Eksodi 5:1-9
Eksodi 5:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj Moisiu e Aroni shkuan e i thanë faraonit: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Lëre popullin tim të shkojë që të më kremtojë një festë në shkretëtirë”». Por faraoni u tha: «Kush është ZOTI që t'ia dëgjoj fjalën dhe ta lë Izraelin të shkojë. As ZOTIN nuk e njoh, as Izraelin nuk do ta lë të shkojë!». Ata i thanë: «Perëndia i hebrenjve na u dëftua. Na lër të shkojmë për tri ditë në shkretëtirë, që t'i kushtojmë fli ZOTIT, Perëndisë tonë, e ai të mos na godasë me murtajë e shpatë». Atëherë mbreti i Egjiptit u tha: «Moisi, Aron, përse po e nxisni popullin t'i shmanget punës? Kthehuni në punë!». Faraoni shtoi: «Tani që populli i vendit është shtuar shumë, ju prapë doni që të ndërpresë punën?». Po atë ditë faraoni u dha këtë urdhër mbikëqyrësve dhe kryepunëtorëve të popullit: «Mos i jepni më popullit kashtë sikurse bëhej më parë. Ta mbledhin vetë kashtën, por numri i tullave që do t'u kërkoni të jetë si më parë. Mos ua pakësoni numrin, sepse janë përtacë dhe prandaj thërrasin: “Na lër të shkojmë e t'i kushtojmë fli Perëndisë tonë”. T'u vështirësohet puna që të punojnë e të mos merren me fjalë të kota!».
Eksodi 5:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pas kësaj, Moisiu dhe Aaroni shkuan te Faraoni dhe i thanë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Lëre popullin tim të shkojë, me qëllim që të kremtojë për mua një festë në shkretëtirë"". Por Faraoni u përgjigj: "Kush është Zoti që unë duhet t'i bindem zërit të tij dhe ta lë Izraelin të shkojë? Unë nuk e njoh Zotin dhe nuk kam për ta lënë Izraelin të shkojë". Atëherë ata i thanë: "Perëndia i hebrenjve na doli përballë; tani na lër të ecim tri ditë me radhë në shkretëtirë që të bëjmë një flijim për Zotin, që është Perëndia ynë, që ai të mos na godasë me murtajë ose me shpatë". Mbreti i Egjiptit u tha atyre: "Pse vallë Moisiu dhe Aaroni e largojnë popullin nga puna e tij? Kthehuni në mundimet tuaja!". Faraoni tha përsëri: "Ja, tani populli i vendit është i shumtë, dhe ju doni që ai të ndërpresë mundimet e tij". Kështu po atë ditë Faraoni i urdhëroi shtypësit e popullit dhe kryeintendentët e tij, duke thënë: "Mos i jepni më kashtë popullit për të bërë tulla, si më parë; le të shkojnë ata vetë të mbledhin kashtën! Por i detyroni të prodhojnë të njëjtën sasi tullash që bënin më parë, pa asnjë pakësim; sepse ata janë përtacë, dhe për këtë arsye ata bërtasin, duke thënë: "Të shkojmë të bëjmë fli për Perëndinë tonë!". I mbingarkoni me punë të rëndë këta njerëz, dhe ata ta kryejnë pa u vënë veshin fjalëve mashtruese".