Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Predikuesi 6:1-12

Predikuesi 6:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ka një ligësi që e kam parë nën diell. Ajo rëndon shumë mbi njerëzinë. Një njeriu Perëndia i jep pasuri, begati e nderim, pa i mohuar asgjë nga ato që i dëshiron shpirti, por Perëndia nuk i jep mundësinë të ushqehet me to, se vjen i huaji e i ha. Kjo është tymnajë e lëngatë e rëndë. Nëse një njeri lind njëqind fëmijë e jeton shumë vite, nëse i shumohen ditët e jetës, por nuk i kënaqet shpirti me të mira e nuk mund të ketë as varr, them se dështaku do të ishte më mirë se ai. Se erdhi në tymnajë, iku në errësirë dhe errësira do t'ia mbulojë emrin. As diellin nuk e pa e nuk njohu asgjë tjetër. Ky gjeti prehje më mirë se tjetri. Edhe po të jetonte dy herë nga një mijë vjet pa e parë të mirën, a nuk shkojnë të gjithë në të njëjtin vend? Njeriu derdh gjithë atë mund për gojën e vet, por nuk i kënaqet shpirti. Se ç'dobi ka i urti më shumë se i marri? Ç'fiton ai skamnor që di të sillet me të gjallët? Më mirë është të shohësh me sy, se të bredhësh me ëndje. Edhe kjo është tymnajë e si të rendësh pas erës. Gjithçka që është, e ka një emër. Dihet ç'është njeriu. Ai nuk mund të rragatet me dikë që është më i fortë. Sa më shumë të shumohen fjalët, aq më shumë shtohet tymnaja. Ç'dobi ka njeriu? Se kush e di cila është e mira e njeriut në jetë, në ditët e numëruara të tymnajës së jetës së tij, që kalon si hije? Kush mund t'i tregojë njeriut çfarë vjen pas tij nën diell?

Predikuesi 6:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Është një e keqe tjetër që kam parë nën diell dhe që është e përhapur midis njerëzve: dikujt Perëndia i ka dhënë pasuri, të mira dhe lavdi, dhe nuk i mungon asgjë nga gjithë ato që mund të dëshirojë, por Perëndia nuk i jep mundësinë t'i gëzojë, por i gëzon një i huaj. Kjo është kotësi dhe një e keqe e madhe. Në qoftë se dikujt i lindin njëqind bij dhe jeton shumë vite dhe të shumta janë ditët e viteve të tij, por shpirti i tij nuk ngopet me të mira dhe nuk ka as varr unë them se një dështim është më i lumtur se ai; sepse ka ardhur më kot dhe po ikën në terr, dhe emri i tij është mbuluar nga terri. Edhe sikur të mos e ketë parë as njohur diellin, megjithatë ka më shumë pushim se tjetri. Po, edhe sikur të duhej të jetonte dy herë një mijë vjet, por pa mundur të gëzojë të mirat e tij. A nuk mbarojnë të gjitha në po atë vend? Tërë mundi i njeriut është për gojën e tij, megjithatë oreksi i tij nuk ngopet kurrë. Ç'përfitim ka i urti mbi budallanë? Ç'përfitim ka i varfri në rast se di të ecë përpara njerëzve të gjallë? Është më mirë të shikosh me sy se sa të endesh me dëshirën. Edhe kjo është kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën. Ajo që është, prej kohe është quajtur me emrin e vet dhe dihet se ç'është njeriu, dhe që nuk mund të hahet me atë që është më i fortë se ai. Duke qenë se ka shumë gjëra që e shtojnë kotësinë, çfarë përfitimi ka prej tyre njeriu? Kush e di në fakt ç'është e mirë për njeriun në këtë jetë, gjatë tërë ditëve të jetës së tij të kotë që ai i kalon si një hije? Kush mund t'i thotë njeriut çfarë ka për të ndodhur pas tij nën diell?