Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Predikuesi 9:1-18

Predikuesi 9:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Të tëra këto i mora për zemër, për t'i shqyrtuar të gjitha, se si i drejti, i urti e veprat e tyre janë në dorë të Perëndisë. Njeriu nuk ka njohuri as për dashurinë, as për urrejtjen. Para tij gjendet gjithçka. Për të gjithë ka veçse një fat, për të drejtin e për të paudhin, për të mirin e për të keqin, për të pastrin e për të papastrin, për kë flijon e për kë nuk flijon, për të mbarin e për mëkatarin, për atë që betohet e për atë që i druhet betimit. Kjo është e keqja ndër të gjitha gjërat që ndodhin nën diell: se të gjithë kanë të njëjtin fat. Edhe zemrat e njerëzve janë plot ligësi dhe marrëzinë e mbajnë në zemër sa të jenë gjallë. Pastaj shkojnë me të vdekurit. Por, ai që bashkohet me të gjallët, ka shpresë, se qeni i gjallë është më mirë se luani i ngordhur. Se të gjallët e dinë se do të vdesin, por të vdekurit nuk kanë dijeni për asgjë. Nuk ka shpërblim për ta, se kujtimi i tyre është lënë në harresë. Edhe dashuria, urrejtja e smira e tyre janë shuar tashmë. Nuk do të kenë kurrë më pjesë në asgjë që ndodh nën diell. Ec, haje me gëzim bukën tënde e pije me zemër të hareshme verën tënde, se Perëndisë i kanë pëlqyer tashmë veprat e tua. Mbaji gjithmonë të bardha petkat e tua e të mos i mungojë vaji erëmirë kokës sate. Shijoje jetën me gruan që dashuron gjatë gjithë ditëve të jetës sate të kotë, që ai të dha nën diell, se kjo është pjesa që ke në jetë dhe në mundin që do të heqësh nën diell. Çfarëdo pune të gjejë dora jote, bëje me tërë fuqinë tënde, se në skëterrën ku po shkon nuk ka as punë, as dituri, as dije, as urti. Përsëri pashë nën diell se garën nuk e fitojnë të shpejtët, as të fuqishmit betejën, as të urtët bukën, as të mençurit pasurinë dhe as të diturit nderimin, sepse koha dhe rastësia u qëllojnë të gjithëve. Njeriu nuk e njeh kohën e vet. Si peshqit që zihen në një rrjetë të mbrapshtë dhe si zogjtë që zihen në kurth, kështu bien në kurth njerëzit në kohën e ligë që i zë në befasi. Nën diell pashë edhe këtë urti që m'u duk e madhe: ishte një qytet i vogël, me pak njerëz në të. Iu sul një mbret i madh e ndërtoi kulla madhështore kundër tij, por në të u gjet një njeri skamnor e i urtë që e çliroi qytetin falë urtisë së tij. E pra, askush nuk e kujton atë njeri skamnor. Atëherë unë thashë: më e mirë është urtia, se fuqia, por urtia e skamnorit përçmohet e nuk i dëgjohen fjalët. Fjalët nën zë të të urtëve dëgjohen më mirë se britma e prijësit të të marrëve. Urtia është më e mirë se armët e luftës, por një mëkatar mund të rrënojë një begati të madhe.

Predikuesi 9:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kështu unë e mendova gjithë këtë në zemrën time për të kërkuar ta qartësoj; që të drejtët dhe të urtët dhe veprat e tyre janë në duart e Perëndisë. Njeriu nuk njeh as dashurinë as urrejtjen; gjithçka është para tij. Çdo gjë u ndodh në mënyrë të njëllojtë të gjithëve: i njëjti fat pret të drejtin dhe të pabesin, të mirin, të pastrin dhe të papastrin, atë që ofron flijime dhe atë që nuk i ofron. Si i miri është edhe mëkatari, dhe ai që betohet si ai që ka frikë të betohet. Kjo është një e keqe që bëhet nën diell; të gjithë kanë të njëjtin fat, dhe përveç kësaj zemra e bijve të njerëzve është plot ligësi dhe marrëzia qëndron në zemrën e tyre ndërsa jetojnë; pastaj shkojnë te të vdekurit. Përderisa njeriu është i bashkuar me gjithë të gjallët e tjerë ka shpresë, sepse një qen i gjallë vlen më tepër se një luan i ngordhur. Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë; për ta nuk ka më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre harrohet. Edhe dashuria e tyre, urrejtja e tyre dhe smira e tyre janë zhdukur tashmë, dhe ata nuk do të kenë asnjë pjesë në të gjitha ato që bëhet nën diell. Shko, ha bukën tënde me gëzim dhe pi verën tënde me zemër të gëzuar, sepse Perëndia i ka pëlqyer veprat e tua. Rrobat e tua qofshin të bardha në çdo kohë dhe vaji mos mungoftë kurrë mbi kokën tënde. Gëzoje jetën me gruan që do për të gjitha ditët e jetës tënde të kotësisë, që ai të ka dhënë nën diell për të gjitha ditët e kotësisë, sepse kjo është pjesa që të takon në jetë dhe në mundin që kryen nën diell. Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde, sepse në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri. Gjithashtu pashë nën diell që vrapimi nuk fitohet nga ai që është i shpejtë as beteja nga të fortët; as buka nuk u shkon të urtëve, as pasuritë njerëzve të zgjuar, as favori atyre që janë të shkathët, Sepse njeriu nuk e njeh orën e tij; ashtu si peshqit që kapen në një rrjetë mizore dhe si zogjtë që kapen në një kurth, kështu bijtë e njerëzve kapen në kurth në kohën e fatkeqësisë, kur ajo bie papritur mbi ta. E pashë edhe këtë shembull të diturisë nën diell dhe m'u duk i madh. Ishte një qytet i vogël me pak njerëz brenda; një mbret i madh doli kundra, e rrethoi dhe ndërtoi bastione të mëdha. Por gjendej në të një njeri i varfër dhe i urtë, i cili me diturinë e tij e shpëtoi qytetin. Megjithatë asnjeri nuk u kujtua për këtë njeri të varfër. Atëherë unë thashë: "Dituria vlen më shumë se forca; por dituria e të varfrit përbuzet dhe fjalët e tij nuk dëgjohen". Fjalët e të urtëve që thuhen shtruar dëgjohen më mirë se britmat e atij që sundon mbi budallenjtë. Dituria vlen më tepër se armët e luftës, por një mëkatar i vetëm shkatërron një të mirë të madhe.