Galatasve 1:1-9
Galatasve 1:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Unë, Pali, që nuk u bëra apostull prej njerëzve, as prej ndonjë njeriu, por nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Perëndisë Atë, që e ngjalli prej të vdekurve, së bashku me të gjithë vëllezërit që janë me mua, po u shkruaj kishave të Galatisë: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë, e nga Zoti Jezu Krisht! Ai u flijua për mëkatet tona, që të na çlironte nga kjo botë e ligë, sipas vullnetit të Perëndisë dhe Atit tonë. Atij i qoftë lavdia, në shekuj të shekujve! Amen! Çuditem sa shpejt po largoheni nga Perëndia, që ju thirri në hirin e Krishtit, e po shkoni drejt një ungjilli tjetër. Ungjill tjetër nuk ka, por ka vetëm disa njerëz që ju turbullojnë e duan të shtrembërojnë ungjillin e Krishtit. Por, edhe sikur dikush nga ne apo një engjëll nga qielli t'ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar ne, qoftë mallkuar. Çfarë ju kemi thënë më parë, po jua them edhe tani: kush t'ju predikojë një ungjill të ndryshëm nga ai që keni pranuar, qoftë mallkuar.
Galatasve 1:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pali, apostull (jo nga njerëzit, as me anë të njeriut, por nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Perëndisë Atit, që e ringjalli prej së vdekurish), dhe gjithë vëllezërit që janë me mua, kishave të Galatisë: Paçi hir e paqe nga Perëndia Ati dhe nga Zoti ynë Jezu Krishti, që e dha veten e tij për mëkatet tona, për të na shpëtuar nga kjo kohë e mbrapshtë, sipas vullnetit të Perëndisë, Atit tonë, i cili pastë lavdi në shekuj të shekujve. Amen. Çuditëm që kaluat kaq shpejt nga ai që ju thirri ju me anë të hirit të Krishtit, në një ungjill tjetër, i cili nuk është tjetër; por ka disa njerëz që ju turbullojnë dhe që duan ta shtrembërojnë ungjillin e Krishtit. Por, edhe sikur ne ose një engjëll i qiellit t'ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar, qoftë i mallkuar. Ashtu si e thamë më përpara, po e them përsëri: Në qoftë se dikush ju predikon një ungjill tjetër nga ai që keni marrë, qoftë i mallkuar.