Eksodi 8:17-21
Eksodi 8:17-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Nëse nuk e lë popullin tim, do të dërgoj një mori mizash kundër teje, kundër shërbëtorëve të tu, kundër popullit tënd dhe kundër shtëpive të tua. Shtëpitë e egjiptianëve dhe vendi do të mbushen me to. Por Goshenin, tokën ku banon populli im, do ta veçoj atë ditë, që të mos ketë mori mizash. Kështu do ta dish se unë, ZOTI, jam edhe në këtë vend. Do të bëj dallim mes popullit tim e popullit tënd. Kjo shenjë do të ndodhë nesër”». Dhe kështu bëri ZOTI. Një mori e madhe mizash mbuloi shtëpinë e faraonit dhe shtëpinë e shërbëtorëve të tij. Anekënd Egjiptit toka u shkretua prej tyre. Atëherë faraoni thirri Moisiun e Aronin e u tha: «Shkoni e, po në këtë vend, kushtojini fli Perëndisë tuaj!».
Eksodi 8:17-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe ata kështu vepruan. Aaroni shtriu dorën me bastunin e tij, rrahu pluhurin e tokës dhe njerëzit e kafshët u mbuluan nga mushkonja; tërë pluhuri i tokës u shndërrua në mushkonja në të gjithë vendin e Egjiptit. Magjistarët u përpoqën të bënin të njëjtën gjë me anë të arteve të tyre të fshehta për të prodhuar mushkonja, por nuk ia dolën dot. Mushkonjat mbuluan, pra, njerëzit dhe kafshët. Atëherë magjistarët i thanë Faraonit: "Ky është gishti i Perëndisë". Por zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i dëgjoi më, ashtu si kishte thënë Zoti. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Çohu herët në mëngjes dhe paraqitu tek Faraoni, kur ai del për të vajtur drejt ujit; dhe i thuaj: "Kështu thotë Zoti: Lëre popullin tim që të mund të më shërbejë. Por në rast se ti nuk e lë popullin tim të shkojë, ja unë do të dërgoj kundër teje, mbi shërbëtorët e tu, mbi popullin tënd e brenda shtëpive të tua mori mizash; shtëpitë e egjiptasve do të jenë plot me mori mizash, dhe kështu do të jetë toka mbi të cilën ndodhen.