Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Predikuesi 1:1-18

Predikuesi 1:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Fjalët e kuvendarit, birit të Davidit, mbret në Jerusalem. Tymnajë e kaluar tymnajës, thotë kuvendari, tymnajë e kaluar tymnajës, gjithçka është tymnajë. Ç'dobi ka njeriu nga tërë mundi i vet, që të mundohet nën diell? Një brezni ikën, një brezni vjen, por toka mbetet përgjithmonë. Dielli lind e dielli perëndon, rend për te vendi i vet e atje rilind. Era fryn kah jugu, sillet kah veriu, sillet e përsillet, por në qerthullin e vet sillet. Të gjithë lumenjtë derdhen në det e deti nuk mbushet. Lumenjtë rrjedhin drejt vendit prej ku nisen sërish. Gjithçka është kapitëse, sa s'ka njeri ta tregojë. Syri nuk ngopet me të parë, veshi nuk ngihet me të dëgjuar. Ç'ka qenë, ajo edhe do të jetë, ç'është bërë, ajo edhe do të bëhet. Asgjë të re nuk ka nën diell! A ka ndonjë gjë që të thuhet: «Shiko, kjo është e re!». Por ajo kishte qenë qëkur, në kohët e lashta para nesh. Nuk ka kujtim për kohët e lashta, por as për të ardhmen nuk u mbetet kujtim atyre që do të vijnë më vonë. Unë, kuvendari, isha mbreti i Izraelit, në Jerusalem, dhe u përpoqa me zemër të hetoja e të zbuloja me anë të urtisë gjithçka që ndodh nën qiell. Kjo është një detyrë e rëndë që Perëndia ua ka dhënë njerëzve për t'u marrë me të. Kam parë gjithçka është bërë nën diell dhe, ja, gjithçka është tymnajë, si të rendësh pas erës. Çka është e shtrembër, nuk drejtohet dot, nuk mund të numërohet diçka që s'është. Atëherë thashë me vete: «Ja, unë e shtova dhe e shumova urtinë më shumë se të gjithë paraardhësit e mi në Jerusalem. Zemra ime ka parë urti e dituri të shumtë». U dhashë me zemër pas njohjes së urtisë. Edhe marrëzinë dhe çmendurinë e njoha. Por edhe kjo është si të rendësh pas erës. Se, kur urtia është e madhe, e madhe është edhe ngasja. Kush shton diturinë, shton brengën.

Predikuesi 1:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Fjalët e Predikuesit, e birit të Davidit, mbretit të Jeruzalemit. "Kotësi e kotësive", thotë Predikuesi; "Kotësi e kotësive; gjithçka është kotësi". Çfarë përfitimi ka njeriu nga gjithë mundi i tij, kur mundohet nën rrezet e diellit? Një brez shkon, një brez vjen, por toka mbetet përjetë. Edhe dielli lind e pastaj perëndon, dhe shpejtohet në drejtim të vendit nga del përsëri. Era fryn në drejtim të jugut, pastaj kthehet nga veriu; kthehet dhe rikthehet vazhdimisht dhe bën po ato rrotullime. Gjithë lumenjtë derdhen në det, por deti nuk mbushet kurrë; nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen, përsëri. Tërë gjërat kërkojnë mund, më tepër nga sa mund të thotë njeriu; syri nuk ngopet kurrë duke parë, po kështu veshi nuk ngopet kurrë duke dëgjuar. Ajo që ka qenë është ajo që do të jetë; ajo që është bërë është ajo që do të bëhet; nuk ka asgjë të re nën diell. A ka diçka për të cilën mund të thuhet: "Shiko, kjo është e re!". Kjo gjë ekzistonte që në shekujt që na kanë pararendur. Nuk mbetet asnjë kujtim nga gjërat e kaluara, dhe kështu nuk do të mbetet asnjë kujtim nga gjërat që do të ndodhin midis atyre që do të vijnë më pas. Unë, Predikuesi, kam qenë mbret i Izraelit në Jeruzalem, dhe kam kërkuar me zemër të zbuloj dhe të hetoj me dituri çdo gjë që ndodh nën qiell; kjo është një punë e rëndë që Perëndia u ka dhënë bijve të njerëzve që ata të lodhen. Unë i kam parë tërë gjërat që bëhen nën diell; dhe ja, të gjitha janë gjëra të kota dhe një kërkim për të kapur erën. Ajo që është e shtrembër nuk mund të drejtohet dhe ajo që mungon nuk mund të numërohet. Unë kam folur me zemrën time, duke thënë: "Ja, kam fituar madhështi dhe dituri më të madhe se të gjithë ata që kanë mbretëruar para meje në Jeruzalem dhe zemra ime ka parë shumë dituri dhe njohuri". Dhe ia kushtova zemrën time për të njohur diturinë si dhe njohjes së marrëzisë dhe budallallëkut; dhe kuptova që edhe kjo është një kërkim për të kapur erën. Sepse aty ku ka shumë dituri ka edhe shumë shqetësim dhe kush shton diturinë shton dhembjen.