Ezekieli 8:1-6 - Compare All Versions
Ezekieli 8:1-6 ALBB (Bibla Shqip 1994)
Në vitin e shtatë, në muajin e gjashtë, më pesë të muajit, ndodhi që, ndërsa isha ulur në shtëpinë time dhe pleqtë e Judës ishin ulur përballë meje, dora e Zotit, Zotit, ra në atë vend mbi mua. Unë shikova, dhe ja, një figurë njeriu me pamje zjarri; nga sa i përngjanin ijët e tij nga poshtë dukeshin prej zjarri, dhe nga sa i përngjanin ijët e tij lart dukeshin të shkëlqyera si ngjyra e bronzit inkandeshent. Ai shtriu një formë dore dhe më kapi nga një tufë e flokëve të mi, dhe Fryma më ngriti midis tokës dhe qiellit dhe më çoi në vegime të Perëndisë në Jeruzalem, në hyrje të portës së brendshme që shikon nga veriu, ku ndodhej idhulli i xhelozisë, që shkakton xhelozinë. Dhe ja, atje ndodhej lavdia e Perëndisë të Izraelit, e ngjashme me vegimin që kisha parë në fushë. Pastaj ai më tha: "Bir njeriu, ço tani sytë e tu në drejtim të veriut". Kështu i ngrita sytë drejt veriut dhe ja, në veri të portës së altarit, pikërisht në hyrje, ishte idhulli i xhelozisë. Dhe ai më tha: "Bir njeriu, shikon atë që bëjnë këta, veprimet e rënda të neveritshme që kryen këtu shtëpia e Izraelit dhe që më bëjnë të largohem nga shenjtërorja ime? Por ti do të shikosh veprime edhe më të rënda të neveritshme".
Ezekieli 8:1-6 AL1 (Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK))
Në vitin e gjashtë, në muajin e gjashtë, më pesë të atij muaji, unë isha ulur në shtëpi dhe pleqtë e Judës ishin ulur kundruall meje. Atje ra mbi mua dora e Zotit tim, ZOTIT. Pashë dhe, ja, një shëmbëllim me pamje njeriu. Prej pamjes së ijëve e poshtë dukej si zjarr, ndërsa prej ijëve e sipër dukej si një shkëlqim me pamje vezulluese. Ai shtriu një trajtë dore dhe më kapi nga flokët që më kishin rënë mbi ballë. Atëherë një shpirt më ngriti mes tokës e qiellit e më çoi në Jerusalem, në një vegim hyjnor, te hyrja e portës së brendshme, me pamje nga veriu, ku ishte vendndodhja e idhullit të smirës që e nguc smirën. Dhe, ja, aty gjendej lavdia e Perëndisë së Izraelit, si vegimi që kisha parë në luginë. Dhe më tha: «Bir i njeriut, çoji sytë drejt veriut!». Unë i çova sytë drejt veriut dhe, ja, në veri të portës së altarit, te hyrja, gjendej idhulli i smirës. Pastaj më tha: «Bir i njeriut, a e sheh çfarë po bëjnë ata, pështirësinë e madhe që shtëpia e Izraelit po bën këtu për të më larguar prej shenjtërores? Por do të shohësh sërish pështirësi edhe më të mëdha».