Eksodi 14:1-9
Eksodi 14:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
ZOTI i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve të kthehen dhe të fushojnë para Pi Hahirotit, mes Migdolit dhe detit, para Baal Cefonit, përballë detit. Atëherë faraoni do të mendojë se izraelitët po enden kuturu dhe se janë të rrethuar nga shkretëtira. Unë do ta ngurtësoj zemrën e faraonit dhe ai do t'i ndjekë, që unë të lavdërohem duke shtypur faraonin e tërë ushtrinë e tij. Kështu, egjiptianët do ta dinë se unë jam ZOTI». Izraelitët vepruan ashtu. Kur i treguan mbretit të Egjiptit se populli kishte ikur, ai bashkë me shërbëtorët e tij ndërruan mendje për izraelitët e thanë: «Çfarë bëmë kështu? Si i lamë të lirë?». Atëherë faraoni bëri gati karrocën dhe mori me vete popullin e tij. Mori gjashtëqind karroca të përzgjedhura dhe tërë karrocat e Egjiptit plot me luftëtarë. ZOTI e ngurtësoi zemrën e faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe ai i ndoqi izraelitët ndërsa dilnin me ngadhënjim. Egjiptianët i ndoqën dhe tërë karrocat, kalorësit dhe ushtria e faraonit i arritën kur po fushonin para detit, në Pi Hahirot para Baal Cefonit.
Eksodi 14:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: "U thuaj bijve të Izraelit të kthehen prapa dhe të vendosin kampin e tyre përballë Pi-Hahirothit, midis Migdolit dhe detit, përballë Baal-Tsefonit; vendosni kampin tuaj përpara këtij vendi pranë detit. Atëherë Faraoni do të thotë për bijtë e Izraelit: "Ata po enden si të humbur në vend; shkretëtira i mban të mbyllur". Dhe unë do ta ngurtësoj zemrën e Faraonit, dhe ai do t'i ndjekë ata; por unë do të siguroj lavdi nga Faraoni dhe nga gjithë ushtria e tij, dhe egjiptasit do të mësojnë që unë jam Zoti". Dhe ata ashtu vepruan. Pastaj iu njoftua mbretit të Egjiptit që populli kishte ikur; dhe zemra e Faraonit dhe e shërbëtorëve të tij ndryshoi kundrejt popullit, dhe ata thanë: "Ç'bëmë që e lamë Izraelin të ikë nga shërbimi ynë?". Kështu Faraoni bëri që të përgatitej qerrja e tij dhe mori me vete popullin e tij. Mori dhe gjashtëqind qerre të zgjedhura dhe tërë qerret e Egjiptit, me luftëtarë në secilin prej tyre. Dhe Zoti e ngurtësoi zemrën e Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe ai i ndoqi bijtë e Izraelit, që dilnin plot trimëri. Egjiptasit i ndoqën; dhe tërë kuajt, qerret e Faraonit, kalorësit e tij dhe ushtria e tij i arritën kur kishin fushuar pranë detit, në afërsi të Pi-Hahirothit, përballë Baal-Tsefonit.