Galatasve 2:1-14
Galatasve 2:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pas katërmbëdhjetë vjetësh shkova sërish në Jerusalem me Barnabën e mora me vete edhe Titin. Shkova se kështu më tha Perëndia në një zbulesë dhe u shtjellova ungjillin që predikoj ndër kombet, veçanërisht njerëzve më të shquar, që të mos shkonte kot mundi që kam bërë e po bëj për ju. Edhe Titi, që ishte me mua, megjithëse helen, nuk u detyrua të rrethpritej, pavarësisht vëllezërve të rremë e tinëzarë që kishin hyrë vjedhurazi për të përgjuar lirinë, që kemi përmes Krishtit Jezu, e për të na robëruar. Ne nuk iu nënshtruam këtyre as për një çast, me qëllim që e vërteta e ungjillit të mbetej me ju. Ata që e mbanin veten si më të rëndësishëm, e unë nuk dua t'ia di çfarë ishin, se Perëndia nuk gjykon sipas pamjes së jashtme, nuk i shtuan asgjë predikimit tim. Përkundrazi, ata e kishin parë se ungjilli për të parrethprerët m'u besua mua, sikurse Pjetrit iu besua ungjilli për të rrethprerët. Ai që e bëri Pjetrin apostull për të rrethprerët, më bëri edhe mua apostull për kombet. Jakobi, Pjetri e Gjoni, që njiheshin si shtylla të besimit, duke e njohur hirin që më ishte dhënë, na shtrënguan dorën në shenjë miqësie mua dhe Barnabës, që ne të shkonim ndër kombet e ata ndër të rrethprerët. Veçse na kërkuan të kujtoheshim për të varfrit e tyre, gjë që e kam bërë me këmbëngulje. Por, kur erdhi Pjetri në Antioki, unë e kundërshtova më sy, sepse ishte për t'u qortuar. Para se të vinin disa njerëz nga ana e Jakobit, Pjetri hante bashkë me besimtarë nga kombet, ndërsa, kur erdhën ata, u tërhoq e u nda veçmas prej frikës nga besimtarët e rrethprerë. Edhe judenjtë e tjerë shtireshin bashkë me të, aq sa edhe Barnaba u gënjye nga hipokrizia e tyre. Kur pashë se ata nuk jetonin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit para të gjithëve: «Nëse ti, që je jude, sillesh si kombet e jo si jude, si mund t'i detyrosh besimtarët nga kombet të sillen si judenj?».
Galatasve 2:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj, pas katërmbëdhjetë vjetësh, u ngjita përsëri në Jeruzalem me Barnaban; dhe mora me vete edhe Titin. Dhe u ngjita sipas një zbulese dhe u shtjellova atyre ungjillin që unë po predikoj ndër johebrenjtë, por në mënyrë të veçantë, atyre që kishin më shumë emër, që të mos bridhja ose vrapoja më kot. Por as Titi që ishte me mua, ndonëse ishte Grek, nuk qe shtrënguar që të rrethpritej; edhe kjo për shkak të vëllezërve të rremë, që kishin hyrë tinëz, që kishin depërtuar për të përgjuar lirinë tonë që kemi në Krishtin Jezu, që të na robërojnë. Këtyre ne nuk iu nënshtruam as edhe për një moment, që e vërteta e ungjillit të mbetej e pacenuar te ju. Por nga ana e atyre që gëzonin një farë kredie (nuk ka rëndësi se kush ishin, Perëndia nuk shikon dukjen e njeriut), pra, ata që gëzonin kredinë më të madhe nuk shtuan gjë tek unë. Madje, duke parë se mua m’u besua ungjilli për të parrethprerët, sikurse Pjetrit ai për të rrethprerët, (sepse ai që kishte vepruar në mënyrë të fuqishme në Pjetrin për apostullim tek të rrethprerëve, kishte vepruar në mënyrë të fuqishme edhe në mua për johebrenjtë), duke njohur hirin që m’u dha, Jakobi, Kefa dhe Gjoni, të cilët i konsideronin shtylla, më dhanë mua dhe Barnabas të djathtat e tyre si shenjë shoqërie, që të shkonim ne ndër johebrenjtë dhe ata ndër të rrethprerë. Vetëm na porositën që të kujtoheshim për të varfrit, pikërisht atë që edhe unë e kisha ndërmend ta bëja. Por kur erdhi Pjetri në Antioki, unë e kundërshtova në sy, sepse ishte për t’u qortuar. Në fakt, para se të vinin disa njerëz nga ana e Jakobit, ai hante me johebrenjtë; po, kur erdhën ata, ai u tërhoq dhe u nda, duke druajtur ata të rrethprerjes. Edhe judenj të tjerë shtireshin bashkë me të, aq sa edhe Barnaba u tërhoq nga hipokrizia e tyre. Po kur unë pashë se ata nuk ecnin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit përpara të gjithëve: ''Në qoftë se ti, që je jude, rron porsi johebrenjtë dhe jo si judenjtë, pse i detyron johebrenjtë të rrojnë si judenj?''.