Ezekieli 47:1-23
Ezekieli 47:1-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj më çoi te hyrja e tempullit. Dhe ja, prej nënpragut të tempullit dilte ujë drejt lindjes, sepse pamja e tempullit ishte drejt jugut. Uji zbriste nën anën e djathtë të tempullit, nga jugu i altarit. Pastaj më nxori udhës së portës veriore dhe më solli rrotull përjashta, deri te porta e jashtme me pamje drejt lindjes. Ja, uji rridhte në krahun e djathtë. Burri doli drejt lindjes me një litar në dorë dhe mati një mijë kute. Pastaj më bëri të kaloj nëpër ujë. Uji më mbërrinte deri te nyjat. Mati edhe një mijë dhe më bëri të kaloja. Uji më mbërrinte te gjunjtë. Mati edhe një mijë dhe më bëri të kaloja. Uji më mbërrinte në mes. Mati edhe një mijë. U bë një lumë që nuk mund ta kapërceja, se ujërat ishin fryrë. Ishin ujëra të lundrueshme, lumë që nuk mund të kalohej. Pastaj më tha: «Bir i njeriut, a sheh?». Pastaj më ktheu në breg të lumit. Duke u kthyer, pashë një bimësi të madhe në breg të lumit nga njëra anë e nga ana tjetër. Ai më tha: «Këto ujëra rrjedhin drejt trojeve lindore, zbresin në Arabah dhe derdhen në det. Kur derdhen në det, ujërat pastrohen. Kudo që shkon lumi, çdo qenie e gjallë që gëlon do të jetojë. Do të ketë peshk me tepri, sepse ku mbërrijnë ujërat, sjellin shërim dhe, ku mbërrin lumi, do të ketë jetë. Në brigjet e tij do të ketë peshkatarë. Hapësira për të shtrirë rrjetat do të jetë nga En Gedi në Eneglaim. Do të ketë peshk të shumëllojshëm, si peshku i detit të madh. Kënetat dhe gjolet e tij nuk do të shërohen, por do të mbeten për kripë. Përgjatë rrjedhës, në të dyja brigjet, do të rriten të gjitha llojet e pemëve frutore. Gjethet e tyre nuk do të vyshken dhe fryti i tyre nuk do të mbarojë, por do të lidhin fryt çdo muaj, sepse uji i tyre rrjedh nga shenjtërorja. Fryti i tyre do të jetë ushqim dhe gjethet e tyre do të sjellin shërim». Kështu thotë Zoti im, ZOTI: «Këta do të jenë kufijtë e tokës që do të ndani si trashëgimi ndërmjet dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Jozefi do të marrë dy pjesë. Duhet ta ndani në mënyrë të barabartë trashëgiminë që u betova t'ua jepja etërve tuaj. Kjo tokë do t'ju bjerë trashëgim. Këta do të jenë kufijtë e tokës: në anën veriore, nga deti i madh udhës së Hetlonit deri në Lebo Hamat e deri në Cedad, Berotah, Sibraim, që është ndërmjet kufijve të Damaskut e të Hamatit, e deri në Hacerhatikon, në kufi me Havranin. Kufiri do të shkojë nga deti në Hacar Enan, në kufirin verior të Damaskut, me kufirin e Hamatit në veri. Kjo do të jetë ana veriore. Në anën lindore, kufiri do të kalojë ndërmjet Havranit e Damaskut, përgjatë Jordanit prej Gileadit dhe tokës së Izraelit, deri në detin lindor. Kjo do të jetë ana lindore. Në anën jugore, në drejtim të jugut kufiri është nga Tamara deri tek ujërat e Meribë Kadeshit, deri te vau i detit të madh. Kjo do të jetë ana jugore në drejtim të jugut. Në anën perëndimore do të shërbejë si kufi deti i madh deri kundruall Lebo Hamatit. Kjo do të jetë ana perëndimore. Do ta ndani këtë tokë mes jush sipas fiseve të Izraelit. Do t'ju bjerë si pronë për vete dhe për të huajt që banojnë mes jush dhe kanë lindur fëmijë mes jush. Ata do të jenë për ju si bijtë vendas të Izraelit dhe do të marrin trashëgiminë me ju mes fiseve të Izraelit. Në atë fis ku do të banojë ardhacaku, atje do t'ia jepni trashëgiminë, kumton Zoti im, ZOTI».
Ezekieli 47:1-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ai më çoi përsëri në hyrje të tempullit, dhe ja disa ujëra dilnin nga poshtë pragut të tempullit në drejtim të lindjes, sepse fasada e tempullit shikonte nga lindja; ujërat zbrisnin poshtë anës së djathtë të tempullit, në jug të altarit. Pastaj më çoi jashtë nëpërmjet portës veriore dhe më bëri të sillem jashtë deri në portën e jashtme, që shikon nga lindja; dhe ja, ujërat buronin nga ana e djathtë. Burri eci deri drejt lindjes me një litar të hollë në dorë dhe mati njëmijë kubitë; pastaj më bëri të kapërcej ujërat, të cilat më arrinin deri te kyçet e këmbëve. Mati katërmijë kubitë të tjerë, pastaj më bëri të kapërcej ujërat; më arrinin te kyçet e këmbëve. Mati katërmijë kubitë të tjerë, pastaj më bëri të kaloj ujërat: më arrinin deri te ijët. Mati njëmijë kubitë të tjerë: ishte një lumë që nuk mund ta kapërceja, sepse ujërat e tij ishin shtuar; ishin ujëra në të cilat duhet të notoja; një lumë që nuk mund të kapërcehej. Ai më tha: "E pe, bir njeriu?". Pastaj më ktheu përsëri në bregun e lumit. Pas kthimit tim, ja mbi bregun e lumit shumë drurë nga një anë dhe nga ana tjetër. Pastaj më tha: "Këto ujëra drejtohen për në krahinën lindore, zbresin në Arabah dhe do të derdhen në det; me të hyrë në det, ujërat e tij do të shëndoshen. Dhe do të ndodhë që çdo qenie e gjallë që lëviz do të jetojë, kudo që arrin lumi; do të ketë bollëk të madh peshqish, sepse vijnë këto ujëra dhe shëndoshin ujërat e tjera; kudo që arrin lumi gjithçka ka për t'u gjallëruar. Dhe do të ndodhë që në brigjet e tij do të ketë peshkatarë; nga En-Gedi deri në Engeglaim do të jetë një vend ku do të shtrihen rrjetat; peshku i tij do të jetë i po atij lloji dhe në sasi të madhe, si peshku i Detit të Madh. Por kënetat tij dhe moçalet e tij nuk do të shëndoshen; do të lihen për të nxjerrë kripë. Gjatë lumit, mbi të dyja brigjet e tij, do të rritet çdo lloj druri që jep fryte, fletët e tyre nuk do të fishken dhe frytet e tij nuk do të mungojnë kurrë. Do të mbajnë fryte çdo muaj, sepse ujërat e tyre dalin nga shenjtërorja, fryti i tyre do të shërbejë për ushqim dhe fletët e tyre për mjekim". Kështu thotë Zoti, Zoti: "Këta janë kufijtë në bazë të të cilëve ju do ta ndani vendin në trashëgimi midis dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Jozefit do t'i takojnë dy pjesë. Secili prej jush do të trashëgojë një pjesë të barabartë me atë të vëllait të tij, sepse unë e ngrita dorën si betim për t'ua dhënë etërve tuaj. Ky vend do t'ju përkasë si trashëgimi. Këta do të jenë kufijtë e vendit nga ana e veriut: nga Deti i Madh në drejtim të Hethlonit derisa të arrijnë në Tsedad, Hamathi, Berothahi, Sibraimi (që është midis kufirit të Damaskut dhe kufirit të Hamathit), Hatserhatikoni (që është në kufi me Hauranin). Kështu kufiri do të jetë nga deti deri në Hatsarenon, në kufijtë e Damaskut, me kufirin e Hamathit në veri. Kjo është ana veriore. Nga ana lindore do të shtriheni midis Hauranit dhe Damaskut, midis Galaadit dhe vendit të Izraelit, gjatë Jordanit dhe gjatë bregut lindor të detit. Kjo është ana lindore. Ana jugore, në drejtim të jugut, do të shtrihet nga Tamari deri në ujërat e Meribothit të Kadeshit, pastaj gjatë përroit të Egjiptit deri në Detin e Madh. Kjo është ana jugore, në jug. Ana perëndimore do të jetë Deti i Madh, nga kufiri i jugut deri përpara hyrjes së Hamathit. Kjo është ana perëndimore. Do ta ndani kështu këtë vend midis jush, në bazë të fiseve të Izraelit. Do ta ndani me short në trashëgimi midis jush dhe të huajve që banojnë midis jush dhe që u kanë lindur bij në mes tuaj. Këta do të jenë për ju si ata që kanë lindur në vend midis bijve të Izraelit; do të kenë edhe ata me short një trashëgimi në mes të fiseve të Izraelit. Në fisin ku i huaji banon, atje do t'i jepni pjesën e tij", thotë Zoti, Zoti.