Zanafilla 36:1-8
Zanafilla 36:1-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Këta janë pasardhësit e Esaut që quhet edhe Edom: Esau i mori gratë e tij nga bijat e Kanaanit. Ai mori Adën, bijën e Elon Hititit, Oholibamën, bijën e Anahut, mbesën e Cibeon Hivitit dhe Basematën, bijën e Ishmaelit, motrën e Nebajotit. Ada i lindi Esaut Elifazin. Basemata lindi Reuelin. Oholibama lindi Jeushin, Jalamin e Korahun. Këta qenë bijtë e Esaut që i lindën në tokën e Kanaanit. Atëherë Esau mori me vete gratë e tij, bijtë e bijat, gjithë njerëzit e shtëpisë, gjithë bagëtitë e kafshët, gjithë pasurinë që kishte grumbulluar në tokën e Kanaanit e shkoi në një vend tjetër që të ishte larg të vëllait, Jakobit. Pasuria e tyre ishte aq e madhe sa nuk mund të jetonin më bashkë dhe vendi ku banonin nuk i zinte për shkak të bagëtive. Kështu, Esau, që quhet edhe Edom, banoi në malin e Seirit.
Zanafilla 36:1-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Këta janë pasardhësit e Esaut, që është Edomi. Esau i mori gratë e tij nga bijat e kanaanenjve: Adën, e bija e Elonit hiteut, dhe Oholibamahën, e bija e Cibeonit hiveut; dhe Basemathin, e bija e Ismaelit dhe motra e Nebajothit. Ada i lindi Esaut Elifazin; Basemathi lindi Reuelin, kurse Oholibamahu lindi Jeushin, Jalamin dhe Korahin. Këta janë bijtë e Esaut që i lindën në vendin e Kanaanit. Pastaj Esau mori gratë e tij, bijtë dhe bijat e tij, gjithë njerëzit e shtëpisë së tij, kopetë e tij, tërë bagëtinë e tij dhe tërë pasurinë që kishte blerë në vendin e kanaanenjve, dhe shkoi në një vend, larg vëllait të tij Jakob, sepse pasuritë e tyre ishin tepër të mëdha, që ata të mund të banonin bashkë; vendi ku rrinin nuk ishte në gjendje t'i mbante për shkak të bagëtisë së tyre. Kështu Esau u vendos mbi malin e Seirit; Esau është Edomi.