Kolosianëve 2:8-15
Kolosianëve 2:8-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kujdes se mos ju mashtron ndokush me fjalë filozofike, mashtruese e të kota, fjalë që vijnë nga tradita njerëzore, nga fuqitë shpirtërore të kësaj bote e jo nga Krishti. Në të vërtetë, gjithë plotësia e natyrës hyjnore banon trupërisht në Krishtin dhe të bashkuar me Krishtin edhe ju e keni këtë plotësi. Ai është mbi çdo pari e pushtet. Të bashkuar me Krishtin, ju keni rrethprerjen e vërtetë, jo rrethprerjen e bërë nga duar njerëzore, por rrethprerjen që vjen nga Krishti dhe që është zhveshja e trupit të mëkatit. Ju u varrosët me Krishtin gjatë pagëzimit, por edhe u ngjallët bashkë me të nëpërmjet besimit te fuqia e Perëndisë që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve. Ju ishit të vdekur për shkak të paudhësive tuaja dhe të parrethprerjes, por Perëndia ju dha jetë e jua fali paudhësitë. Ai e fshiu dhe e zhduku dorëshkrimin që na padiste dhe që ishte kundër nesh për shkak të urdhërimeve të tij, duke e mbërthyer në kryq. Kështu Perëndia i çarmatosi paritë e pushtetet djallëzore dhe i turpëroi botërisht kur ngadhënjeu kryqi.
Kolosianëve 2:8-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit, sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë. Dhe ju keni marrë plotësinë në të, sepse ai është krye e çdo principate e pushteti, në të cilin ju edhe u rrethpretë me një rrethprerje që nuk u bë me dorë, por me rrethprerjen e Krishtit, me anë të zhveshjes së trupit nga mëkatet e mishit: të varrosur bashkë në të në pagëzim, ju edhe u ringjallët bashkë në të, me anë të besimit në fuqinë e Perëndisë që e ka ringjallur prej së vdekurish. Dhe bashkë me të Perëndia ju dha jetë ju, që kishit vdekur në mëkate dhe në parrethprerjen e mishit, duke jua falur të gjitha mëkatet. Ai e zhvlerësoi dokumentin e urdhërimeve, që ishte kundër nesh dhe ishte kundërshtar, dhe e hoqi nga mesi duke e mbërthyer në kryq; dhe mbasi i zhveshi pushtetet dhe principatat, ua tregoi sheshit njerëzve, duke ngadhënjyer mbi ata në të.