Galatasve 1:11-24
Galatasve 1:11-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Po ju vë në dijeni, o vëllezër, se ungjilli që ju shpalla nuk vjen nga njerëzit. As e mora e as e mësova nga ndonjë njeri, por përmes zbulesës së Jezu Krishtit. Ju keni dëgjuar për sjelljen time të dikurshme në judaizëm, me sa zell e përndiqja kishën e Perëndisë e përpiqesha ta shkatërroja. Në judaizëm unë ua kalova shumë prej bashkëmoshatarëve të kombit tim dhe isha tepër i zellshëm ndaj traditave të etërve të mi. Por, kur Perëndisë, që më ndau veç që në barkun e nënës e më thirri përmes hirit të tij, i pëlqeu të më zbulojë Birin e vet për ta kumtuar ndër kombet, unë menjëherë, pa u këshilluar me njeri e pa shkuar në Jerusalem tek ata që ishin apostuj para meje, shkova në Arabi dhe u ktheva përsëri në Damask. Vetëm tre vjet më vonë shkova në Jerusalem për të takuar Kefën dhe ndenja me të pesëmbëdhjetë ditë, por nuk pashë asnjë nga apostujt e tjerë përveç Jakobit, vëllait të Zotit. Këto gjëra po i shkruaj para Perëndisë e nuk gënjej. Pastaj shkova në krahinat e Sirisë e të Kilikisë, por kishat e Judesë, që besojnë në Krishtin, nuk më njihnin nga afër. E vetmja gjë që kishin dëgjuar është kjo: «Ai që më parë na përndiqte, tani shpall besimin që dikur përpiqej ta shkatërronte». Ata përlëvdonin Perëndinë për mua.
Galatasve 1:11-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tani, o vëllezër, po ju vë në dijeni se ungjilli që është shpallur nga unë, nuk është sipas njeriut, sepse unë nuk e kam marrë as e kam mësuar nga ndonjë njeri, por e kam marrë nëpërmjet një zbulese nga Jezu Krishti. Sepse ju keni dëgjuar për sjelljen time të atëhershme në judaizëm, si e përndiqja me egërsi të madhe kishën e Perëndisë dhe e shkatërroja. Dhe si përparoja në judaizëm më tepër se shumë bashkëkohës të kombit tim, duke qenë jashtëzakonisht i zellshëm për traditat e etërve të mi. Po, kur i pëlqeu Perëndisë, që më kishte ndarë që nga barku i nënës dhe më thirri me anë të hirit të tij, që të zbulojë në mua Birin e tij, që unë t’ua shpall midis paganëve, unë nuk mora menjëherë këshillë nga mishi dhe gjaku, as nuk u ngjita në Jeruzalem tek ata që ishin apostuj përpara meje, por shkova në Arabi dhe u ktheva përsëri në Damask. Pastaj, pas tre vjetësh, u ngjita në Jeruzalem për të takuar Pjetrin dhe ndenja me të pesëmbëdhjetë ditë. Dhe nuk pashë asnjë nga apostujt e tjerë, përveç Jakobit, vëllait të Zotit. Dhe në këto që po ju shkruaj, ja, përpara Perëndisë, nuk gënjej. Pastaj shkova në krahinat e Sirisë dhe të Kilikisë. Por unë personalisht isha i panjohur nga kishat e Judesë, që janë në Krisht, po ato kishin dëgjuar vetëm: “Ai që na persekutonte më përpara, tani po shpall atë besim që ai shkatërronte” dhe përlëvdonin Perëndinë për shkakun tim.