë vëllezër, bij të të njëjtit njeri nga vendi i Kanaanit. Dhe ja, pra, më i riu është sot me atin tonë, dhe njeri prej tyre nuk është më". Por Jozefi u tha atyre: "Çështja qëndron ashtu siç ju thashë: ju jeni spiunë! Ja si do të viheni në provë: ashtu siç është e vërteta që Faraoni jeton, nuk do të dilni këtej para se vëllai juaj më i vogël të vijë këtu. Dërgoni njërin prej jush të marrë vëllanë tuaj; dhe ju do të qëndroni këtu në burg, që fjalët tuaja të provohen dhe të shihet nëse thoni të vërtetën; përndryshe, ashtu siç është e vërtetë që Faraoni jeton, ju jeni spiunë!". Kështu i futi bashkë në burg për tri ditë.