Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 48:1-35

Ezekieli 48:1-35 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Këta janë emrat e fiseve: nga skaji verior, përbri udhës së Hetlonit, deri në Lebo Hamat, deri në Hacar Enan, që është në kufirin verior të Damaskut, përbri Hamatit, nga ana lindore deri në perëndim, Dani ka një pjesë. Në kufi me Danin, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Asheri ka një pjesë. Në kufi me Asherin, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Neftaliu ka një pjesë. Në kufi me Neftaliun, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Manaseu ka një pjesë. Në kufi me Manaseun, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Efraimi ka një pjesë. Në kufi me Efraimin, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Rubeni ka një pjesë. Në kufi me Rubenin, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Juda ka një pjesë. Në kufi me Judën, nga ana lindore deri në anën perëndimore, do të jetë pjesa që do ta ndani më vete, njëzet e pesë mijë kute e gjerë dhe e gjatë sa njëra pjesë nga ana lindore deri në anën perëndimore. Në mes do të jetë shenjtërorja. Pjesa që do të veçoni për ZOTIN do të jetë njëzet e pesë mijë kute e gjatë dhe njëzet mijë e gjerë. Kjo do të jetë pjesa e shenjtë e veçuar për priftërinjtë: njëzet e pesë mijë kute në veri, dhjetë mijë kute e gjerë në perëndim e në lindje dhe njëzet e pesë mijë kute e gjatë në jug. Në mes do të jetë shenjtërorja e ZOTIT. Do t'u përkasë priftërinjve të shenjtëruar, bijve të Cadokut, që e mbajtën porosinë time dhe nuk e lanë udhën, udhën e bijve të Izraelit, siç e lanë levitët. Do t'u takojë si pjesë nga pjesa e vendit më të shenjtë, ngjitur me truallin e levitëve. Levitët, përgjatë kufijve me priftërinjtë, do të kenë njëzet e pesë mijë kute gjatësi me dhjetë mijë gjerësi. Tërë gjatësia do të jetë njëzet e pesë mijë kute dhe tërë gjerësia dhjetë mijë. Nuk do ta shesin, nuk do ta këmbejnë dhe nuk do ta tjetërsojnë pjesën më të mirë të vendit, sepse është e shenjtë për ZOTIN. Teprica, pesë mijë kute gjerësi me njëzet e pesë mijë kute gjatësi, do të mbetet për nevojat e rëndomta të qytetit, për banesa dhe për hapësira. Në mes do të jetë qyteti. Këto do të jenë përmasat: ana veriore, katër mijë e pesëqind kute, ana jugore, katër mijë e pesëqind, ana lindore, katër mijë e pesëqind dhe ana perëndimore, katër mijë e pesëqind. Qyteti duhet të ketë hapësirë të lirë: në veri, dyqind e pesëdhjetë kute; në jug, dyqind e pesëdhjetë; në lindje, dyqind e pesëdhjetë dhe në perëndim, dyqind e pesëdhjetë. Teprica, për së gjati, përgjatë pjesës së shenjtëruar, do të jetë dhjetë mijë kute në lindje e dhjetë mijë në perëndim, përgjatë pjesës së shenjtëruar. Prodhimet e saj do të shërbejnë si ushqim për punëtorët e qytetit. Do ta punojnë punëtorët e qytetit prej të gjitha fiseve të Izraelit. Tërë pjesa do të jetë njëzet e pesë mijë kute me njëzet e pesë mijë. Do ta kushtoni si pjesë të shenjtë në pronësi të qytetit. Teprica nga të dyja anët e pjesës së shenjtë dhe të pronës së qytetit do t'i takojë princit. Do të jetë njëzet e pesë mijë kute nga ana e shenjtë, në kufirin lindor dhe, në perëndim, njëzet e pesë mijë kute e gjatë në kufirin perëndimor, përgjatë pjesëve të tjera. Prona e levitëve dhe prona e qytetit do të jetë në mes të pronës së princit, ndërmjet kufirit të Judës dhe kufirit të Benjaminit. Fiset e tjera: nga ana lindore në anën perëndimore, Benjamini ka një pjesë. Në kufi me Benjaminin, nga ana lindore në anën perëndimore, Simeoni ka një pjesë. Në kufi me Simeonin, nga ana lindore në anën perëndimore, Isahari ka një pjesë. Në kufi me Isaharin, nga ana lindore në anën perëndimore, Zabuloni ka një pjesë. Në kufi me Zabulonin, nga ana lindore në anën perëndimore, Gadi ka një pjesë. Në kufi me Gadin, nga ana jugore, drejt jugut, kufiri shkon nga Tamari tek ujërat e Meribë Kadeshit dhe te vau i detit të madh. Kjo është toka që do t'u ndani me short si trashëgimi fiseve të Izraelit dhe këto janë pjesët e saj, kumton Zoti im, ZOTI. Këto do të jenë daljet e qytetit: në anën veriore, që do ta ketë masën katër mijë e pesëqind kute, tri porta: porta e Rubenit, porta e Judës dhe porta e Levit, pra portat e qytetit të emërtuara sipas fiseve të Izraelit. Në anën lindore, që do ta ketë masën katër mijë e pesëqind kute, tri porta: porta e Jozefit, porta e Benjaminit dhe porta e Danit. Në anën jugore, që do ta ketë masën katër mijë e pesëqind kute, tri porta: porta e Simeonit, porta e Isaharit dhe porta e Zabulonit. Në anën perëndimore, që do ta ketë masën katër mijë e pesëqind kute, tri porta: porta e Gadit, porta e Asherit dhe porta e Neftaliut. Rrethorja do të jetë tetëmbëdhjetë mijë kute. Emri i qytetit nga ajo ditë do të jetë: ZOTI është aty.

Ezekieli 48:1-35 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Këto janë emrat e fiseve: nga kufiri verior, gjatë rrugës së Hethlonit, në hyrje të Hamathit deri në Hatsar-Enon, në kufi me Damaskun në veri drejt Hamathit, nga krahu lindor deri në krahun perëndimor: një pjesë për Danin. Në kufirin e Danit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Asherin; Në kufirin e Asherit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Neftalin. Në kufirin e Asherit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Manasin. Në kufirin e Manasit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Efraimin. Në kufirin e Efraimit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Rubenin. Në kufirin e Rubenit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Judën. Në kufirin e Judës, nga kufiri lindor deri në kufirin perëndimor, do të jetë pjesa e vendit që do ta ofroni si dhuratë, e gjerë njëzet e pesë mijë kubitë dhe e gjatë sa pjesët e tjera, nga kufiri lindor deri në kufirin perëndimor; në mes të saj do të jetë shenjtërorja. Pjesa që do t'i ofroni si dhuratë Zotit do të ketë një gjatësi prej njëzet e pesë mijë kubitë dhe një gjerësi prej dhjetë mijë kubitë. Kjo pjesë e shenjtë do t'u përkasë priftërinjve; njëzet e pesë mijë kubitë gjatësi në veri, dhjetë mijë gjerësi në perëndim, dhjetë mijë gjerësi në lindje dhe njëzet e pesë mijë gjatësi në jug; në mes të saj do të jetë shenjtërorja e Zotit. Ajo do t'u përkasë priftërinjve të shenjtëruar, ndër bijtë e Tsadokut, që më kanë shërbyer dhe që nuk devijuan kur devijuan bijtë e Izraelit, dhe ashtu si devijuan përkundrazi levitët. Pjesa që do t'u ofrohet atyre do të merret nga pjesa e ofruar dhuratë e vendit, një gjë shumë e shenjtë, pranë territorit të levitëve. Përballë territorit të priftërinjve, levitët do të kenë një sipërfaqe prej njëzet e pesë mijë kubitë gjatësi dhe dhjetë mijë gjerësi; tërë gjatësia do të jetë njëzet e pesë mijë kubitë dhe gjerësia dhjetë mijë. Ata nuk do të mund as ta shesin as ta këmbejnë; nuk do të mund ta shkëputin pjesën më të mirë të vendit, sepse është e shenjtë për Zotin. Pesë mijë kubitët e gjerësisë që do të mbeten nga njëzet e pesë mijët, do të caktohen për përdorim profan për qytetin, për banesa dhe për toka për kullotë; qyteti do të jetë në mes. Përmasat e tij do të jenë këto: ana veriore do të jetë katërmijë e pesëqind kubitë, ana jugore katërmijë e pesëqind, ana lindore katërmijë e pesëqind, ana perëndimore katërmijë e pesëqind. Tokat për kullotë të qytetit do të jenë: dyqind e pesëdhjetë kubitë në veri, dyqind e pesëdhjetë në jug, dyqind e pesëdhjetë në lindje dhe dyqind e pesëdhjetë në perëndim. Kusuri i gjatësisë, gjatë pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë, do të jetë dhjetë mijë kubitë në lindje dhe dhjetë mijë në perëndim; ajo do të jetë pranë pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë, dhe prodhimet e saj do të shërbejnë si ushqim për punonjësit e qytetit. Punonjësit e qytetit, që do ta punojnë, do të vijnë nga të gjitha fiset e Izraelit. Gjithë pjesa e ofruar si dhuratë do të jetë njëzet e pesë mijë kubitë për njëzet e pesë mijë, një katror i përsosur. Ju do të ofroni, si zotërim të qytetit, pjesën e shenjtë të ofruar si dhuratë. Kusuri do të jetë i princit; nga njëra anë dhe nga ana tjetër e pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë dhe të zotërimit të qytetit, ballë njëzet e pesë mijë kubitëve të pjesës së ofruar si dhuratë deri në kufirin lindor, dhe në perëndim ballë njëzet e pesë mijë kubitëve në drejtim të kufirit perëndimor përbri pjesëve të fiseve; kjo do të jetë e princit; pjesa e shenjtë e ofruar si dhuratë dhe shenjtërorja do të jenë në mes. Kështu, duke përjashtuar zotërimin e levitëve dhe zotërimin e qytetit që gjenden në mes të asaj që i përket princit, sipërfaqja midis kufirit të Judës dhe kufirit të Beniaminit do t'i përkasë princit. Për kusurin e fiseve, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Beniaminin. Në kufirin e Beniaminit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Simeonin. Në kufirin e Simeonit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Isakarin. Në kufirin e Isakarit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Zabulonin. Në kufirin e Zabulonit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Gadin. Në kufirin e Gadit, nga ana jugore në drejtim të jugut, kufiri do të shkojë nga Tamari në ujërat e Meribahut afër Kadeshit, dhe pastaj gjatë Detit të Madh. Ky është vendi që do t'u ndani me short në trashëgimi fiseve të Izraelit, dhe këto janë pjesët", thotë Zoti, Zoti. "Këto janë daljet e qytetit: nga ana veriore do të maten katërmijë e pesëqind kubitë. Portat e qytetit do të mbajnë emrat e fiseve të Izraelit; në veri do të ketë tri porta: një portë për Rubenin, një portë për Judën dhe një portë për Levin. Nga ana lindore, katërmijë e pesëqind kubitë dhe tri porta: një portë për Jozefin, një portë për Beniaminin dhe një portë për Danin. Nga ana jugore, katërmijë e pesëqind kubitë dhe tri porta: një portë për Simeonin, një portë për Isakarin dhe një portë për Zabulonin. Nga ana perëndimore, katërmijë e pesëqind kubitë dhe tri porta: një portë për Gadin, një portë për Asherin dhe një portë për Neftalin. Gjithë perimetri do të jetë tetëmbëdhjetë mijë kubitë. Prej kësaj ditë emri i qytetit do të jetë: "Zoti është atje"".