Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 4:1-16

Zanafilla 4:1-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Adami fjeti me Evën, gruan e tij. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi Kainin, prandaj tha: «Me ndihmën e ZOTIT fitova një njeri!». Pastaj lindi Abelin, vëllanë e tij. Abeli ishte bari dhensh, ndërsa Kaini punonte tokën. Pas njëfarë kohe Kaini i kushtoi ZOTIT nga frytet e tokës. Edhe Abeli i kushtoi nga të parëlindurit e kopesë e nga dhjami i tyre. ZOTI e pa me pëlqim Abelin dhe kushtimin e tij, ndërsa Kainin dhe kushtimin e tij nuk e pa me pëlqim. Kaini u zemërua fort dhe i iku fytyra. ZOTI i tha Kainit: «Përse je zemëruar fort e të ka ikur fytyra? Nëse vepron mirë a nuk do të shihesh me pëlqim? Por, nëse nuk vepron mirë, mëkati të pret te dera, të dëshiron, por ti duhet ta sundosh». Kaini foli me Abelin, të vëllanë; kur u gjendën në fushë Kaini u ngrit kundër Abelit, të vëllait, dhe e vrau. ZOTI i tha Kainit: «Ku është Abeli, vëllai yt?». Ai tha: «Nuk e di. Mos jam rojtari i vëllait tim?!». ZOTI i tha: «Çfarë bëre?! Dëgjo, po më thërret nga toka gjaku i vëllait tënd. Dhe tani mallkuar qofsh nga toka që hapi gojën për të përpirë gjakun e vëllait tënd, derdhur prej dorës sate. Kur të punosh tokën, ajo nuk do të t'i japë më prodhimet e saj. Ikanak e endacak do të jesh mbi tokë». Kaini i tha ZOTIT: «Ndëshkimi im është më i madh nga ç'mund të mbaj. Ja, ti sot më dëbove nga faqja e dheut dhe do të jem i fshehur nga prania jote. Ikanak e endacak do të jem mbi tokë e kushdo që më gjen do të më vrasë». ZOTI i tha: «Jo, se kush vret Kainin, ndaj atij do të merret hak shtatëfish». Dhe ZOTI i vuri një shenjë Kainit, që kushdo që e gjen të mos e vrasë. Kaini u largua nga prania e ZOTIT dhe banoi në tokën e Nodit, në lindje të Edenit.

Zanafilla 4:1-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por Adami njohu Evën, gruan e tij, e cila u ngjiz dhe lindi Kainin, dhe ai tha: "Fitova një burrë nga Zoti". Pastaj lindi Abeli, vëllai i tij. Dhe Abeli u bë bari kopesh, ndërsa Kaini u bë punonjës i tokës. Me kalimin e kohës, Kaini i bëri një ofertë frutash të tokës Zotit; por Abeli i ofroi edhe ai të parëlindurit e kopesë së tij dhe yndyrën e tyre. Dhe Zoti e çmoi Abelin dhe dhuratën e tij, por nuk çmoi Kainin dhe ofertën e tij. Dhe kështu Kaini u pezmatua shumë dhe fytyra e tij mori një pamje të dëshpëruar. Atëherë Zoti i tha Kainit: "Pse je pezmatuar dhe pse fytyra jote është dëshpëruar? Në rast se bën mirë a nuk do të pranohesh? Por në qoftë se bën keq, mëkati po të ruan te porta dhe dëshirat e tij drejtohen ndaj teje; por ti duhet ta sundosh". Dhe Kaini foli me të vëllanë, Abelin; kur u gjendën në fushë, Kaini u ngrit kundër vëllait të tij Abelit dhe e vrau. Atëherë Zoti i tha Kainit: "Ku është vëllait yt Abeli?". Ai u përgjigj: "Nuk e di; mos jam unë rojtari i vëllait tim?". Zoti i tha: "Çfarë ke bërë? Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka. Dhe ti tani je më i mallkuar se toka që hapi gojën për të marrë gjakun e vëllait tënd nga dora jote. Kur të punosh tokën, ajo nuk do të të japë më prodhimet e saj, dhe ti do të jesh një endacak dhe një ikanak mbi tokë". Atëherë Kaini i tha Zotit; "Ndëshkimi im është tepër i madh aq sa unë nuk mund ta duroj. Ja, ti po më dëbon sot nga faqja e këtij dheu dhe do të fshihem nga fytyra jote; dhe do të bëhem endacak dhe ikanak nëpër botë dhe do të ndodhë që të më vrasë kushdo që do të më gjejë". Dhe Zoti i tha: "Prandaj, kushdo që vret Kainin, do të dënohet shtatë herë". Dhe Zoti vuri një shenjë mbi Kainin, me qëllim që kushdo që ta gjente të mos e vriste. Atëherë Kaini u largua nga prania e Zotit dhe banoi në vendin e quajtur Nod, në lindje të Edenit.