Ezekieli 33:1-16
Ezekieli 33:1-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Fjala e ZOTIT m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, fol me bijtë e popullit tënd e thuaju: nëse ngre shpatën kundër një vendi, njerëzit e atij vendi do të marrin një burrë nga brenda kufijve e do ta caktojnë rojtar për ta. Nëse ai e sheh shpatën duke iu sulur vendit dhe i bie borisë për ta lajmëruar popullin, ai që e dëgjon zërin e borisë nuk e përfill lajmin, kur të vijë shpata e ta përlajë, gjaku do t'i bjerë mbi kokën e vet. Ai e dëgjoi zërin e borisë, por nuk e përfilli lajmin. Gjaku do t'i bjerë mbi kokën e vet. Po ta kishte pranuar lajmin, do ta kishte shpëtuar jetën. Por, nëse rojtari e sheh shpatën duke ardhur e nuk i bie borisë dhe populli nuk e merr lajmin, kur të vijë shpata e të përlajë ndonjërin prej tyre, ai do të përlahet për shkak të ligësisë së vet, por gjakun e tij do t'ia kërkoj rojtarit. Ty, bir i njeriut, të kam caktuar rojtar për shtëpinë e Izraelit. Kur të dëgjosh ndonjë fjalë nga goja ime, paralajmëroi nga ana ime. Nëse i them të paudhit: i paudhë, do të vdesësh, por ti nuk flet për ta paralajmëruar që të heqë dorë nga sjellja, ai, i paudhi, do të vdesë për fajin e vet, por gjakun e tij do të ta kërkoj ty. Por, nëse ti e paralajmëron të paudhin të heqë dorë nga sjellja e vet e të pendohet, por ai nuk pendohet, ai do të vdesë për fajin e vet e ti do të shpëtosh. Ti, bir i njeriut, thuaji shtëpisë së Izraelit: “Ju flisni e thoni: shkeljet dhe mëkatet tona ranë mbi ne e po kalbemi në to. Si do të mbetemi gjallë?”. Ti thuaju: pasha jetën time, kumton Zoti im, ZOTI, unë nuk gëzohem me vdekjen e të paudhëve, por që i paudhi të pendohet për sjelljen e vet e të jetojë. Pendohuni, pendohuni për sjelljet tuaja të liga. Pse doni të vdisni, o shtëpia e Izraelit? Ti, o bir i njeriut, thuaju bijve të popullit tënd: të drejtin nuk e shpëton drejtësia e vet, kur ai bën shkelje. I paudhi nuk do të pengohet në paudhësinë e vet, nëse pendohet për paudhësinë e vet. I drejti nuk mund të jetojë falë drejtësisë, nëse mëkaton. Nëse i them të drejtit: “Do të mbetesh gjallë”, por ai, i sigurt për drejtësinë e vet, bën padrejtësi, nuk do t'i kujtohet më asnjë veprim i drejtë, por do të vdesë në padrejtësinë që ka bërë. Nëse i them të paudhit: “Do të vdesësh” dhe ai pendohet për mëkatin e vet dhe bën të drejtën e drejtësinë, kthen pengun, shpaguan vjedhjen, i zbaton rregullat e jetës, jeton pa bërë padrejtësi, ai do të jetojë e nuk do të vdesë. Nuk do t'i kujtohet asnjë nga mëkatet që pati bërë. Ai zbatoi të drejtën e drejtësinë dhe do të jetojë.
Ezekieli 33:1-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: "Bir njeriu, folu bijve të popullit tënd dhe u thuaj atyre: Kur të sjell shpatën kundër një vendi dhe populli i atij vendi merr një burrë nga kufijtë e tij dhe e vë si sogjetar, në rast se e sheh shpatën që vjen kundër vendit, dhe i bie borisë dhe lajmëron popullin, kushdo që dëgjon borinë, por nuk i vë veshin paralajmërimit, në rast se shpata vjen dhe e merr me vete, gjaku i tij do të bjerë mbi kokën e vet. Ai ka dëgjuar zërin e borisë, por nuk i ka vënë veshin paralajmërimit, gjakun e tij do ta ketë mbi vete. Por ai që ka marrë parasysh paralajmërimin, do të shpëtojë jetën e tij. Por në rast se sogjetari sheh shpatën që po vjen dhe nuk i bie borisë për të paralajmëruar popullin, dhe shpata vjen dhe merr me vete ndonjë prej tyre, ky do të çohet tutje për shkak të paudhësisë së tij, por për gjakun e tij do t'i kërkoj llogari sogjetarit. Kështu, o bir njeriu, të kam vendosur si roje për shtëpinë e Izraelit; prandaj dëgjo fjalën e gojës sime dhe i lajmëro nga ana ime. Kur i them të pabesit: "I pabesë, ti do të vdesësh me siguri", dhe ti nuk flet për të paralajmëruar të pabesin që të largohet nga rruga e tij, ai i pabesë do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por për gjakun e tij do t'i kërkojë llogari dorës sate. Por në rast se ti e paralajmëron të pabesin që të largohet nga rruga e tij dhe ai nuk largohet prej saj, ai do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por ti do ta shpëtosh shpirtin tënd. Tani, bir njeriu, i thuaj shtëpisë së Izraelit: Ju thoni kështu: "Në rast se shkeljet tona dhe mëkatet tona janë mbi ne dhe për shkak të tyre vuajmë, si do të mund të jetojmë?". U thuaj atyre: Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë; kthehuni, kthehuni nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit? Prandaj ti, bir njeriu, u thuaj bijve të popullit tënd: Drejtësia e të drejtit nuk do ta shpëtojë atë ditën e mëkatit të tij; po kështu pabesia e të pabesit nuk do ta rrëzojë ditën kur ai të largohet nga pabesia e tij, dhe i drejti nuk do të mund të jetojë për shkak të drejtësisë së tij ditën që do të kryejë mëkate. Kur i them të drejtit që ke për të jetuar me siguri, në rast se ka besim në drejtësinë e vet dhe kryen paudhësinë, tërë veprimet e tij të drejta nuk do të kujtohen më, por ai do të vdesë për shkak të paudhësisë që ka kryer. Përkundrazi, kur i them të pabesit: "Ti me siguri do të vdesësh", në rast se ai largohet nga mëkati i tij dhe kryen atë që është e ndershme dhe e drejtë, në rast se i pabesi kthen pengun, kthen atë që ka vjedhur dhe ecën sipas statuteve të jetës, pa kryer paudhësi, ai me siguri ka për të jetuar, nuk ka për të vdekur. Asnjë nga mëkatet e kryera prej tij nuk do të kujtohet kundër tij; ai ka bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë dhe me siguri ka për të jetuar.