Ezekieli 31:4-9
Ezekieli 31:4-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ujërat e kishin ushqyer, humnera e kishte lartësuar, me lumenjtë që rridhnin rreth dheut ku u mboll, me rrëketë lëshuar kah tërë pemët e fushës. Kështu u ngrit lart mbi pemët e fushës, me degë të zgjatura, me kurorë të dendur, falë ujërave të begata, kur buloi. Ndër degët e tij e vunë folenë të gjithë zogjtë e qiellit; nën degët e tij pollën të gjitha kafshët e fushës; nën hijen e tij u ulën të gjitha kombet e mëdha. Ishte i hijshëm në madhështinë e tij, me degët e gjata, se rrënjët i kishte në ujëra të begata. Cedrat nuk e mbulonin dot në kopshtin e Perëndisë; selvitë nuk përngjanin me kurorën e tij; asnjë pemë në kopshtin e Perëndisë nuk ngjante me të për hijeshi. E bëra të bukur, me degë të dendura, prandaj e lakmonin mbarë pemët e Edenit që gjendeshin në kopshtin e Perëndisë.
Ezekieli 31:4-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ujërat e bënin të rritej, uji i nëndheshëm e kishte bërë të lartë, me lumenjtë e tij që rridhnin rreth e qark vendit ku ishte mbjellë, ndërsa u dërgonte rrëketë e tij tërë drurëve të fushës. Prandaj lartësia e saj ishte ngritur mbi të gjithë drurët e fushës, degët e tij ishin shumuar, ato ishin zgjatur nga bollëku i ujërave gjatë rritjes së tij. Tërë zogjtë e qiellit bënin folenë midis degëve të tij, tërë kafshët e fushës pillnin nën degët e tij, dhe të gjitha kombet e mëdhenj rrinin në hijen e tij. Ishte i bukur në madhështinë e tij për gjatësinë e degëve të tij, sepse rrënja e tij ndodhej pranë ujërave të bollshme. Cedrat nuk ia kalonin në kopshtin e Perëndisë, selvitë nuk arrinin të barazonin degët e tij dhe gështenjat nuk ishin as si degët e tij me gjethe; asnjë dru në kopshtin e Perëndisë nuk ishte i barabartë me të nga bukuria. E kisha bërë të bukur në bollëkun e degëve të tij, prandaj e kishin zili të gjithë drurët e Edenit, që ndodheshin në kopshtin e Perëndisë".