Eksodi 10:1-29
Eksodi 10:1-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë ZOTI i tha Moisiut: «Shko te faraoni. Unë e kam ngurtësuar zemrën e tij dhe atë të shërbëtorëve të tij për të dëftuar shenjat e mia mes tyre, që t'i tregosh birit e nipit tënd shenjat që bëra dhe sesa ashpër u solla me Egjiptin. Kështu do ta dini se unë jam ZOTI». Moisiu e Aroni shkuan te faraoni e i thanë: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i hebrenjve: “Deri kur nuk do të pranosh të më nënshtrohesh? Lëre popullin tim të shkojë e të më shërbejë! Nëse nuk pranon ta lësh popullin tim, atëherë nesër do të lëshoj karkaleca në vendin tënd. Ata do të mbulojnë tërë sipërfaqen e tokës, aq sa dheu të mos shihet më. Do të përpijnë gjithçka që mbeti e shpëtoi pas breshrit. Do t'ju përpijnë çdo pemë të fushës. Shtëpitë e tua, ato të shërbëtorëve të tu dhe tërë shtëpitë e Egjiptit do të mbushen me karkaleca. Një gjë e tillë nuk është parë kurrë as nga etërit e tu e as nga të parët e tu, që nga dita kur lindën e deri më sot”». Pasi mbaroi së foluri u kthye dhe u largua prej faraonit. Atëherë shërbëtorët i thanë faraonit: «Deri kur do t'i durojmë kurthet e këtij njeriu? Lëri këta njerëz të shkojnë e t'i shërbejnë ZOTIT, Perëndisë së tyre! Ende nuk e ke marrë vesh se Egjipti po rrënohet?». Moisiun e Aronin i sollën para faraonit dhe ai u tha: «Shkoni dhe shërbejini ZOTIT, Perëndisë tuaj! Kush do të vijë me ju?». Moisiu i tha: «Do të shkojmë me të rinj e të vjetër, me bij e bija, dhen e qe, sepse do të kremtojmë për ZOTIN». Faraoni iu përgjigj: «ZOTI qoftë me ju po aq sa unë do t'ju lë të shkoni bashkë me fëmijët. Ja, ju keni qëllime të këqija, prandaj nuk do t'i lë të vegjlit! Të shkojnë vetëm burrat t'i shërbejnë ZOTIT, se edhe ju këtë po kërkonit». Pastaj i dëbuan nga prania e faraonit. Atëherë ZOTI i tha Moisiut: «Shtrije dorën mbi tokën e Egjiptit që të lëshohen karkalecat e të hanë tërë barin e gjithçka mbeti mbas breshrit». Moisiu shtriu shkopin mbi tokën e Egjiptit dhe ZOTI dërgoi mbi tokë erën e lindjes gjatë gjithë asaj dite e nate. Në të gdhirë, era e lindjes kishte sjellë karkalecat. Ata u lëshuan mbi tërë Egjiptin dhe u ndalën aty. Kurrë nuk kishte pasur më parë kaq shumë karkaleca dhe kurrë nuk do të kishte kaq shumë as në të ardhmen. Ata mbuluan sipërfaqen e tokës aq sa e nxinë të tërën. E përpinë mbarë barin e tokës dhe tërë frutat e pemëve që kishin mbetur mbas breshrit, në mbarë tokën e Egjiptit. Atëherë faraoni i thirri me të shpejtë Moisiun e Aronin e u tha: «Mëkatova kundër ZOTIT, Perëndisë tuaj, dhe kundër jush. Ma falni mëkatin vetëm kësaj here dhe lutjuni ZOTIT, Perëndisë tuaj, që të largojë të paktën këtë mort prej meje». Moisiu u largua nga faraoni dhe iu lut ZOTIT. Atëherë ZOTI solli një erë shumë të fortë nga perëndimi që i përmblodhi karkalecat e i hodhi në detin e Kuq. Asnjë karkalec nuk mbeti në tokën e Egjiptit. Por ZOTI e ngurtësoi zemrën e faraonit dhe ai nuk i la izraelitët të shkonin. ZOTI i tha Moisiut: «Shtrije dorën drejt qiellit, që një errësirë e thellë të mbulojë tokën e Egjiptit!». Moisiu shtriu dorën drejt qiellit dhe një errësirë pus mbuloi tërë tokën e Egjiptit për tri ditë. Egjiptianët nuk mund të shihnin njëri-tjetrin dhe askush nuk lëvizi prej vendit për tri ditë, por në vendin ku banonin izraelitët kishte dritë. Atëherë faraoni e thirri Moisiun e i tha: «Shkoni e shërbejini ZOTIT! Merrni me vete edhe të vegjlit, veçse dhentë e qetë do t'i lini!». Moisiu iu përgjigj: «Ti duhet të na japësh edhe flijimet, edhe flitë e shkrumbimit, që t'ia kushtojmë ZOTIT, Perëndisë tonë. Prandaj bagëtitë tona duhet të vijnë bashkë me ne. As edhe një këmbë kafshe nuk do të mbesë pas. Na duhet t'i marrim që t'ia kushtojmë ZOTIT, Perëndisë tonë, sepse, derisa të mbërrijmë atje, nuk e dimë se çfarë duhet të flijojmë». Por ZOTI e ngurtësoi zemrën e faraonit dhe ai nuk deshi t'i linte të shkonin. Kështu faraoni i tha: «Shporru! Ruhu se më del prapë përpara, se po më dole do të vdesësh!». Moisiu iu përgjigj: «Mirë thua! Nuk do ta shoh më fytyrën tënde!».
Eksodi 10:1-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shko te Faraoni; sepse e kam ngurtësuar zemrën e tij dhe zemrën e shërbëtorëve të tij, me qëllim që unë të mund të tregoj këto shenjat e mia në mes tyre, dhe me qëllim që ti të mundësh t'u tregosh bijve të tu dhe bijve të bijve të tu gjërat e mëdha që kam bërë, duke vënë në lojë egjiptasit, dhe shenjat e mia që kam bërë midis tyre, që të dini se unë jam Zoti". Moisiu dhe Aaroni shkuan te Faraoni dhe i thanë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i hebrenjve: "Deri kur do të refuzosh të ulësh kokën para meje? Lëre popullin tim të shkojë që të mund të më shërbejë. Sepse po refuzove ta lësh popullin tim të shkojë, që nesër do të sjell karkaleca në territorin tënd. Dhe ato do të mbulojnë faqen e dheut, kështu që asnjeri nuk do të mund ta shohë tokën; dhe ato do të përpijnë edhe atë që ka mbetur, atë që ju ka lënë breshri, dhe do të përpinë çdo pemë që rritet për ju në fusha. Dhe do t'i mbushin shtëpitë tuaja, shtëpitë e tërë shërbëtorëve të tu dhe shtëpitë e tërë egjiptasve, diçka që as etërit e tu as etërit e etërve të tu nuk e kanë parë kurrë, nga dita që qenë mbi dhe deri në këtë ditë"". Me t'i thënë këto fjalë ktheu kurrizin dhe doli nga prania e Faraonit. Pastaj shërbëtorët e Faraonit i thanë: "Deri kur ky njeri do të jetë pengesë për ne? Lëri këta njerëz të ikin, që t'i shërbejnë Zotit Perëndisë të tyre! Nuk e ke kuptuar akoma që Egjipti është shkatërruar?". Kështu Moisiu dhe Aaroni u rikthyen te Faraoni; dhe ky u tha atyre: "Shkoni, shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj. Por kush janë ata që do të shkojnë?". Moisiu tha: "Ne do të shkojmë me fëmijët tanë dhe me pleqtë tanë, me bijtë tanë dhe bijat tona; do të shkojmë me kopetë tona të bagëtive të imta dhe të trasha, sepse duhet të kremtojmë një festë kushtuar Zotit". Faraoni u tha atyre: "Zoti qoftë me ju, kur unë do t'ju lë të ikni bashkë me fëmijët tuaj! Por kini kujdes se mos keni qëllime të këqija! Jo, jo! Shkoni ju, burra, t'i shërbeni Zotit; sepse kjo është ajo që kërkoni". Dhe i dëbuan nga prania e Faraonit. Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën tënde mbi vendin e Egjiptit për karkalecat, me qëllim që ato të ngjiten dhe të mbulojnë vendin e Egjiptit dhe të përpijnë tërë bimësinë e vendit, tërë ato që ka lënë breshri". Atëherë Moisiu zgjati bastunin e tij mbi vendin e Egjiptit; dhe Zoti ngriti një erë nga lindja mbi vendin tërë atë ditë dhe tërë natën; sa erdhi mëngjesi, era e lindjes solli karkalecat. Dhe karkalecat u ngjitën në tërë vendin e Egjiptit dhe u ulën në tërë territorin e tij në numër të madh. Nuk kishte pasur kurrë një murtajë të tillë karkalecash më parë dhe nuk do të ndodhë ndonjë tjetër. Ato mbuluan faqen e tërë dheut, aq sa e nxinë dheun; përpinë tërë bimësinë e vendit dhe tërë pemët e drurëve që breshri kishte lënë; dhe nuk mbeti asgjë e blertë mbi drurët dhe shkurrëzat e fushës, në tërë vendin e Egjiptit. Atëherë Faraoni thirri me nxitim Moisiun dhe Aaronin dhe u tha: "Unë kam mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tuaj, dhe kundër jush. Por tani të lutem, falmani mëkatin edhe një herë; dhe lutjuni Zotit, Perëndisë tuaj, që të largojë nga unë këtë mynxyrë vdekjeprurëse". Dhe Moisiu doli nga Faraoni, dhe iu lut Zotit. Pastaj Zoti ngriti një erë të kundërt, një erë nga perëndimi shumë të fortë, që i largoi karkalecat dhe i hodhi në Detin e Kuq. Nuk mbeti asnjë karkalec në tërë territorin e Egjiptit. Por Zoti e fortësoi zemrën e Faraonit dhe ai nuk i la bijtë e Izraelit të ikin. Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën drejt qiellit, me qëllim që të jetë errësirë në vendin e Egjiptit, errësirë që të mund të preket me dorë". Dhe Moisiu e shtriu dorën e tij drejt qiellit, dhe u bë errësirë e madhe në tërë vendin e Egjiptit për tri ditë. Njëri nuk shikonte tjetrin dhe asnjeri nuk lëvizi nga vendi ku ndodhej për tri ditë; por për të gjithë bijtë e Izraelit kishte dritë në banesat e tyre. Atëherë Faraoni thirri Moisiun dhe i tha: "Shkoni, shërbejini Zotit, le të mbeten vetëm kopetë tuaja me bagëti të imët dhe të trashë; edhe fëmijët tuaj mund të vinë me ju". Moisiu tha: "Ti duhet të na lejosh gjithashtu të marrim dhe disa fli dhe holokauste, që t'ia ofrojmë Zotit, Perëndisë tonë. Edhe bagëtia jonë do të vijë me ne; nuk do të lëmë këtu as edhe një thua të saj, sepse do të marrim disa krerë për t'i shërbyer Zotit, Perëndisë tonë; dhe nuk e dimë me se do t'i shërbejmë Zotit, derisa të arrijmë atje poshtë". Por Zoti e fortësoi zemrën e Faraonit dhe ai nuk deshi t'i linte të shkonin. Atëherë Faraoni i tha Moisiut: "Qërohu nga unë! Ruhu se më del përpara, sepse ditën që do të më dalësh përpara do të vdesësh!". Moisiu iu përgjigj: "Mirë e the; unë nuk do të të dal më përpara".