Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 21:1-31

Ezekieli 21:1-31 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Fjala e ZOTIT m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, ktheje fytyrën drejt jugut, shfryj kundër jugut dhe profetizo kundër pyllit të arës së Negevit. Thuaji pyllit të Negevit: dëgjoje fjalën e ZOTIT! Kështu thotë ZOTI: ja, po ndez në ty një zjarr që do të përpijë çdo dru të njomë e të thatë. Nuk do të shuhet flaka shkrumbuese, por do të djegë çdo sipërfaqe nga jugu në veri. Atëherë çdo gjallesë do ta shohë se e ndeza unë, ZOTI, e nuk do të shuhet». Unë thashë: «Ah, Zoti im, ZOT, ata thonë për mua: “A nuk flet me shëmbëlltyra ai?”». Fjala e ZOTIT m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, ktheje fytyrën drejt Jerusalemit e shfryj kundër shenjtëroreve të tij. Profetizo kundër tokës së Izraelit e thuaji tokës së Izraelit se kështu thotë ZOTI: ja ku jam, kundër jush. Do ta nxjerr shpatën prej millit e do të këpus prej teje të drejtin e të mbrapshtin. Meqë do të këpus prej teje të drejtin e të mbrapshtin, shpata ime do të dalë prej millit kundër çdo gjallese nga jugu në veri. Çdo gjallesë do ta marrë vesh se unë, ZOTI, e zhvesha shpatën e ajo nuk do të kthehet në mill. Ti, bir i njeriut, rënko. Rënko para syve të tyre me brinjë të shqyer e me hidhërim. Kur të të pyesin: “Pse rënkon?”, përgjigju: “Për shkak të njoftimit që po vjen. Çdo zemër do të meket e çdo dorë do të prehet. Çdo shpirt do të fiket e çdo gju do të bëhet ujë. Ja, po vjen e po kryhet, kumton Zoti im, ZOTI”». Fjala e ZOTIT m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, profetizo e thuaj se kështu thotë Zoti. Thuaj: Shpata, shpata e mprehur dhe e holluar, e mprehur për të therur mirë, e holluar për të vezulluar! E la ta hollonin për ta mbërthyer me dorë, e mprehu dhe e holloi për t'ia dhënë në dorë thertarit. Bërtit e vajto, o bir i njeriut, se ajo ra mbi popullin tim, mbi të gjithë prijësit e Izraelit. Do të hasin në shpatë bashkë me popullin tim, prandaj shuplake kofshën, se u vu në provë. E çfarë do të bënte po të mos kishte shkopin e përbuzjes? Kumton Zoti im, ZOTI. Ti, o bir i njeriut, profetizo e rrih shuplakë, le të bjerë dyfish shpata, trefish shpata e thertarëve. Është shpata e të therurve, e madhja, ajo i rrethon. Për t'i mekur zemrat, për t'i shumuar të rënët, në çdo portë të tyre e vura shpatën vrastare. Është mprehur për të vezulluar, është holluar për therori. Mprihe djathtas, ktheje majtas, ngado ta kthesh fytyrën. Edhe unë do të rrah shuplakë e do ta shuaj zemërimin. Unë, ZOTI, kam folur». Fjala e ZOTIT m'u drejtua e më tha: ti, o bir i njeriut, cakto dy rrugë për ardhjen e shpatës së mbretit të Babilonisë. Të dyja duhet të nisen prej të njëjtit vend. Bëj edhe një shenjë e vëre në krye të rrugës për në qytet. Cakto një rrugë për ardhjen e shpatës kundër Rabahut të amonitëve dhe kundër Judës, në Jerusalem, qytetit të fortifikuar. Se mbreti i Babilonisë është ndalur te degëzimi i udhës, në krye të dy rrugëve, për të hedhur fall. Ai tund shigjetat, pyet idhujt, vëzhgon mëlçinë. Në dorën e djathtë doli falli: Jerusalemi. I duhen vënë deshtë, duhet urdhëruar rrënimi, duhet ngritur britma e luftës; duhen vënë deshtë kundër portave, duhen hedhur ledhet, duhet ndërtuar rrethimi. Megjithatë do t'u dalë fall i rremë, se u kishin dhënë besën, por ai u kujton fajin, prandaj duhen kapur. Prandaj kështu thotë Zoti im, ZOTI: meqë e kujtuat fajin tuaj, duke i zbuluar shkeljet tuaja, për të shfaqur mëkatet që gjenden në të gjitha bëmat tuaja, meqë i kthyet në kujtesë, me dorë do të kapeni. E ti, o i përdhosur e i lig, o prijës i Izraelit, që të erdhi dita, koha e ndëshkimit tënd të fundit, kështu thotë Zoti im, ZOTI: hiqe kësulën dhe ule kurorën. Asgjë nuk do të jetë njësoj. Do të madhërohet përulësia e do të përulet madhëria.

Ezekieli 21:1-31 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Fjala e Zotit m'u drejtua duke thënë: "Bir njeriu, kthe fytyrën nga jugu, fol hapur kundër jugut dhe profetizo kundër pyllit të fushës, Negevit, dhe i thuaj pyllit të Negevit: Dëgjo fjalën e Zotit. Kështu thotë Zoti, Zoti: unë po ndez te ti një zjarr që do të gllabërojë çdo dru të blertë dhe çdo dru të thatë; flaka e zjarrtë nuk do të shuhet dhe çdo fytyrë nga veriu në jug do të digjet. Çdo mish do ta shohë që unë, Zoti, e kam ndezur; nuk do të shuhet". Atëherë thashë: "Ah, Zot, Zot, ata thonë për mua: "A nuk flet ky me shëmbëlltyra?" Fjala e Zotit m'u drejtua akoma, duke thënë: "Bir njeriu, kthe fytyrën nga Jeruzalemi, fol hapur kundër vendeve të shenjta dhe profetizo kundër vendit të Izraelit; dhe i thuaj vendit të Izraelit: Kështu thotë Zoti: Ja unë jam kundër teje, do të nxjerr shpatën time nga milli i saj dhe do të këpus nga ti të drejtët dhe të këqijtë. Duke qenë se dua të këpus nga ty të drejtët dhe të këqijtë, shpata ime do të dalë nga milli i saj kundër çdo mishi nga jugu në veri. Kështu çdo mish do të pranojë që unë, Zoti, kam nxjerrë shpatën nga milli i saj dhe nuk do të hyjë më në të. Prandaj ti, bir njeriu, vajto me ijët e thyer dhe vajto me dhembje para syve të tyre. Do të ndodhë që kur të të pyesin: "Pse vajton?", do të përgjigjesh: "Për lajmin që po vjen, çdo zemër do të tretet, të gjitha duart do të dobësohen, të gjithë shpirtrat do të ligështohen dhe të gjithë gjunjët do të shkrihen si uji". Ja, gjëja po vjen dhe do të kryhet", thotë Zoti, Zoti. Fjala e Zoti m'u drejtua përsëri, duke thënë: "Bir njeriu, profetizo dhe thuaj: Kështu thotë Zoti. Thuaj: Një shpatë, një shpatë është mprehur e madje shndrit, është mprehur për të bërë një masakër të madhe dhe është e mprehur që të vetëtijë. A mund të gëzohemi vallë? Ju përçmoni skeptrin e birit tim sikur të ishte një dru çfarëdo. Zoti e ka dhënë ta lustrojnë për ta rrokur në dorë; shpata është mprehur dhe lustruar për ta dhënë në dorë të atij që vret. Klith dhe bërtit, bir njeriu, sepse do të përdoret kundër popullit tim, kundër tërë princave të Izraelit; ata do të dorëzohen në pushtetin e shpatës bashkë me popullin tim. Prandaj rrihe kofshën tënde, sepse kjo është një provë. Çfarë do të ndodhte sikur të mos ishte më as skeptri përbuzës?", thotë Zoti, Zoti. "Prandaj ti, bir njeriu, profetizo dhe rrih duart; lëre që shpata të dyfishojë dhe të trefishojë goditjet e saj: është shpata e masakrës së madhe, që i rrethon nga çdo anë. Kam kthyer majën e shpatës kundër të gjitha portave të tyre, me qëllim që zemra e tyre të tretet dhe shumë të bien. Ah, është bërë për të shkëlqyer, është mprehur për masakrën. Shpatë, ji e pamëshirshme; kthehu më të djathtë, kthehu në të majtë, kudo ku drejtohet tehu yt. Edhe unë do të rrah duart dhe do të shfryj tërbimin tim. Unë, Zoti, kam folur". Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë: "Ti, bir njeriu, shëno dy rrugë nëpër të cilat të kalojë shpata e mbretit të Babilonisë; do të nisen që të dyja nga i njëjti vend. Vër një tregues rrugor, vëre në krye të rrugës që të çon në qytet. Shëno një rrugë nëpër të cilën shpata të shkojë në Rabah, qytet i bijve të Amonit, dhe një tjetër për në Judë, kundër Jeruzalemit, qytet i fortifikuar. Në fakt mbreti i Babilonisë qëndron në kryqëzimin e rrugës, në krye të dy rrugëve, për të bërë shortari: ai tund shigjetat, konsulton idhujt shtëpiakë, shqyrton mëlçinë. Në të djathtë të tij përgjigja e shortarisë tregon Jeruzalemin për të vendosur deshtë, për të hapur gojën dhe për të urdhëruar masakrën, për të ngritur zërin me klithma lufte, për t'i vendosur deshtë kundër portave, për të ngritur ledhe dhe për të ndërtuar kulla. Por për ta kjo do të jetë si një shortari e rremë në sytë e atyre që u janë betuar. Por ai do të kujtohet për paudhësitë e tyre, me qëllim që t'i kapin". Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se keni bërë të kujtohet paudhësia juaj, duke qenë se shkeljet tuaja dolën sheshit dhe mëkatet tuaja u zbuluan në të gjitha veprimet tuaja; duke qenë se ju kanë kujtuar, do të kapeni nga dora e armikut. Dhe ti, o princ i korruptuar dhe i keq i Izraelit, dita e të cilit erdhi në kohën e ndëshkimit përfundimtar", kështu thotë Zoti, Zoti: "Hiqe çallmën, hiqe kurorën; gjërat nuk do të jenë po ato: ajo që është poshtë do të ngrihet dhe ajo që është lart do të ulet.