Zanafilla 1:1-26
Zanafilla 1:1-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Në fillim Perëndia krijoi qiejt e tokën. Toka ishte e shkretë dhe e zbrazët; një terr mbulonte humnerën dhe shpirti i Perëndisë fluturonte mbi ujërat. Atëherë Perëndia tha: «Le të bëhet drita!». Dhe drita u bë. Perëndia pa se drita ishte e mirë dhe e ndau dritën nga errësira. Perëndia e quajti dritën ditë, ndërsa errësirën e quajti natë. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e parë. Pastaj Perëndia tha: «Le të bëhet një kube mes ujërave e le t'i ndajë ujërat nga ujërat». Perëndia e bëri kubenë dhe i ndau ujërat që ishin nën kube prej ujërave që ishin mbi kube. Dhe kështu u bë. Perëndia e quajti kubenë qiell. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e dytë. Pastaj Perëndia tha: «Le të mblidhen ujërat nën qiell në një vend e le të shfaqet tera». Dhe kështu u bë. Perëndia e quajti terën tokë, ndërsa tërësinë e ujërave i quajti dete. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. Perëndia tha: «Le të prodhojë toka bimësi, bimë me farë, pemë frutore që japin fryte me farë, secila sipas llojit të vet, mbi tokë». Dhe kështu u bë. Toka prodhoi bimësi, bimë me farë sipas llojit të vet e pemë frutore me farë sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e tretë. Perëndia tha: «Le të bëhen ndriçues në kubenë e qiellit që të ndajnë ditën nga nata e të shërbejnë si shenjë për stinë, ditë e vite. Le të shkëlqejnë në kubenë e qiellit e ta ndriçojnë tokën». Dhe kështu u bë. Perëndia bëri dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin më të madh për të zotëruar ditën, ndërsa më të voglin për të zotëruar natën e yjet. Perëndia i vendosi në kubenë e qiellit që të ndriçojnë tokën, të zotërojnë ditën e natën e të ndajnë dritën nga errësira. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e katërt. Pastaj Perëndia tha: «Le të gëlojnë ujërat me një mori qeniesh të gjalla e shpendët le të fluturojnë mbi tokë, në kubenë e qiellit». Perëndia krijoi përbindëshat e mëdhenj të detit, çdo qenie të gjallë që lëviz e që mbush ujërat sipas llojit të vet dhe çdo shpend fluturues sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. Atëherë Perëndia i bekoi e tha: «Shtohuni e shumohuni. Mbushni ujërat e detit dhe shpendët le të shumohen mbi tokë». U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e pestë. Pastaj Perëndia tha: «Le të prodhojë toka qenie të gjalla të çdo lloji: bagëti, zvarranikë e kafshë të egra, secila sipas llojit të vet». Dhe kështu u bë. Perëndia bëri kafshët e egra, bagëtitë e zvarranikët e tokës, secilën sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. Pastaj Perëndia tha: «Le të bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën dhe në përngjasimin tonë e le të sundojë mbi peshqit e detit, mbi shpendët e qiellit, mbi bagëtitë, mbi mbarë tokën e mbi gjithë zvarranikët që zvarriten mbi tokë».
Zanafilla 1:1-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën. Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave. Pastaj Perëndia tha: "U bëftë drita!". Dhe drita u bë. Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira. Dhe Perëndia e quajti dritën "ditë" dhe errësirën "natë". Kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë. Pastaj Perëndia tha: "Le të jetë një kupë qiellore mes ujërave, që t'i ndajë ujërat nga ujërat". Dhe Perëndia krijoi kupën qiellore dhe ndau ujërat që ishin poshtë saj nga ujërat që ishin sipër saj. Dhe kështu u bë. Dhe Perëndia e quajti kupën qiellore "qiell". Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi: dita e dytë. Pastaj Perëndia tha: "Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera". Dhe kështu u bë. Dhe Perëndia e quajti terën "tokë" dhe grumbullimin e ujërave "dete". Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë. Pastaj Perëndia tha: "Të mbijë toka gjelbërimin, barërat të nxjerrin farë dhe drurët frutorë të japin në tokë një frutë që të përmbajë farën e tij, secili sipas llojit të tij". Dhe kështu u bë. Dhe toka prodhoi gjelbërim, barëra që e bënin farën sipas llojit të tyre dhe drurë që mbanin fruta me farën e tyre brenda, secili sipas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë. Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi; dita e tretë. Pastaj Perëndia tha: "Të ketë ndriçues në kupën qiellore për të ndarë ditën nga nata; dhe të shërbejnë si shenja, për të dalluar stinët, ditët dhe vitet; dhe të shërbejnë si ndriçues në kupën qiellore për të ndriçuar tokën". Dhe kështu u bë. Perëndia krijoi pastaj dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin e madh për qeverisjen e ditës dhe ndriçuesin e vogël për qeverisjen e natës; ai krijoi gjithashtu yjet. Dhe Perëndia i vendosi në kupën qiellore për të ndriçuar tokën, për të qeverisur ditën dhe natën dhe për ta ndarë dritën nga errësira. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë. Kështu erdhi mbrëmja dhe erdhi mëngjesi: dita e katërt. Pastaj Perëndia tha: "Të mbushen ujërat nga një numër i madh qeniesh të gjalla dhe të fluturojnë zogjtë lart mbi tokë nëpër hapësirën e madhe të kupës qiellore". Kështu Perëndia krijoi kafshët e mëdha ujore dhe të gjitha gjallesat që lëvizin dhe që mbushin ujërat, secili sipas llojit të vet, e çdo shpend fluturues sipas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë. Dhe Perëndia i bekoi duke thënë: "Të jeni të frytshëm, shumëzoni dhe mbushni ujërat e deteve, e zogjtë të shumëzohen mbi tokë". Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj mëngjesi: dita e pestë. Pastaj Perëndia tha: "Të prodhojë toka qenie të gjalla sipas llojit të tyre: kafshë, rrëshqanorë dhe bisha të tokës, sipas llojit të tyre". Dhe kështu u bë. Dhe Perëndia bëri egërsirat e tokës sipas llojit të tyre, kafshët sipas llojit të tyre dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës sipas llojit të tyre. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë. Pastaj Perëndia tha: "Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe".