Amosi 3:1-10
Amosi 3:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Dëgjojeni këtë fjalë, që ZOTI foli kundër jush, o bijtë e Izraelit. Kundër gjithë familjes që nxori nga toka e Egjiptit: “Ju jeni të vetmit që zgjodha nga tërë fiset e dheut. Ndaj dhe do t'ju ndëshkoj për të gjitha fajet tuaja. A udhëtojnë dy veta bashkë, nëse nuk kanë lënë takim? A ulërin luani në pyll, nëse pre për të nuk ka? A angullin këlyshi i luanit nga strofka, nëse ka kapur gjë? A bie në tokë fluturaku, nëse laku nuk ngrihet për të? A shkrehet kurthi nga dheu, nëse nuk ka kapur gjë? A nuk trembet populli, kur kushtrimi i borisë në qytet lëshohet? A e zë fatkeqësia qytetin, nëse ZOTI nuk e dërgon? Se, ZOTI, Zoti im, nuk bën asgjë, pa ia zbuluar synimet profetëve, shërbëtorëve të vet. Ulëriu luani, kush nuk do t'i trembet? Foli ZOTI, Zoti im, kush nuk do të profetizojë? Shpall nëpër fortesat e Ashdodit, nëpër fortesat e vendit të Egjiptit e thuaj: ‘Mblidhuni në malet e Samarisë, vrojtoni pështjellimet e saj e zgjedhën që e ka zënë’. Ata s'dinë si të sillen drejt, kumton ZOTI, grumbullojnë dhunë e shkatërrim në fortesat e tyre”.
Amosi 3:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dëgjoni këtë fjalë që Zoti ka shqiptuar kundër jush, o bij të Izraelit, kundër tërë familjes që nxora nga vendi i Egjiptit: "Vetëm ju kam njohur midis tërë familjeve të dheut; prandaj unë do t'ju ndëshkoj për të gjitha paudhësitë tuaja". A mund të ecin bashkë dy veta, në rast se nuk janë marrë vesh më parë? A vrumbullon luani në pyll në rast se nuk ka një gjah përpara? A do ta ngrejë zërin luani i vogël nga strofka e i tij në rast se nuk ka kapur diçka? A bie vallë zogu në një kurth në tokë, po të mos i jetë vënë një lak? A shkrehet kurthi nga toka, në rast se nuk ka zënë diçka? Në rast se në qytet i bien borisë, a nuk do të trembet vallë populli? Në rast se në një qytet ndodh një fatkeqësi, a nuk e ka shkaktuar vallë Zoti? Sepse Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve. Luani vrumbulloi, kush nuk do të ketë frikë? Zoti, Zoti, foli, kush nuk do të profetizojë? "Bëjeni të dëgjohet në pallatet e Ashdodit dhe në pallatet e vendit të Egjiptit dhe thoni: Mblidhuni në malet e Samarisë dhe shikoni sa parregullsi ka në mes të saj dhe shtypje brenda saj. Ata nuk dinë të bëjnë atë që është e drejtë, thotë Zoti, në pallatet e tyre grumbullojnë dhunë dhe grabitje".