Zanafilla 2:21-25
Zanafilla 2:21-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë ZOTI Perëndi e vuri njeriun në gjumë të thellë. Kur e zuri gjumi, i mori një brinjë e në vend të saj i vuri mish. Me brinjën që mori nga njeriu ZOTI Perëndi bëri gruan dhe e solli te njeriu. Atëherë njeriu tha: «Kjo tani, është kockë prej kockave të mia, mish prej mishit tim. Do të quhet grua, se nga burri ajo u nxor». Prandaj burri do të lërë të atin e të ëmën, do të bashkohet me gruan e vet e do të bëhen një mish. Njeriu me gruan e tij ishin që të dy lakuriq, por nuk kishin turp.
Zanafilla 2:21-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun, të cilin e zuri gjumi; dhe mori një nga brinjët e tij dhe e mbylli mishin në atë vend. Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu. Dhe njeriu tha: "Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri". Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm. Dhe burri e gruaja e tij ishin që të dy lakuriq dhe nuk kishin turp prej kësaj.