Galatasve 3:1-9
Galatasve 3:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
O galatas të marrë, kush jua mori mendtë si me magji juve, para syve të të cilëve Jezu Krishti u përshkrua i kryqëzuar? Vetëm këtë dua të marr vesh prej jush, a e morët Shpirtin falë veprave që kërkon ligji apo falë dëgjesës së besimit? Kaq të marrë qenkeni? Pasi filluat të jetonit në Shpirtin, tani po përfundoni në një jetë sipas trupit njerëzor? Më kot i përjetuat gjithë këto gjëra? A thua vërtet më kot? Ai, pra, që ju jep Shpirtin e vepron me fuqi ndër ju, a mos i bën këto falë veprave që kërkon ligji apo falë dëgjesës së besimit? Kështu Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi. Dijeni, pra, se ata që besojnë janë bij të Abrahamit. Prandaj Shkrimi, duke paraparë se Perëndia do t'i bënte të drejta kombet përmes besimit, ia dha Abrahamit që më parë lajmin e mirë: gjithë kombet do të bekohen në ty. Kështu, ata që besojnë janë të bekuar bashkë me besëtarin Abraham.
Galatasve 3:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
O galatas të marrë! Kush ju ka yshtur që të mos i bindeni së vërtetës, ju, që para syve tuaj Jezu Krishti është përshkruar i kryqëzuar midis jush? Vetëm këtë dua të di nga ju: a e morët Frymën me anë të veprave të ligjit apo nëpërmjet dëgjimit të besimit? A jeni kaq të marrë sa që, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni në mish? A thua hoqët kaq shumë gjëra më kot, nëse kanë qenë vërtetë më kot? Ai që ju jep juve Frymën, dhe kryen midis jush vepra të fuqishme, i bën me anë të veprave të ligjit apo me anë të predikimit të besimit? Kështu Abrahami ''e besoi Perëndinë, dhe kjo iu numërua për drejtësi''; Ta dini, pra, se ata që janë nga besimi janë bij të Abrahamit. Dhe Shkrimi, duke parashikuar se Perëndia do t'i shfajësonte kombet me anë të besimit, ia dha më përpara Abrahamit lajmin e mirë: ''Të gjitha kombet do të bekohen në ty''. Prandaj ata që themelohen mbi besimin bekohen bashkë me të besueshmin Abraham.