Ligji i Përtërirë 32:1-20
Ligji i Përtërirë 32:1-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Mba vesh, o qiell, se do të flas, dëgjoji, o tokë, fjalët e gojës sime. U derdhtë mësimi im si shiu, pikoftë kumti im si vesa, si pikëlimi mbi bar, si rrebeshi mbi livadh. Emrin e ZOTIT do ta shpall. Madhërojeni Perëndinë tonë! Shkëmb ai, të përsosura veprat e tij, të drejta të gjitha udhët e tij. Perëndi besnik, në të nuk ka padrejtësi. I drejtë e i vërtetë është ai. Kjo brezni e shthurur dhe e mbrapshtë mëkatoi kundër tij e për faj të vet bij të tij nuk janë. A kështu ia shpërblen ZOTIT, o popull i marrë e i pamend? A s'është ati yt, që të krijoi, ai që të bëri e të themeloi? Kujto kohët e moçme, shqyrto vitet e breznive të hershme, pyet tët atë e ai do të të tregojë, pyet pleqtë e ata do të të rrëfejnë. Kur i Tejlarti u dha kombeve trashëgimi, kur njerëzimin ai e ndau, kufijtë e popujve i caktoi, sipas numrit të bijve të Izraelit. Pjesë e ZOTIT është populli i tij, Jakobi, trashëgimia e tij. E gjeti në një vend të shkretë, në një djerrinë ku humbëtira jehon. E përqafoi e për të u kujdes, e ruajti si beben e syrit. Porsi shqiponja që folenë vrojton, e mbi zogjtë e saj flatron. Zoti krahët i shtriu, e kapi, e mbi vete e mbarti. I vetëm ZOTI e udhëhoqi, asnjë perëndi i huaj nuk ishte me të. E vuri të kalërojë mbi bjeshkët e dheut e prodhime fushe ai hëngri. E mëkoji me mjaltë prej shkëmbi, me vaj prej shkrepit të strallit, me gjalpë gjedhi e qumësht dhensh, me dhjamë qengjash e deshësh, me qe Bashani e cjep, bashkë me drithë të përzgjedhur. Gjak rrushi, ti porsi verë pive. Por Jeshuruni u majm e hodhi vickla, u majm, u dend e u trash, harroi Perëndinë që e krijoi, përçmoi shkëmbin që e shpëtoi. E bënë xheloz, me hyjni të huaja, me poshtërsi e ngucën. U kushtuan fli djajve e jo Perëndisë, perëndive që s'i njihnin, perëndive të sapoardhur, që as etërit tuaj nuk i kishin frikë. Shkëmbin që të lindi e harrove, e le mënjanë Perëndinë që të dha jetë. ZOTI e pa dhe i përbuzi, se e ngucën bijtë e bijat e veta. “Do ta fsheh fytyrën”, tha, “Do të shoh ç'fund do të kenë, se janë brezni e mbrapshtë, fëmijë të pabesë.
Ligji i Përtërirë 32:1-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
"Dëgjoni, o qiej, dhe unë do të flas; dhe dëgjo, o tokë, fjalët e gojës sime. Mësimi im do të zbresë si shiu, fjala ime do të pikojë si vesa, si shiu i imët mbi barin e njomë dhe si një rrebesh mbi drurët e vegjël, sepse unë shpall emrin e Zotit. Lëvdoni Perëndinë tonë! Ai është Shkëmbi, vepra e tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Është një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë. Por ata janë korruptuar; nuk janë bij të tij, për shkak të fajit të tyre, janë një brez i shtrembër dhe i degjeneruar. Kështu doni ta shpërbleni Zotin, o popull i pamend dhe i marrë? A nuk është ai ati yt që të ka blerë? A nuk është ai që të ka bërë dhe të ka vendosur? Kujto ditët e lashtësisë, ki parasysh vitet e shumë kohërave të shkuara, pyet atin tënd, dhe ai do të ta tregojë, pyet pleqtë e tu dhe ata do të ta thonë. Kur Shumë i Larti u dha kombeve trashëgiminë e tyre, kur ndau bijtë e Adamit, ai përcaktoi kufijtë e popujve, në bazë të numrit të bijve të Izraelit. Me qenë se pjesa e Zotit është populli i tij, Jakobi është pjesa e trashëgimisë së tij. Ai e gjeti në një tokë të shkretë, në një vetmi të helmuar dhe të mjerë. Ai e rrethoi, u kujdes për të dhe e ruajti si bebja e syrit të tij. Ashtu si një shqiponjë nxit zogjtë e saj, fluturon mbi të vegjlit e saj, shtrin krahët e saj, i merr dhe i mbart mbi krahët e saj, Zoti e drejtoi vetë, dhe asnjë perëndi e huaj nuk ishte me të. Ai e bëri të ngasë me kalë mbi lartësitë e tokës, me qëllim që të hante prodhimin e fushave; e bëri të thithë mjaltin nga shkëmbi dhe vajin nga shkëmbi i strallit, ajkën e lopëve dhe qumështin e deleve me gjithë yndyrën e qengjave, deshtë e Bashanit dhe cjeptë me majën e miellit të grurit; dhe ti ke pirë verën, gjakun e rrushit. Por Jeshuruni u majm dhe kundërshtoi (je bërë i majmë, i trashë dhe i dhjamur); braktisi Perëndinë që e ka bërë dhe përçmoi Shkëmbin e shpëtimit të tij. Ata nxitën smirën e tij me perëndi të huaja, provokuan zemërimin e tij me veprime të neveritshme. U kanë bërë flijime demonëve që nuk janë Perëndi, perëndive që nuk njihnin, perëndive të reja, të shfaqura kohët e fundit, që etërit tuaj nuk ua kishin frikën. Ke lënë pas dore Shkëmbin që të ka pjellë dhe ke harruar Perëndinë që të ka formuar. Por Zoti e pa këtë dhe i hodhi poshtë, për shkak të provokimit të bijve të tij dhe të bijave të tij, dhe tha: "Unë do t'u fsheh atyre fytyrën time dhe do të shoh cili do të jetë fundi i tyre, sepse janë një brez i degjeneruar, bij tek të cilët nuk ka fare besnikëri.